“Kjo gjë është vendimtare për Kosovën”, Koci thotë se dialogu me Serbinë ka dështuar – ja thirrja për aleatët

Politika

“Kjo gjë është vendimtare për Kosovën”, Koci thotë se dialogu me Serbinë ka dështuar – ja thirrja për aleatët

Nga: A.M. Më: 20 qershor 2024 Në ora: 23:27
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara.

Ku së fundi, është rikthyer në diskutim njohja reciproke mes dy vendeve.

Madje, sot u konfirmua që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

E në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci komentoi dialogun në tërësi dhe atë se si duhet të veprojë Kosova.

Si fillim, ai dialogun e vlerësoi si të dështuar, ku potencoi se shteti ynë nuk dueht të mbetet peng i dialogut me Serbinë.

Image
Melazim Koci

“Dialogu Kosovë - Serbi jo vetëm që është bllokuar, por ai ka dështuar. Kosova duhet ta rimendon çështjen e dialogut me Serbinë. Ka ardhur koha që aleatëve t’u thuhet se Kosova nuk mund të mbetet peng i dialogut me Serbinë. Ajo që mund dhe duhet të bëhet është kjo: dialogu i tashëm me Serbinë të zbritet në nivel të ulët teknik, ndërsa Marrëveshja franko - gjermane të negociohet vetëm me bashkësinë ndërkombëtare”, deklaroi ish-kryeredaktori i REL.

Ndër të tjera, ai tha se për Kosovën nuk është vendimtare njohja nga Serbia, por anëtarësimi në NATO.

“Kosova duhet ta thotë që është e gatshme ta zbatoj Marrëveshjen franko – gjermane, nëse merr garanca të sigurisë (anëtarësim i përshpejtuar në NATO). Pra, një asociacion pa kompetenca ekzekutive mund të bëhet nëse bashkësia ndërkombëtare anëtarëson Kosovën në NATO. Këto procese do të shkonin paralelisht, jo fillimisht Asociacioni dhe pastaj NATO.

Ndryshe, vazhdimi eventual i dialogut me Serbinë është në interesin e Beogradit. Ata duan që këtë dialog ta shtyjnë deri në pafundësi. Kosova mund të jetoj dhe zhvillohet edhe pa njohje nga Serbia. Për Kosovën nuk është vendimtare njohja nga Serbia, por anëtarësimi në NATO”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat