Djegia e flamurit shqiptar nga tifozët e Serbisë - Shqipëria e Ramës duron poshtërimin në këmbim të ruajtjes së “vëllazërisë” me serbët!

Politika

Djegia e flamurit shqiptar nga tifozët e Serbisë - Shqipëria e Ramës duron poshtërimin në këmbim të ruajtjes së “vëllazërisë” me serbët!

Nga: M.L. Më: 17 qershor 2024 Në ora: 22:21
Pamje nga djegia e flamurit

Tifozët e Serbisë kanë djegur flamurin kuqezi të Shqipërisë dhe atë të Anglisë, dje para fillimit të ndeshjes Serbi-Angli për Grupin D në Euro 2024.

Kjo gjë ka shkaktuar kaos në Gjermani, por edhe në opinion e rrjete sociale, ku është kërkuar nga kompetentët që të ndëshkohet Serbia për këtë akt të shëmtuar.

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se djegia e Flamurit të Shqipërisë më tepër i ka prekur dhe irrituar shqiptarët e Kosovës sesa ata të Shqipërisë.

“Djegia e Flamurit të Shqipërisë, nga serbët, siç shihet edhe në reagimet që pasuan pas këtij akti të hapur antishqiptar, që ndodhi mbrëmjen e 16 qershorit, në Gelsenkirchen të Gjermanisë, më tepër i ka prekur dhe irrituar shqiptarët e Kosovës sesa ata të Shqipërisë, e këtu nuk bëhet më fjalë, vetëm për politikën (pro serbe) të elitës social-komuniste të udhëhequr nga Edi Rama, por edhe për qytetarët, shikuesit shqiptar dhe pjesën më të madhe të audiencës shqipfolëse në Shqipëri.

Dhe sado e habitshme të tingëllojë, përkundër faktit se Federata e Futbollit të Serbisë ka kërkuar nga shërbimi mediatik i Bashkimit Evropian të Futbollit (UEFA) dënimin me heqjen e akreditimit të gazetarit nga Kosova Arlind Sadiku, vetëm pse ai i provokuar nga serbët, bëri shqiponjën dykrenore me duar, elita politike dhe grupe të fuqishme mediatike, të ndikuara nga Edi Rama, djegien e flamurit të Shqipërisë dhe çdo rast tjetër që ka të bëj me kombëtaren dhe çështjen e shqiptarëve, e shohin me ftohtësinë kozmopolitike të indeferencës  injorante, që realisht as që mund te akceptohet nga shqiptarët e jashtë-kufijve të Shqipërisë londineze”, ka theksuar Qarri.

Image
Analisti Gani Qarri

Nga ana tjetër, ai e konsideron fat faktin që përkundër diferencimit kombëtar që Edi Rama e ka futur kaq thellë, ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të trojeve tjera etnike shqiptare, armiqtë tanë, pa dallim vendit, ku jetojmë, vazhdojnë të na quajnë dhe konsiderojnë ende, të gjithëve shqiptar!

“Madje, çdo akti antishqiptar të serbëve dhe Serbisë shoviniste, mediat e Edi Ramës, përpiqen ti japin konotacion "kosovar" kinse e gjitha, është "prodhim" industrial i armiqësisë së shqiptarëve të Kosovës me “Serbinë”, gjë që, duke pasur parasysh gjendjen e thelluar të armiqësisë ndër-shqiptare, nga influencimet publike dhe politika pro-serbe e Edi Ramës, ndoshta është fat, që përkundër diferencimit kombëtar që Edi Rama ka futur kaq thellë, ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të trojeve tjera etnike shqiptare, të ngelura pa dëshirën e tyre, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, të paktën, armiqtë tanë, pa dallim vendit, ku jetojmë, vazhdojnë të na quajnë dhe konsiderojnë ende, të gjithëve shqiptar!

Dhe për rrjedhojë, derisa pamjet ku tifozët ultranacionalist serb, shihen duke djegur flamurin e Shqipërisë, që për të gjithë shqiptarët, pa dallim, është edhe flamur kombëtar dhe në Kosovë e trojet tjera etnike shqiptare jashtë shtetit amë, trajtohet si fyerje shumë e rëndë dhe perceptohet si akt i "pafalshëm", çuditërisht në Shqipëri merret me lehtësi të pakuptueshme kozmoploitike, sikur të bëhet fjalë për simbol të uigurëve nën "mbretërinë" kineze, apo të ndonjë ish shteti, të Perandorisë pos-sovjetike”, u shpreh ai.

E gjithë kjo, sipas Qarrit vërtetohet edhe me faktin se- Jo Federata Shqiptare, por vetëm Federata e Futbollit të Kosovës, ishte ajo që një ditë pas këtij akti shovinist serb, pra më 17 qershor, ka dërguar një reagim zyrtar në UEFA “për shfaqjet e pa penguara të flamujve, sloganeve dhe thirrjeve antishqiptare të tifozëve serbë në një event madhështor si Euro 2024, duke kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, shkaku i rasteve recidiviste me mesazhe të përsëritura politike, shoviniste dhe raciste të palejueshme edhe kundër Kosovës!.

“Kurse Shqipërinë politike dhe Federatën e Futbollit të Edvin Kristaq Ramës, e cila duket sheshazi, që dëshiron të mos prish për asnjë kusht paktin e "vëllazërimit" me atë të Serbisë, për organizimin e përbashkët të Kampionatit Evropian të U-21 “Euro 2027, nuk e pengon fare djegia e flamurit të shtetit të tyre, shfaqja e banderolave antishqiptare, as pamjet ku shihen tifozët serb duke djegur flamurin e Shqipërisë etj, edhe pse  evente të tilla evropiane lejohen të keqpërdoren për shfaqjen publike të e urrejteve të grumbulluara antishqiptare, nga grupet ultranacionaliste serbe, të cilat përbëjnë shkelje të rëndë edhe të vet rregullave të UEFA-së, se lëre më thirrjet kundër shtetit të Kosovës, që në fakt kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë rajonin, ku as Shqipëria nuk do ngelej e paprekur!”, u shpreh ai.

Në fund Qarri shqetësohet që përkundër të gjitha veprimeve të Serbisë, Shqipëria e Edi Ramës nën kushtin e poshtërimit, përmes djegies së flamurit kombëtar, dëshiron ta ruaj patjetër, "vëllazërinë" me serbët me të cilët ka aplikuar për organizimin e përbashkët të Kampionatit Evropian të U-21 “Euro 2027”.

“Prandaj,  përkundër faktit se kjo është edhe një dëshmi shtesë për urrejtjen e thellë që serbët kanë për shqiptarët, pamjet publike, ku shihen tifozët serbë duke e djegur flamurin e Shqipërisë, jo vetëm që nuk e pengojnë as trajtohen, siç do ti trajtonte çdo shtet normal në rajon, Evropë e më gjerë, me reagim serioz, këto akte të rënda antishqiptare, por Shqipëria e Edi Ramës, në mënyrë që në kundërshtim me dëshirën dhe vullnetin e të gjithë shqiptarëve, të cilët jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, edhe nën kushtin e poshtërimit, përmes djegies së flamurit kombëtar, dëshiron ta ruaj patjetër, "vëllazërinë" me serbët, dhe qoi përpara aplikimin për organizimin e përbashkët të Kampionatit Evropian të U-21 “Euro 2027”, vetëm me Serbinë dhe asnjë shtet tjetër, ku mund të jetojnë edhe shqiptarët”, përfundoi analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat