Një President përbashkues si Bajram Begaj dhe një Kryeministër përçarës si Edi Rama, dallimi i thellë në vizionet për Kosovën

Politika

Një President përbashkues si Bajram Begaj dhe një Kryeministër përçarës si Edi Rama, dallimi i thellë në vizionet për Kosovën

Nga: M.L. Më: 16 qershor 2024 Në ora: 21:53
Foto ilustrim, Presidenti Begaj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Javën që lamë pas, Kosova shënoi 25 vjetorin e çlirimit. Për ta shënuar këtë ditë, në vendin tonë erdhën personalitete të ndryshme dhe aleatë që i dolën vendit në ndihmë atëherë kur më së shumti kishte nevojë.

Morën pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj. Derisa prania e Ramës u shoqërua me kundërshtime të mëdha, Presidneti Begaj u mirëprit dhe fjalimi i tij para deputetëve të Kuvendit u vlerësua shumë në opinion.

Në lidhje me këto dallime për gazetën “Bota sot” foli doktori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare prof. Enver Bytyçi.

Image
Prof.Dr. Enver Bytyçi

Ai madje paraqitjen e Begajt e konsideroi si një rezonancë ndryshe.

Ai shprehet se z. Begaj me sjelljen dhe veprimet e tij luajti rol pozitiv për për-bashkimin e politikës së Kosovës me politikën shqiptare

"Edi Rama dhe Bajram Begaj janë dy liderët kryesorë të Shqipërisë. E njëkohësisht dy tipe te ndryshme. Kanë gjithashtu përgatitje të ndryshme. Por vlera e të qenit i vërtetë edhe në këtë rast funksionon me gjithë dimensionin e vet. Presidenti Begaj ishte në festimet e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Vetëm dy ditë pasi kryeministri Rama shkoi në Prishtinë për çoka, por jo për të krijuar harmoni midis Kosovës dhe Shqipërisë. Zoti Begaj me sjelljen dhe veprimet e tij luajti rol pozitiv për për bashkimin e politikës kosovare me politikën shqiptare. Ndërkohë që zoti Rama hodhi gurë përçarjeje edhe në ditë feste. Presidenti Begaj mori pjesë në paradën e ushtrisë së Kosovës dhe tha fjalë, të cilat kanë si kuptimësi bashkimin, unifikimin, atë që ai e quajti “simbiozë”! Takoi jo vetëm presidenten Osmani, me të cilën ka marrëdhënie të shkëlqyera, por edhe kryeministrin Kurti”, u shpreh ai.

Më tej, profesori foli për një diferencë diferencë qëndrimesh të presidentit Begaj krahasuar me ato të kryeministrit Rama sa I përket Kosovës.

“Me kryeministrin Kurti mbajti një takim vetëm për vetëm. Ne nuk e dimë se çfarë është folur aty. Por jam i sigurt në racionalitetin e të dyve si karaktere dhe si liderë të përgjegjshëm për fatin e Kosovës e të Shqipërisë. Prej kohësh kam vënë re një diferencë qëndrimesh të presidentit Begaj krahasuar me ato të kryeministrit Rama sa I përket Kosovës. Begaj është treguar gjithnjë shumë i kujdesshëm në artikulimin e diskursit për Kosovën dhe marrëdhëniet midis dy vendeve, ka fajësuar gjithmonë Serbinë për sjelljet e saj destruktive, nuk ka bërë asnjë kritikë publike për institucionet e Kosovës. Dhe të martën e kaluar ai u prit me ngrohtësi edhe nga qytetarët e Prishtinës”, theksoi Bytyçi.

Nga ana tjetër, ai thotë se ndryshe, ka ndodhur e vazhdon të ndodh me kryeministrin e Shqipërisë.

“Kritikat e tij deri në cinizëm kundër autoriteteve të Kosovës, dikur kundër Ramush Haradinajt e sot kundër Albin Kurtit, kanë kaluar çdo cak etike diplomatike e njerëzore. Zëri autoritar dhe urdhërues i tij për të diktuar sjelljen e autoriteteve të Prishtinës është vërtetë shqetësues dhe tipik për udhëheqës autoritarë e diktatorë. Dhe ndaj kujt? Ndaj Kosovës, ndërkohë që ky ton e kjo sjellje nuk është parë për asnjë moment në dekadën e qeverisjes së tij në raportet me Serbinë, institucionet e saj e aq më pak në raportet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq”, theksoi ai.

Sipas profesorit, Presidenti Begaj asnjëherë nuk ra në kurthin e promovimit të koncepteve dhe orientimeve pro-serbe që ka kryeministri Rama.

“Kur Bajram Begaj erdhi në presidencë u duk se do të ishte një zgjatim I kryeministrit Rama në këtë institucion. Por së paku në raportet me Kosovën rezultoi krejt ndryshe. Ai asnjëherë nuk ra në kurthin e promovimit të koncepteve dhe orientimeve pro-serbe që ka kryeministri Rama. Asnjëherë nuk cenoi autoritetin e tij për të lënduar as edhe një politikan të vetëm të Kosovës. Mbajti qëndrime të ekuilibruara dhe harmonizoi politikat e bashkëpunimit midis të dy vendeve. Aq sa duket se po shërben si katalizator i riparimit të urës në rrënim e sipër e që lidh marrëdhëniet e natyrshme Kosovë-Shqipëri”, shton ai.

Në fund, profesori krahasoi sjelljet e Begajt dhe Ramës, duke thënë se i pari është i sinqertë në dhe i vërtetë në çdo fjalë që thotë e në çdo veprim që ai bën, ndërsa i dyti asnjëherë nuk ka qenë i vërtetë kur është përpjekur të gjejë ndonjë vlerësim për Kosovën apo ndonjë autoritet të saj.

“Lexuesi duhet të më kuptojë drejt. Në këtë koment nuk kam aspak për qëllim që të nxis ndonjë konflikt institucional midis presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë. Përkundrazi, është në interesin tonë kombëtar që të dy këto institucione ekzekutive e kushtetuese të ruajnë marrëdhënien e tyre institucionale, edhe në kushtet e një rezonance diferencuese në sjelljet ndaj Kosovës. Por dua të vë në dukje diferencën midis tyre sa i përket karaktereve, të qenit i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë dhe sensibilitetit që ata ndjejnë ndaj gjysmës tonë, ndoshta më të mirë, Kosovës. Zoti Begaj duket të jetë i sinqertë dhe i vërtetë në çdo fjalë që thotë e në çdo veprim që ai bën, në çdo takim dhe në çdo sjellje të tij ndaj Kosovës dhe autoriteteve të saj.

Ndërsa zoti Rama asnjëherë nuk ka qenë i vërtetë kur është përpjekur të gjejë ndonjë vlerësim për Kosovën apo ndonjë autoritet të saj. Përkundrazi, edhe për Rugovën në fjalën e tij nuk ishte i vërtetë, nuk ishte i sinqertë. Thjesht shkoi që të manipulojë më emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, por jo edhe ta nderojë atë. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërkohë Bajram Begaj nuk spekullon, nuk e keqpërdor emrin e emblemave të Kosovës dhe as pozicionin e tij për t’iu imponuar presidentes apo kryeministrit aktual. Kjo diferencë është jo vetëm konceptuale, por edhe karakteriale. Si e tillë ka lidhje edhe me implikimin në afera të caktuara të kryeministrit. Ndërsa presidenti Begaj duket qartë se nuk është peng i asnjë afere në marrëdhëniet e tij me Kosovën!”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat