“Skandali i Gazmend Muhaxherit”, analisti me akuza të rënda ndaj nënkryetarit të LDK-së - ia përmend edhe Çakorrin

Politika

“Skandali i Gazmend Muhaxherit”, analisti me akuza të rënda ndaj nënkryetarit të LDK-së - ia përmend edhe Çakorrin

Nga: A.Zh Më: 21 qershor 2024 Në ora: 12:03
Gazmend Muhaxheri

Analisti politik Binak Maxharraj, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), që sipas tij, nuk reagoi lidhur me deklaratën e nënkryetarit të saj, Gazmend Muhaxheri. Ky i fundit, ka nxitur reagime të shumta, me dyshime e tij lidhur me armatimin që është gjetur në veri pas sulmit terrorist në Banjskë, në shtator të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se beson që armët e konfiskuara në veri mund të jenë vendosur nga Policia dhe Qeveria e Kosovës.

Këtë deklaratë të kryetarit të Pejës, profesori Maxharraj e ka quajtur “skandaloze”, duke thënë se kjo e poshtërson Policinë e Kosovës.

Për gazetën “Bota sot”, ai ka ka kritikuar edhe Prokurorinë e Kosovës, që nuk reagoi ende për ta marrë në pyetje Muhaxherin.

“Për këtë skandal të Gazmend Muhaxherit, nuk reagoi fare LDK-ja, por as prokuroria e Kosovës për këtë vepër penale të llojit sui generis.

Ky akt skandaloz i Gazmend Muhaxhirit e poshtërson Policinë e Kosovës dhe e shfajëson sulmin terrorist të Serbisë në veri të Kosovës”, është shprehur Maxharraj.

Ai ka kujtuar se si ndodhi sulmi terrorist serb në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku.

“Siç dihet, në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë në veri të Kosovës të datës 24 shtator 2023 u atakua seriozisht sovraniteti i Kosovës në përleshje të armatosur me kriminelët dhe bandat kriminele të udhëhequra nga krimineli Radojçiq me skenar të Vuçiqit, ku humbi jetën Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë.

Policia e Kosovës i mundi ata, të cilët u larguan nga Kosova të turpëruar dhe të dëshpëruar. U fol shumë se si ata u larguan aq komod nga veriu. Mendoj se pas kësaj qëndron KFOR-i. Pos këtij sulmi terrorist nga ana e kriminelëve çetnikë dhe fashistëve serbë, policia e Kosovës u mor me pastrimin e terrenit, me ç’rast u gjetë dhe u konfiskua një arsenal i madh armësh të sofistikuara sa për një ushtri. S’do mend se këto armë ishin futur nga Serbia pa u penguar nga askush, bile as nga KFOR-i. Gjetja dhe konfiskimi i një arsenali kaq të madh armësh të sofistikuara prodhime të Serbisë, u komentua në mënyra të ndryshme. Ekzistonte dhe tani ekziston pajtim i përgjithshëm dhe i plotë, se ato armë ishin sjellë përmes rrugëve të ndryshme ilegale nga Serbia”, ka kujtuar profesori.

Ai më tej ka thënë se me deklaratën për armët në veri të vendit, nënkryetari i LDK-së, ka shfajësuar kriminelët dhe bandat për sulmin në Banjskë.

“Policia ka njoftuar se në veri të Kosovës ka zbuluar 26 rrugë ilegale që shërbenin për kontrabandë. Por, vetëm një njeri i krisur si Gazmend Muhaxhiri, kryetar i Komunës së Pejës dhe nënkryetar i LDK-së, doli hapatas këto ditë duke theksuar se një arsenal aq i madh armësh të sofistikuara në një nivel të një ushtrie, nuk ishte sjellë nga Serbia, duke e fajësuar Policinë e Kosovës se gjoja ajo vetë i paska fshehur aty në Banjskë. Ai thotë: “I kanë fsheh vetë policia e Kosovës, e pastaj thonë ja shkoni atje janë armët dhe merreni, qaty janë”. Me këtë deklaratë, Gazi i Pejës i shfajëson kriminelët dhe bandat kriminele të Vuçiqit se gjoja kjo nuk qenka vepër e Serbisë, qe ashiqare i del në mbrojtje Serbisë, do të thotë, sipas Muhaxherit, Serbia nuk ka bërë sulm terrorist.

Policia e Kosovës po bën punë të madhe në vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës e në veçanti në veri, i cili sot është “çliruar” nga kriminelët dhe bandat kriminele të Vuçiqit, ku çdo qytetar i Kosovës, shëtit lirshëm. Kjo deklaratë e Gazit të Pejës, i cili edhe u bë gazi i botës duke e poshtëruar punën e madhe që po e bën policia e Kosovës dhe duke i shfajësuar aktet terroriste të Serbisë, bëri skandal sui generis, të papërfillshëm, por shumë të dënueshëm, i cili u dënua ashpër nga opinioni i gjerë”, ka nënvizuar Binak Maxharraj.

Ai e ka quajtur të papranueshëm, qëndrimin e LDK-së, që nuk reagoi ndaj Muhaxherit. Madje, ka kërkuar që i njëjti të largohet nga postet e tij.

“Kjo nuk ndodhi, bile lidhur me rastin Muhaxheri fare nuk reagoi as LDK-ja, ku ai është nënkryetar e as prokuroria nuk reagoi për ta marrë në pyetje. Qëndrimi indolent i LDK-së është i papranueshëm dhe njerëzit e tillë duhet të largohen nga postet përgjegjese. I bie barra edhe popullatës së Pejës, se si e toleron, bile edhe e voton këtë njeri për disa herë me radhë, anipse ky njeri, Pejës ia humbi edhe Çakorrin duke ia dhënë Malit të Zi. Ai pat deklaruar se Çakorri kurrë nuk ka qenë pjesë e Kosovës, duke harruar se Çakorri historikisht ishte pjesë e Kosovës dhe se atë me shekuj dhe dekada e kanë mbrojtë kreshnikët e Rugovës për të mos ia lënë në dorë Krajl Nikollës e Mark Milanit”, ka thënë Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat