Operacioni i Policisë së Kosovës që ‘shkatërroi’ planin djallëzor të Serbisë – çfarë fshihet pas armatimit të konfiskuar në veri?

Politika

Operacioni i Policisë së Kosovës që ‘shkatërroi’ planin djallëzor të Serbisë – çfarë fshihet pas armatimit të konfiskuar në veri?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 qershor 2024 Në ora: 08:02
Armatimi i konfiskuar në veri

Ditë më parë, Policia e Kosovës realizoi një operacion në veri, ku me që rast konfiskoi sasi të medh të armatimit në pjesën veriore të vendit.

Nga armatimi i prezantuar që është gjendur në veri ka armë të gjata të kalibrave të ndryshme, pistoleta, granata dore etj.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur të identifikojnë disa lokacione ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

Lokacioni i parë ishte në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviq, ndërsa lokacioni tjetër është në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri i Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviq.

Në lokacionin e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.

Ndërsa, në lokacionin e dytë janë gjetur një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7×62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.

Në lokacionin e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7×62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7×62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.

Ky operacion u mirëprit mjaft shumë, derisa u cilësua si fakt se veriu po spastrohet nga armatimi serb.

E për këtë temë folën ekspertët, derisa treguan rëndësinë e këtij operacioni dhe ‘goditjen’ që ka marrë Serbia.

Softa: Shqetësim, rreziku i një konflikti të armatosur me baza civile, me grupe paramilitare serbe

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Image
Fatjon Softa.

Si fillim, u shpreh se armët e gjendura në veri, janë sinjal që Serbia po përgatitet për një revoltë të armatosur.

“Armët serbe në veriun e Kosovës, janë tregues i politikave të Serbisë për të armatosur popullatën dhe të përgatis një revoltë të armatosur dhe për të justifikuar ndërhyrjen e saj ushtarake në “mbrojtje” të komunitetit dhe pakicave serbe në territor. Armët, kishat, lista serbe, pagesat me dinar si dhe ndihma financiare, kërkesa për miratimin e Asosacionit të komunave me shumice serbe në Kosovë, janë një plan i mirëmenduar, i djallëzuar dhe i mirëkoordinuar dhe me lobimet në Bashkimin Europian, me synimin e qartë që të aneksojë veriun e Kosovës, si plani i Rusisë me Krimenë dhe më pas të pretendojë të tjera territore në Ballkan”, u shpreh eksperti.

Tutje, ai rikujtoi paralajmërimet e deputetes britanike, Alicia Kearns në lidhje me kontrabandimet e armëve në kishat ortodokse serbe.

“Kujtojmë disa kohë më parë “GeoPost” që ka publikuar një video dhe ka hedhur dyshime se serbët kanë kontrabanduar armë me ambulancë. Sipas saj, armët janë kontrabanduar nga serbi i arrestuar nga Policia e Kosovës, Milun “Lune” Milenkoviq, drejtues i “Mbrojtja Civile”.

Anëtarë të “Civilna Zastista të udhëhequr nga i arrestuari, i njohur si Lune, në Mitrovicën e Veriut, komunikojnë në rrugë me ambulancën, e cila po mbante armë (6 dhjetor 2022), kur u sulmuan zyrat e KQZ në qytet citohej në këtë video.

Kujtojmë deklaratat e deputetes britanike, Alicia Kearns, e cila ka deklaruar se qeveria britanike është informuar nga KFOR-i se në veri të Kosovës kontrabandohen armë që vijnë nga Serbia, dhe sipas saj, ato ruheshin në kishat ortodokse serbe”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, tha se operacioni i fundit tregon sa serioze janë investimet serbe në Kosovë, që njëherësh është sinjal shqetësues.

“Ky operacion i fundit, me një tjetër arsenal të kapur nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me AKI-në. Armatimi i Serbisë, tregues i sasisë së madhe të investimit dhe sa i madh dhe serioz është ky shqetësim që rreziku i një konflikti të armatosur me baza civile, me grupe para militare serbe.

Rritja e autoritetit të shtetit së Kosovës në këtë pjesë të territorit, është një hap pozitiv në goditje të bazave dhe celulave që Serbia ka ndërtuar ndër vite në emër të politikave të mbështetjes së pakicave të saj si në Kosovë dhe vende të tjera”, përmbyll Fatjon Softa për “Bota sot”.

Burjani: Po vazhdon pastrimi i veriut nga armatimi serb

Image
Blerim Burjani

Kurse, Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” vlerësoi spastrimin e veriut nga armatimet serbe.

Ai tha se policia duhet të vazhdojë me angazhimet e saj për çarmatimin e serbëve, pasi dihet se planet e tyre janë kundër Kosovës.

“Po vazhdon pastrimi i veriut nga armatimi serb, përplot armatime po zbulohen, që për shumë vite janë mbledhur apo kanë hyrë në mënyrë ilegale nga Serbia.

Duhet edhe më tutje të vazhdojë policia speciale të angazhohet për çarmatim, atje ka qenë territor i kontrolluar nga Serbia.

Për më shumë, ata janë bërë gati kundër Kosovës, ideja po dihet, rezistenca dhe shkëputja. Por, tash kjo punë është ndalur, tash hapi i radhës së kësaj qeveria do të jetë hapja e urës mbi Ibër, kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Ky mandat i Kurtit përfundon me hapjen e urës për qarkullim”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat