Der Standard përmend shtetet europiane që penguan Kosovën në KiE dhe rrezikun që e pret nga fitorja e Trump

Politika

Der Standard përmend shtetet europiane që penguan Kosovën në KiE dhe rrezikun që e pret nga fitorja e Trump

Nga: H.O. Më: 19 qershor 2024 Në ora: 22:12
Ilustrim

Vuçiq tani dëshiron të nxjerrë litium në Serbinë perëndimore. Sipas Financial Times, kompania minerare Rio Tinto do të operojë minierën në Luginën e Jadarit nga viti 2028. Në vitin 2022, presidenti serb e anuloi projektin pas protestave massive. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përgatitet t'i japë kompanisë minerare Rio Tinto dritën jeshile për të operuar minierën e litiumit në Serbinë perëndimore, dy vjet pasi ai anuloi projektin për shkak të protestave masive popullore, raportoi të dielën Financial Times (FT). Vuçiq tani i tha gazetës se "garancitë e reja" nga kompania dhe BE-ja do të adresonin shqetësimet e Serbisë nëse standardet e kërkuara mjedisore do të përmbusheshin në vendin e Jadarit. Litiumi përdoret në bateritë për automjetet elektrike dhe telefonat celularë, raporton Der Standard, transmeton ‘Bota sot’.

Në këtë shkrim, Der Standard përmend edhe partneritetin me Gjermaninë. Siç raportoi kjo gazetë, në gusht 2020, Ministria Gjermane e Çështjeve Ekonomike dhe zyra presidenciale e Vuçiç vendosën për një "partneritet institucional për të forcuar zhvillimin e strategjisë së politikës industriale të Serbisë në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së" duke "forcuar në të njëjtën kohë Zinxhirët e furnizimit." Konkretisht, bëhet fjalë për promovimin e "përfshirjes së kompanive dhe institucioneve arsimore serbe në zinxhirin e furnizimit të ekonomisë gjermane" dhe "përfshirjen e ekonomisë serbe në projektet e marrëveshjes së gjelbër të BE-së dhe integrimin e ekonomisë serbe në BE. “.

Politika qetësuese e Evropës

Diplomatët dhe politikanët perëndimorë, duke përfshirë edhe Gjermaninë, kanë ndjekur një politikë qetësuese ndaj regjimit hibrid të Vuçiqit për vite me radhë në kurriz të shteteve të tjera më të vogla të Ballkanit. Kjo politikë qetësuese vazhdoi edhe pasi milicitë serbe kryen një sulm terrorist ndaj policisë kosovare në veri të Kosovës shtatorin e kaluar, me sa duket me mbështetjen e Serbisë.

Edhe pse regjimi serb po ndërhyn në vendet fqinje dhe po shkakton destabilizimin - serbët militantë sulmuan edhe ushtarët e NATO-s në Kosovë vitin e kaluar dhe plagosën 30 prej tyre - Vuçiq nuk kritikohet shumë. Kohët e fundit, disa shtete kryesore të BE-së – përfshirë Gjermaninë – madje e penguan Kosovën që të anëtarësohej në Këshillin e Evropës këtë vit. Vuçiq më parë kishte lobuar masivisht që Kosova të mos pranohej.

Rrezik nga Trump

Kosova, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, është një nga dy shtetet në Evropën Juglindore që janë veçanërisht të rrezikuara nga boshti ndërmjet Kremlinit dhe regjimit të Vuçiqit. Gjatë mandatit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, u konsiderua një shkëmbim territori me Serbinë, si rezultat, Kosova do të humbiste veriun, ku ka veçanërisht shumë burime natyrore. Prandaj, një kthim i Trumpit në zyrën e Presidentit të SHBA-së do të ishte veçanërisht kërcënues për Kosovën. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte një shenjë e rëndësishme nga evropianët se ata janë të përkushtuar ndaj integritetit territorial të shtetit.

Por edhe në Bruksel, politika ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor formësohet kryesisht nga interesat ekonomike dhe Serbia ka ekonominë më të madhe. Qeveria serbe – ndryshe nga të tjerat – nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, por Serbia mbetet kandidate për anëtarësim në BE dhe merr shumë para nga Brukseli. Me sa duket askush në Bruksel nuk shqetësohet nga fakti që ish-shefi i inteligjencës serbe dhe zëvendëskryeministri aktual Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, vendosi lule para bustit të diktatorit rus Josef Stalin gjatë vizitës së tij në Rusi javën e kaluar. Vulin është një nga ndërlidhësit më të rëndësishëm me Kremlinin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat