“Është i interesuar ta pastrojë këtë pisllëk”/ Cili ishte mesazhi nga Peter Stano për Besnik Bislimin?

Politika

“Është i interesuar ta pastrojë këtë pisllëk”/ Cili ishte mesazhi nga Peter Stano për Besnik Bislimin?

Nga: P.R Më: 19 qershor 2024 Në ora: 12:06
Besnik Bislimi

Problemi i vendosjes së masave kundër Kosovës nga ana e BE-së është një çështje që diskutohet qysh në momentin kur ato u vendosën. Së fundi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka informacione që është rekomanduar heqja e këtyre masave ndaj Kosovës.

Por Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ka konsideruar si spekulime deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kjo është një çështje institucionale në mes të përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është përfaqësuesi i lartë ai që do ta dërgojë raportin te vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur. Kjo është diçka institucionale në mes të përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për përfaqësuesin e lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, ka thënë Stano.

E lidhur me heqjen e mundshme të këtyre masave ndëshkuese, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Ishin masat më të pakuptimta që kishte vendosur ndonjëherë Brukseli ndaj një partneri të tij të besueshëm e madje edhe jo të besueshëm. Ngjarjet që rrodhën më vonë konfirmuan se këto masa shtrënguese për Kosovën ishin joproduktive, të padrejta dhe se promovimi i kryetarëve të katër komunave në veri të vendit ishte veprimi më i drejtë që duhej ndërmarrë. Çfarë ndodhi prej asaj kohe? Pas përurimit të këtyre kryetarëve u kërkua që zgjedhjet të bëhen sërishmi. Ndodhi kjo sipas ligjit dhe kushtetutës së vendit. Serbët refuzuan të votojnë heqjen e këtyre kryetarëve. Kjo provoi se shkaku i dramave dhe ngjarjeve në Kosovë nuk janë vendimet e qeverisë së Kosovës, por qëndrimet dhe politikat destruktive dhe destabilizuese të Beogradit. Sot pra flluska e ndihmës për Serbinë ka rënë”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Joseph Borrell është i interesuar ta pastrojë pisllëkun që krijoi me vendosjen e masave ndëshkuese.

“Borrell ka përgatitur një raport për këto masa, i cili paraqitet këtë javë në KE. Ka bërë një propozim. Zv. Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ky raport propozon heqjen e masave shtrënguese kundër Kosovës. Natyrshëm këtë do ta thosha edhe unë, thjesht me intuitë politike. Joseph Borrell ishte ai që çoi propozimin për vendosjen e këtyre masave. Tani ai është në largim. Pas pushimeve verore nuk do të jetë më në zyrën e Komisionerit për Punë të Jashtme dhe Siguri të Evropës. Për këtë arsye Borrell është i interesuar ta pastrojë këtë pisllëk. Sepse po e la në dorën e pasuesit të tij, nuk dihet se si do të komentohet ai propozim absurd që ai ka bërë për vendosjen e tyre”, deklaron Bytyçi.

Siç thotë ai, Borrell nuk propozoi asnjëherë sanksione ose masa kundër Serbisë, edhe pse ai është përgjegjës për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

“Ndërkohë Serbia, me të cilën Borrell zhvillon bisedime për pranim në BE nuk pranoi të vendosë sanksione. Borrell nuk propozoi t’i vendosen Serbisë për aktin terrorist në Banjskë para 9 muajsh, por propozoi masa financiare kundër Kosovës, pse Kosova në çdo rast zbatoi lidhet dhe kushtetutën e saj, në territorin e vet. Borrel nuk u shqetësua asnjëherë për veprimet destabilizuese të Beogradit, madje u ndihmoi këtyre veprimeve kur fajësoi Kosovën si aktor dhe faktor destabilizimi!”.

“Pasardhësi i Joseph Borrell nuk do t’i shohë zhvillimet e këto masa me optikën e këtij të fundit. Por nuk ishte etike që zv.kryeministri i Kosovës të zbulonte propozimin e Komisionerit Evropian për Politikë e Siguri në Evropë. Ato propozime mund të vinin si surprizë për publikun e Kosovës e më gjerë. Autoritetet e larta gjithnjë kanë informacione të klasifikuara e të veçanta, për të cilat publiku nuk është njoftuar. Ato duhet të respektojnë konfindencialitetin e tyre. Ndryshe bëhen “si të pabesë”! Edhe në jetën praktike dikush mund t’i thotë dikujt një informacion që ka të bëjë me një të tretë. Por derisa burimi i parë i informacionit është ai i treti, asnjëri nuk ka të drejta ta transmetojë atë. Vetëm i interesuari është përgjegjës dhe ka të drejtën të informojë. Në rastin konkret zyra e Komisionerit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Këto janë rregulla etike që duhen zbatuar në jetën e përditshme, në zyrat e shtetit kudo, jo më nga krerët e qeverisë”, shton profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi tregon se cili është mesazhi që Stano përcjelli me kundërpërgjigjën ndaj Bislimit.

“Nëse Joseph Borrell është në ikje, kjo nuk e justifikon nxjerrjen në publik të një informacioni që e posedon drejtpërdrejt ai. Po flas me këtë gjuhë, sepse jam i bindur se zëdhënësi i Komisionerit Evropian, Stano, në një farë mënyre kishte të drejtë në deklaratën e tij. Nuk ka çfarë i duhet një zyrtari të lartë të qeverisë së Kosovës të flasë para kohe për një proces të caktuar. Ky ishte mesazhi. Dhe për herë të parë unë i jap atij të drejtë. Perin e hollë e këput padurimi. Padurimi për ne shqiptarët është karakteristikë negative që na dëmton shumë. Jo vetëm në këtë rast. Por ne për çdo gjë “kakarisim para se të bëjmë vezën”! Edhe pila që është pulë, kakaris pasi e ka lënë vezën në furrik, jo më përpara!”.

“Ne duhet të mësohemi edhe në jetën e përditshme të respektojmë me heshtje e mos e teprojmë. Duhet të mësojmë të durojmë. Duhet të mësohemi që suksesin ta komunikojmë atëherë kur duhet e jo para kohe. Duhet të mësojmë të heshtim, më shumë sesa të flasim, të dëgjojmë, më shumë sesa të tregojmë. Janë këto cilësi që do të na i rrisin vlerat tona në perëndim. Ndryshe mund ta bëjmë edhe vezën e kuqe, por nuk ka vlerë, kur e tepron. Duhet të shërbejë kjo si një mësim i mirë për këdo që merret me punët publike, kudo në shqiptari. Rendja për të qenë tregimtari i parë i një gjëje, është sëmundje e egoizmit dhe e padurimit. Çdo gjë ka kohën e vet dhe vendin e vet”, përfundon për “Bota sot”, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat