Serbia e Vuçiqit kërkoi ndihmë nga ‘shteti’ i Lajçakut për ta ‘goditur’ Kosovën - në pritje të vendimit të BE-së!

Politika

Serbia e Vuçiqit kërkoi ndihmë nga ‘shteti’ i Lajçakut për ta ‘goditur’ Kosovën - në pritje të vendimit të BE-së!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 qershor 2024 Në ora: 15:00
Foto ilustrim

Ka kaluar më shumë se një vit që kur Bashkimi Evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

Kjo çështje vazhdon të jetë ende aktuale, ndonëse kohët e fundit kishte shpresë se do të hiqen masat, e kjo përmes një raporti të Josep Borellit.

Mirëpo, Bashkimi Evropian ka thënë se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

Kjo si kundërpërgjigje për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane të enjten në Prishtinë, theksoi se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por ka pasur disa hezitime” për dorëzimin e tij.

Reagimi nga BE për masat, erdhi pikërisht në ditën kur ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq i kërkoi ‘ndihmë’ ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën në Departamentin për Çështje Politike dhe të Ndërtimit të Paqes, Miroslav Jença.

Gjuriq kërkoi nga përfaqësuesit sllovak i OKB-së që të ndikojë që të mos hiqen masat kufizuese ndaj Kosovës.

Në këtë kuptim, ai ka shprehur shqetësimin për shfaqjen e tendencave për heqjen e masave kufizuese të vendosura ndaj Kosovës.

“Heqja e mundshme e masave tashmë “shumë të kufizuara” dhe “të pamjaftueshme” ndaj regjimit të Albin Kurtit do të nënkuptonte një pajtim të nënkuptuar me pasojat e agjendës së tij etno-nacionaliste, e cila për gati tre vjet ka qenë fatale për jetën dhe mbijetesën e “popullit serb” në Kosovë”, ka pretenduar Gjuriq.

Kjo është dëshmi që Serbia po vazhdon të lobojë tek shtetet që nuk e njohin, siç është rasti tek Sllovakia, më saktësisht te diplomati i tyre.

Ajo se çka e ndërlidh këtë gjë, është fakti se nga po ky vend tek i cili po lobon Beogradi, vjen ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndonëse, ky i fundit është në largim, ka hije dyshimi mbi këto lobime dhe raporte me shtetit serb.

Shabani: Lobimi i Serbisë për ta vështirësuar ose bllokuar tërësisht rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës vazhdon të jetë i pandashëm

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike e diplomatike, Amir Shabani.

Image
Amir Shabani

Fillimisht, ai tha se lobimi i tillë i Serbisë prish edhe më shumë raportet mes dy vendeve dhe nuk I kontribuon paqes dhe stabilitetit.

“Lobimi i Serbisë në arenën ndërkombëtare për ta vështirësuar ose bllokuar tërësisht rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës vazhdon të jetë i pandashëm nga aktiviteti i Vuçiqit dhe aparaturës së tij shtetërore. Një lobim i tillë i Serbisë ndikon dukshëm në prishjen e raporteve mes dy vendeve fqinje dhe aspak tentim për paqe dhe stabilitet”, theksoi analisti.

Sipas tij, kërkesa e Gjuriqit nuk është edhe shokuese, pasi gjë e ngjashme ndodhi edhe me Stanon.

Madje, potencoi se Lajçak ka shprehur shpesh anshmëri ndaj shtetit serb.

“Kërkesa e Marko Gjuriqit që përfaqësuesi sllovak në OKB të mos i heq masat ndaj Kosovës nuk duket shokuese, pasiqë kjo ndodhi edhe nga Peter Stano i cili po jep deklarata në favor të Serbisë dhe deri tani nuk ka ofruar asnjë mundësi diplomatike në favor të Kosovës.

Sa i përket ndërmjetësuesit Miroslav Lajçak, ai edhe më herët paraqitej duke anuar më shumë kah Serbia dhe tregonte kushte të paarsyeshme për Kosovën. Andaj, fakti që po bëhet lobimi nga shteti prej të cilit vjen Lajçak, nuk është befasuese, sepse ky i fundit nuk ka shfaqur rezultate lehtësimi për çështjen në fjalë”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Preqi: Serbia, në sytë e Evropës, e bënë këtë lobim me mllef dhe urrejtje

Kurse, opinionisti Dedë Preqi tha se Kosova e ka të vështirë rrugën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, pasi pesë shtete vazhdojnë të mos e njohin.

Image
Dedë Preqi

Krahas kësaj, tha se Serbia është e njëjtë, nuk ka ndryshuar aspak politikën e saj ndaj shtetit tonë.

“Kosova e ka rrugën e vështirë të përfaqësohet në organizatat ndërkombëtare derisa nuk do të njihet edhe nga pesë vendet anëtare të Evropës, por në thelb Kosova, përbën një mundësi historike kur do të sigurojë zgjidhjen e problemeve ekzistenciale që ka me Serbinë.

Ndërsa Serbia, është e njëjta ndaj Kosovës, sikur ishte dje, e njëjta është edhe sot nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiqit, për faktin se nuk ka kurrfarë tradite nga paraardhësit e tyre, të krijohet një mjedis të përshtatshëm i marrëveshjeve paqësore me shqiptarët, kur nuk ka ndodhur edhe gjatë gjitha periudhave historike”, theksoi opinionisti.

Krahas lobimeve serbe, Preqi potencoi edhe një fakt shqetësues se si në mesin e ekipeve negociatore ka përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Si rrjedhojë e mossuksesit të dialogut të deritanishëm në mes Serbisë dhe Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të zhvillohet apo të avancohet në formën e plotë, nëse në mesin e ekipeve negociatore kanë qëlluar përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, sikur kohën e fundit që ishin Mirosllav Llajçak dhe Josep Burrel, duke anuar hapur nga pala serbe.

Padyshim se Kosova, gjendet në një situatë të palakueshme, kur edhe sanksionet ndaj saj që janë ekzekutuar pa të drejtë nga BE-ja, akoma i vuan vendi jonë në vazhdim, ndërsa Serbia, kërkon ndihmë nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, që këto masa të mos i hiqen Kosovës”, shpjegoi ai.

Më tej, opinionisti komentoi kërkesën e Gjuriqit për mos largimin e sanksioneve ndaj Kosovës, dhe faktin që zëdhënësi i BE-së deklaron se një gjë e tillë ende nuk është vendosur.

Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, i kërkon ndihmë përfaqësuesit sllovak të OKB, që këto ditë e viziton Beogradin, që mos të hiqen masat ndaj Kosovës, pikërisht kur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se nuk është vendosur akoma kur do të hiqen këto masa.

Lobimi serb, kundër secilës arritje në Kosovë, po ndikon shumë në avansimin e Kosovës, për të arritur epërsinë e saj në organizatat ndërkombëtare, dhe Serbia, në sytë e Evropës, e bënë këtë lobim me mendje tejet të mbushur me mllef dhe urrejtje, sikur kjo është e drejtë dhe e arsyeshme kundër Kosovës, sikur do të ishte viktimë Serbia, por jo edhe Kosova”.

Në fund, opinionisti tentoi të tregohet optimist, duke shpresuar që Jença si dhe diplomatët tjerë të mos bien pre e provokimeve serbe.

“Ndihmës sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara të OKB-së, për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën në Departamentin për çështje politike dhe për Ndërtimin e Paqes, z. Miroslav Jença, si edhe të tjerët, nuk duhet të bien pre e Gjuriqave dhe sekserëve politik të Serbisë, që të ndikojnë dhe të shkrihen në politikat dhe propagandat e Serbisë, kundër arritjeve dhe shtetit të Kosovës.

Dhe do të ishte shqetësuese për një BE, dhe për tërë bashkësinë ndërkombëtare, nëse propagandat ruso-serbe, do të ngadhënjejnë në këto forma antinjerëzore duke iu nënshtruar kritereve të tyre primitive, jo vetëm ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës, por ndaj prosperitetit të të gjitha kombeve që ekzistojnë dhe frymojnë të lirë”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat