Nuk foli për armatimin në veri, por tha se Kosova është e pakoordinuar, Stanos i vijnë reagimet ‘e ashpra’: Cinizmi i madh, BE duhet…

Politika

Nuk foli për armatimin në veri, por tha se Kosova është e pakoordinuar, Stanos i vijnë reagimet ‘e ashpra’: Cinizmi i madh, BE duhet…

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 qershor 2024 Në ora: 07:59
Peter Stano

Bashkimi Evropian nuk e përkrahë Kosovën dhe e sulmon viktimën, ndërsa e mbron agresionin dhe përkrahin shtetin gjenocidial, kështu shprehen analistët politikë pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian, të hënën është pyetur lidhur me armatimin e gjetur në veri nga Policia e Kosovës.

Ai nuk u përgjigj në këtë pyetje derisa vetëm theksoi nevojën për deeskalim të situatës. Stano u shpreh se BE-ja është e shqetësuar për situatën në veri teksa theksoi nevojën për deeskalim.

Ai tha se veprimet e pakoordinuara kanë bërë që situata në veri të tensionohet dhe se sipas tij kjo ishte arsyeja edhe e vendosjes së masave ndaj Kosovës.

“Sigurisht jemi të shqetësuar nga situata në veri, pasi që kemi parë gjatë një periudhe kohore, muaj të tërë, që kemi parë hapa të njëanshëm, të pakoordinuar që kanë dërguar në tensione, dhe kjo në fakt përfshihet tek pjesa e parë e pyetjeve që i diskutuam. Dhe eskalimi i vazhdueshëm, ishin arsyeja që BE-ja vendosi masat, kështu që sigurisht presim nga qeveria në Prishtinë dhe autoritetet kosovare që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për deeskalim, por të njëjtën e presim edhe nga pala Serbe”, deklaroi ai.

Ai theksoi se Kosova dhe Serbia e kanë për detyrë t’i parandalojnë eskalimet.

“Pra të dy palët kanë çështje, të dy palët kanë obligime dhe e kanë për detyrë që të bëjnë gjithçka që është e mundur, bashkë me aleatë e partnerët, për të parandaluar eskalimet. Sepse nëse shohim prapë situata të tilla, Bashkimi Evropian ka treguar se nëse është nevoja, mund të reagojmë edhe me forma të tjera përveç deklaratave publike. Kështu që sinqerisht po shpresojmë se gjithsecili po e bënë më të mirën për shtensionim, për të ndihmuar me hapa që ndihmojnë që më në fund të ikim cikli i tensioneve dhe të kthehemi ku duhet të jemi, e që është platforma e dialogut, duke kërkuar zgjidhje për zbatimin urgjent të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës”, u shpreh ai.

“Çka bëri Albini për 3 vjet, BE nuk mundi për 22 vjet.”

Analisti politik, Faton Mehmeti, pas deklaratave të Stanos thotë se BE ka nevojë për reformim.

Image
Faton Mehmeti

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Mehmeti thotë se Bashkimi Evropian duhet ta falenderojë Kosovën për kthim në normalitet veriun që as ajo nuk ka mundur ta bëjë.

“BE ka nevojë për reformim, ndryshim të kursit për të qenë reale, e paanshme dhe mbi të gjitha e drejtë. Veprimet e saja të padrejta kanë prodhuar tensione nga ana e Serbisë në veri, duke e shndërruar atë pjesë të Kosovës në vatër të kriminelëve. Faktikisht BE duhet falenderojë Kosovën për kthimin e normalitetit në veri, të cilën vetë BE s’ka mundur ta bëjë për 22 vjet. Çka bëri Albini për 3 vjet, BE nuk mundi për 22 vjet. Me pak fjalë, është pa sens të thuhet se Kosova ka bërë veprime të njëanshme, pse me kë duhet koordinohet Kosova për të ushtuar sovrnaitetin, për të ndjekur terroristët. Kjo edhe është detyra e Kosovës”, deklaron Mehmeti.

Tutje, sipas tij, BE po mbron agresionin dhe e sulmon viktimën.

“Derisa BE vazhdon këtë qasje, kurrë s’do të ketë marrëveshje përfundimtare, me qasjen e saj vetë BE është duke penguar çdo marrëveshje, derisa mbron agresonin e sulmon viktimën”, shton Mehmeti.

“Cinizmi më i madh i Stanos është se ai në vend që të përkrahë policinë e Kurtit, po deklaron të kundërtën”

Në anën tjetër, analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se nuk duhet një BE e cila kundërshton veprimet e policisë së Kosovës.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, ajo nuk e përkrahë Kosovën e përvuajtur, por me paturpësi përkrahin shtetin gjenocidial në botë Serbinë.

“Nëse Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kundërshton veprimet e policisë së Kosovën për aksionin e zbulimit të armëve serbe në Mitrovicë tē Veriut atëherë lirisht mund të themi se s'na duhet BE e tillë e cila nuk përkrah Kosovën e përvuajtur, por me paturpësi përkrahin shtetitin gjenocidial në botë Serbinë. Cinizmi më i madh i këtij "zotërisë" të BE-së Stano është se ai në vend që të përkrahë policinë e Kurtit që kanë zbuluar e kapur armë të rrezikshme serbe në Mitrovicë të veriut, ky deklaron të kundërtën duke thënë, se, "qeveria e Kosovës ka bërë hapa të njëanshëm të pakoordinuar me BE-në" që gjatë dialogut Kosovë - Serbi hapur janë me Vuçiqin gjenocidial”, shprehet Mehazi.

Deklaratën e Stanos ai e konsideron absurde, gjersa shton se se Kosova nuk i takon grupit gjenocidial të BE-së.

“Është aq absurde deklarata e Zëdhënësit të BE-së, Stano, ndaj aksionit të policisë së Kosovës, bëhet sikur policia e Kosovës nuk kanë zbuluar armë vrastare kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj, po lule të bukura pēr të zbukuruar veriun e Kosovës. Pasi Kosova përballë Serbisë gjenocidiale për BE-në është e pavlefshme atëherë nuk ka nevojë që qeveria e Kurtit të koordinohet me BE-në e pavlefshme serbe-ruse. Stano, Lajçak, Borrel, BE le të përkrahin Serbinë gjenocidiale, Kosova nuk i takon grupit gjenocidial të BE-së, Kosova është me NATO-n, SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, pike”, përfundon analisti.

Policia e Kosovës Policia e Kosovës të premten e 14 qershorit ka konfiskuar sasi të konsideruar armësh në dy lokacione në veri njëri në pronësi të Marjan Radojeviqit e tjetri të Zarko Cvetkoviqit.

Radojeviq e Cvetkoviq janë në listën e të kërkuarve për sulmin në Banjskë më 24 shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Për aksionet në veri të Kosovës, autoritetet e Kosovës kanë bërë me dije që i bëjnë në bashkëpunim me KFOR-in dhe dijenin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat