Zbulohet ‘arsyeja’ pse Lajçak takoi kryeministrin serb e do ta takojë presidentin serb, ndërsa në Kosovë takohet vetëm me zv.kryeministrin

Politika

Zbulohet ‘arsyeja’ pse Lajçak takoi kryeministrin serb e do ta takojë presidentin serb, ndërsa në Kosovë takohet vetëm me zv.kryeministrin

Nga: Naile Ejupi Më: 18 qershor 2024 Në ora: 21:31
Pamje nga takimi

Emisari evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar sot me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Miroslav Lajçak, ka thënë se arsyeja e vizitës së tij sot në Prishtinë është për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizmit dhe se çfarë hapa konkretë duhet të ndërmirren në këtë.

Lajçak tha se në takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi folën për përshpejtimin e Marrëveshjes Bazike, por edhe për çështjen e Planit të Rritjes.

“Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”.

“Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, u shpreh Lajçak.

Në konferencë për media, Lajçak foli edhe për raportin që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ia ka dërguar shteteve anëtare në lidhje me heqjen ose jo të masave.

“Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit”.

“E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen. Kryeministri Kurti nuk është brenda vendit, për këtë s’kemi pasur takim”, deklaroi ai.

Ai ka folur edhe për Urën e Ibrit, që sipas tij, hapja e pakoordinuar mund të çojë në incidente dhe ta komplikojë sitautën e dialogut edhe më tej.

Lajcak në një intervistë ka thënë se hapja e Urës është objekt i marrëveshjeve të arritur anë Bruksel dhe se hapja duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe dakorduar. Emisari sllovak ka thënë se asnjëherë s’është mirë që partnerët të befasohen.

Ai ka shprehur gatishmëri që ta vendos në agjendë të takimit të radhës në Bruksel nëse Kosova dhe Serbia kanë gatishmëri.

“Ne vazhdimisht i kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i adresojnë çështjet në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara. Nuk është kurrë mirë nëse partnerët ndërkombëtarë befasohen. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e urës kryesore të Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – nga viti 2015 dhe 2016.

Edhe pse jam dakord që ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të dakorduar. Çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të konsiderohet dhe të merret në dialog. Nëse palët janë të interesuara, me kënaqësi do ta vendos këtë çështje në axhendën e takimit të radhës të kryenegociatorëve”, ka thënë Lajçak.

Vizita e Lajçakut vjen pas Greqisë, ku mbrëmë u takua me kryeministrin serb, Millosh Vuçeviq.

“E njoftova me të rejat mbi gjendjen në dialog dhe fola për marrëdhëniet BE-Serbi”, shkroi Lajçaku në një postim në llogarinë e tij në X.

Pas vizitës në Kosovë, diplomati evropian do të takohet në pasditen e së mërkurës në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lidhur me arsyen e takimit të Lajçakut me kryeministrin e presidentin serb, por jo me kryeministrin dhe presidenten e Kosovës, ka folur analisti politik Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai këtë e quan agjendë teknike, gjersa shton se raportet Kurti- Lajçak janë të ftohura.

“Është një agjendë teknike që në kompetencë i takon nivelit të zëvendëskryeministrit, kur të merret parasysh se Bislimi është i subkoordinuar politikisht deri në fund nga kryeministri, as nuk pritet diçka më ndryshe. Kurti shkon në nivel të presidentit, sepse dialogu në Serbi udhëheqet nga Vuçiqi, pra është në rregull një takim në këtë nivel. Por, sa i përket raporteve Kurti- Lajçak- Borrell, ato janë interne të ftohta dhe pa vullnet”, deklaron Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat