“Përplasja” e Stano-s me Bislimin/ Analistët zbulojnë skenarin e radhës – ja çfarë do të ndodhë me masat ndëshkuese ndaj Kosovës!

Politika

“Përplasja” e Stano-s me Bislimin/ Analistët zbulojnë skenarin e radhës – ja çfarë do të ndodhë me masat ndëshkuese ndaj Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 qershor 2024 Në ora: 16:48
Peter Stano dhe Besnik Bislimi

Vendosja e masave nga BE për Kosovën është kthyer këto ditë temë diskutimi.

Vëmendjen për këtë çështje e rikthehu zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili tha javën e kaluar se “ka informacione që është rekomanduar heqja e masave nga BE-ja”.

Kjo deklaratë padyshim që arriti të sjellë reagim nga BE.

Është zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka theksuar se raporti për hapat që ka ndërmarrë Kosova për përmbushjen e detyrimeve i është deleguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, nga Këshilli i BE-së.

Ai ka shtuar se nuk është e nevojshme që dikush nga jashtë të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret e raportit.

“Kjo është një çështje institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është Përfaqësuesi i Lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka theksuar Stano.

Ndërsa gjatë ditës së sotme u bë e ditur që kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë, gjë të cilën e ka konfirmuar vet Peter Stano.

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

Diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, për të parë për vendimin e radhës që do i jepet Kosovës për masat.

Tahiraj: Deklaratat e Bislimit janë bërë monotone me gabime të njëpasnjëshme

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga Diaspora Saim Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj

Ai thotë se deklaratat e Bislimit janë bërë monotoni dhe jo serioze, e shumë pak persona po i marrin seriozisht.

“Deklaratat e zv. Kryeministrit Bislimi janë bërë monotone me gabime të njëpasnjëshme. Ato askush më nuk i merr seriozisht, sepse janë kontraverse dhe të pabazuara. Si nuk i vije turp të demantohet në vazhdimësi nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për deklaratat e ti të pabazuara? Unë si qytetar i Republikës së Kosovës turpërohem me jo seriozitetin dhe gafat e zv. Kryeministrit Bislimi”, u shpreh ai.

Më tej, Tahiraj thekson që nëse vazhdojnë kështu dhe nuk reflektojnë ndryshe, dyshoj se do lirohemi nga sanksionet.

“Këto deklarata po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë, duke mos i besuar më askush dhe mu për këtë arsye jemi nën sanksione. Nëse vazhdojnë kështu dhe nuk reflektojnë ndryshe, dyshoj se do lirohemi nga sanksionet. Do ishte në të mirë të Kosovës, që sa më parë të largohet nga pozita që ka dhe të zëvendësohet me një person që është më i dijshëm dhe serioz”, foli Tahiraj për “Bota sot”.

Qarri: Stano duke qenë personalisht, kundër heqjes së tyre, ka reaguar ashpër

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot”, u shpreh se kjo deklaratë e Stano-s erdhi pasi i njëjti është kundër heqjes së masave dhe vendosmëria e Qeverisë, rendi i ligjit ka arritur të vë në pikëpyetje vazhdimin e këtyre sanksioneve.

Image
Gani Qarri

“Realisht duke marrë parasysh ritmin e shpejt të përmbushjes së kërkesave të BE-së nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian është vonuar shumë dhe pa asnjë arsye, për heqjen e masave të njëanshme të vendosura padrejtësisht kundër Kosovës. Në fakt vendosmëria e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit, ka arritur vendosjen e sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës edhe në veri, njëjtë sikurse në të gjithë territorin e Republikës, duke stabilizuar tërësisht situatën, pas më tepër se dy dekadave sallamdie të kriminelëve serb me bashkë-ortakët e tyre.

Por zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke qenë personalisht, kundër heqjes së tyre, ka reaguar ashpër dhe në mënyrë krejt të pa matur diplomatike, në konferencë për media ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, vetëm pse ai tha javën e kaluar se “ka informacione që është rekomanduar heqja e masave ndaj Kosovës nga BE””, tha ai.

Qarri më tej përmend edhe raportin e Borrell të dërguar duke theksuar që masat e vendosura janë të padrejta.

“Për aq më tepër i informuar se edhe masave të përkohshme ndaj shtetit të Kosovës, po u vije fundi, Stano ka theksuar se raporti për hapat që ka ndërmarrë Kosova për përmbushjen e detyrimeve i është deleguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, nga Këshilli i BE-së, dhe shtuar me cinizëm, se nuk është e nevojshme që dikush nga jashtë të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret e raportit, duke harruar se masat e vendosura padrejtësisht dhe njëanshëm nga BE, kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me Kosovën, andaj përfaqësuesit e saj shtetëror, kanë të drejtën e plotë të deklarohen zyrtarisht, për heqjen e tyre”, potencoi analisti.

Në fund, ai shton që do të largohen këto masa ndaj Kosovës dhe në këtë mënyrë shteti ynë do ta rikthej qoftë edhe pjesërisht, besimin e humbur, pothuajse tërësisht te burokratët e njëanshëm të BE-së, si Borell, Lajçak e Stano!

“Deklaratat nevrike të Peter Stanos, përfundimisht lënë të nënkuptohet, se raporti i Josep Borellit, nën trysnin e shteteve të fuqishme të BE-së, si Gjermania pas një viti të mbajtjes në fuqi të masave të pa drejta ndëshkuese, të vendosura njëanshëm, do të rekomandojë heqjen e tyre, të menjëhershme apo edhe shkallë-shkallë, për vet faktin se, ashtu siç e di edhe vet Peter Stano, ato ishin vetëm masa të përkohshme, të cilat si të padrejta që ishin dhe të vendosura krejtësisht njëanshëm nga BE, deshi apo jo Stano dhe vet Përfaqësuesi i Lart apo edhe ndonjë nga vendet cinike mosnjohëse, anëtare të BE-së, duhet dhe do të hiqen me patjetër, dhe atë sa më parë që të ndodhë, aq më mirë, në mënyrë që edhe Kosova ta rikthej qoftë edhe pjesërisht, besimin e humbur, pothuajse tërësisht te burokratët e njëanshëm të BE-së, si Borell, Lajçak e Stano”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat