Deklarata alarmuese se mund të përsëriten vitet e 90-ta, publicisti serb ‘këshillon’ ndërkombëtarët: Ja çka duhet t’i bëjnë Vuçiqit

Politika

Deklarata alarmuese se mund të përsëriten vitet e 90-ta, publicisti serb ‘këshillon’ ndërkombëtarët: Ja çka duhet t’i bëjnë Vuçiqit

Nga: Naile Ejupi Më: 19 qershor 2024 Në ora: 17:00
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuciq

Kosova e shënoi më 12 qershor 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të aleancës veri atlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Dita e Çlirimit u shënua me disa ceremoni, përfshirë mbajtjen e një seance solemne në Kuvendin e Kosovës, si dhe parakalimin e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

Në Ditën e Çlirimit, ka folur edhe Lord George Robertson, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, i cili ka deklaruar se nëse nuk arrinë marrëveshje Kurti- Vuçiq, atëherë mund të përsëriten vitet 90’.

Sipas Roberston, palët duhet t’i zgjidhin disa probleme me diplomaci dhe paqësisht rreth tryezës.

“Ka pasur krizë në Kosovë për disa vite, duke përfshirë veprime që u konsideruan terroriste në pjesën veriore të Kosovës. A ishte shtatori i vitit të kaluar, një pikë kthese në qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve ndërkombëtarë që siguria në Ballkan, sidomos në Kosovë, është në rrezik nga Serbia. Mendoj se ka një rrezik që rajoni të destabilizohet jo vetëm nga Serbia por edhe nga të tjerët që po luajnë në Ballkanin Perëndimor për një problem në rritje që mund të çojë në dhunën e tmerrshme që pamë në vitet 1990. Dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dëshiron të parandalojë Dhe prandaj ka një përpjekje të madhe diplomatike që po ndodh për të siguruar që ato dallime mendimesh, që është çfarë janë ato, nuk shndërrohen në një dhunë të tmerrshme që kemi parë në Ballkanin Perëndimor në vitet e 90-ta. Kështu që ka nevojë për një frymë pajtimit, i kompromisit në këtë kohë. Ju e dini, dhe i kam thënë Kryeministrit Kurti dhe do ta thoja edhe Kryeministrit Vuçiç, nëse do të takohesha me të, e dini, ju mund ta respektoni historinë, por nuk mund të jetoni në të, Ju duhet që të zgjidhni disa nga këto probleme me diplomaci dhe paqësisht rreth tryezës. Jo përmes përplasjeve në beteja ose në fushëbeteja ushtarake, Dhe prandaj, toleranca, kompromisi janë shenja e asaj që është Evropa”, ka deklaruar Roberston.

Por, një përsëritje të viteve 90’ta nuk e beson publicisti serb, Zlatoje Martinov, i cili thotë provokimet janë të mundshme, por konflikti i hapur përjashtohet.

Martinov në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta largojë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiqit, sidomos ndaj këtij të fundit pasi ai shkel marrëveshjen.

“Shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar ekziston, por në Kosovë për sa kohë që forcat e NATO-s janë aty, nuk besoj se ka mundësi të përsëritet vitet e 90-ta. Provokimet janë të mundshme, por konflikti i hapur përjashtohet. Kur është fjala për “marrëveshjen” mes Kurtit dhe Vuçiqit, janë shumë qartë të specifikuara marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, pikat e të cilave duhet të zbatohen. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta largojë presionin ndaj të dyve, e sidomos ndaj Vuçiqit, i cili haptazi dhe pa asnjë sanksion shkel Marrëveshjen e Ohrit me veprime diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, deklaroi Martinov.

Image
Zlatoje Martinov

Theksojmë se të mërkurën e kaluar, u bënë 25 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës - prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s - që erdhën në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat