Takimi i 26 qershorit Kurti-Vuçiq, profesori amerikan ‘këshillon’ Kurtin/ Ja si duhet të veprojë tani e tutje

Politika

Takimi i 26 qershorit Kurti-Vuçiq, profesori amerikan ‘këshillon’ Kurtin/ Ja si duhet të veprojë tani e tutje

Nga: Naile Ejupi Më: 21 qershor 2024 Në ora: 10:03
Alon Ben-Meir- Albin Kurti

26 qershori do të shënojë ditën kur në tavolinën e dialogimit do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksanër Vuçiq.

Takimi është konfirmuar dje nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por edhe nga Qeveria e Kosovës.

Por, nga blloku evropian ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me agjendën e takimit Kurti-Vuçiq.

Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave.

Takimi Kurti- Vuçiq vjen pas takimit të fundit të realizuar vitin e kaluar më 14 shtator 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Takimi Kurti- Vuçiq, vjen edhe pas marrëdhënieve jo shumë të mira në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, kjo për shkak të mos pajtimeve për asociacionin, masave ndëshkuese ndaj Kosovës, aksioneve në veri të Kosovës, valuta e dinarit, shpronësimi i komunave me shumicë serbe dhe tashmë mos pajtime edhe për hapjen e Urës së Ibrit.

Ditë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se BE-ja është e shqetësuar për situatën në veri teksa theksoi nevojën për deeskalim.

Ai tha se veprimet e pakoordinuara kanë bërë që situata në veri të tensionohet dhe se sipas tij kjo ishte arsyeja edhe e vendosjes së masave ndaj Kosovës.

“Sigurisht jemi të shqetësuar nga situata në veri, pasi që kemi parë gjatë një periudhe kohore, muaj të tërë, që kemi parë hapa të njëanshëm, të pakoordinuar që kanë dërguar në tensione, dhe kjo në fakt përfshihet tek pjesa e parë e pyetjeve që i diskutuam. Dhe eskalimi i vazhdueshëm, ishin arsyeja që BE-ja vendosi masat, kështu që sigurisht presim nga qeveria në Prishtinë dhe autoritetet kosovare që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për deeskalim, por të njëjtën e presim edhe nga pala Serbe”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, profesori amerikan Alon Ben Meir, ka folur rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve, ku sipas tij, kryeministri i Kosovës, ka vepruar në bazë të parimeve, në vend që të shqyrtojë me kujdes natyrën e konfliktit politik me Serbinë.

Sipas tij, ai duhet të punojë ngushtë me BE-në për ta avancuar interesat e Kosovës.

“Siç e kam thënë vazhdimisht, duket se ka një shkëputje mes kryeministrit Kurti dhe BE-së. Kurti kryesisht ka vepruar në bazë të parimeve në vend që të shqyrtojë me kujdes natyrën e konfliktit politik me Serbinë dhe të punojë ngushtë me BE-në për të zgjidhur disa nga problemet e krijimit të tij. Është koha që ai të kthejë një faqe të re dhe të punojë ngushtë me BE-në për të avancuar interesat e Kosovës dhe për të bërë përparim si drejt njohjes reciproke me Serbinë ashtu edhe drejt procesit të integrimit me BE-në”, shprehet profesori.

Shkëputje mes palëve, profesori amerikan, e shikon për shkak të mungesës së dialogut të rregullt.

“Siç e theksova më lart, shkëputja mes dy palëve vazhdon për shkak të mungesës së dialogut të rregullt mes Kurtit dhe BE-së. Kjo është kryesisht për shkak të sanksioneve që BE vendosi ndaj Kosovës vitin e kaluar, të cilat penguan takimet e nivelit të lartë ndërmjet zyrtarëve nga të dyja palët. Kjo ka kontribuar në deklaratat e tyre kontradiktore”, shton Meir.

Theksojmë se, takimi i ri Kurti-Vuçiq do të mbahet në kohën kur zyrtarëve evropianë iu skadon mandati, pasi ata kanë kaluar gati pesë vjet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Josep Borrell do të shërbejë si kreu i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë. Javën e ardhshme do të bëhet e ditur se kush do të jetë pasardhësi i tij në këtë post. Ndërkaq, Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet një zëvendësues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat