Çfarë po ndodh me shqiptarët e arrestuar në Serbi? Vjen thirrja për qeverinë dhe ndërkombëtarët – ky është mesazhi për mërgimtarët

Politika

Çfarë po ndodh me shqiptarët e arrestuar në Serbi? Vjen thirrja për qeverinë dhe ndërkombëtarët – ky është mesazhi për mërgimtarët

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 qershor 2024 Në ora: 16:03
Pranga duarsh në një ambient burgu.

Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Të gjithë këta persona, janë arrestuar nga autoritetet serbe gjatë kohës sa ata po shfrytëzonin rrugët e shtetit serb si tranzit për të ardhur në Kosovë.

Serbia po i akuzon ata për kryerje të krimeve gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndaj këtyre arrestimeve, ka pasur reagime edhe nga institucione e Kosovës, ku këto arrestime të tilla në Serbi, i kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta. Ato kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Megjithatë, deri më tani nuk ka ndonjë zhvillim pozitiv në lidhje me këtë çështje.

Vlen të theksohet fakti se shumë shqiptarë të diasporës ende po shfrytëzojnë Serbinë si ‘rrugë të duhur’ për të ardhur në Kosovë.

Për këtë gjë, po kërkohet të bëhet një fushatë vetëdijësuese për bashkëatdhetarët që tash verës kur të vijnë në Kosovë të mos kalojnë nëpër Serbi, por të shfrytëzojnë tranzite të tjera kufitare.

Hoxha: Kush ka mundësi, duhet të shmang udhëtimin përmes Serbisë

Ish-ushtaraku Hafri Hoxha tha se kjo është një çështje juridike, me të cilën qeveria jonë dhe ndërkombëtarët merren me raste të tilla.

Image
Ish-ushtaraku Hafri Hoxha

Sipas tij, do duhej të shmangej udhëtimi përmes shtetit serb, ku tha se MPJD duhet të dal me udhëzime për këtë gjë.

“Është çështje juridike ku qeveria me BE-në dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të merren me këto raste, dhe logjike që kush ka mundësi, duhet të shmang udhëtimin përmes Serbisë.

Këtë apel dhe udhëzime të tjera duhet t’i bëjë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, theksoi Hafir Hoxha.

Duhanaj: Nuk arrij të kuptoj pse njerëzit rrezikojnë duke marrë rrugë nëpër Serbi

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj për “Bota sot” potencoi se është realitet i hidhur kjo që po ndodh me shqiptarët në burgjet e Serbisë.

Ai vlerësoi se qeveria e Kosovës dhe shoqatat civile nuk po bëjnë sa duhet për këtë çështje.

Image
Leon Duhanaj

“Është vërtetë e dhimbshme, por edhe realitet i hidhur, se qytetarët e Kosovës mbeten në burgje serbe pa patur as me të voglin kujdes institucional.

Qeveria e Kosovës, ka gatishmëri për çdo lapalje (temë koti) të bëj temë bisedimesh në Bruksel, por nuk i bie ndërmend për qytetarët e robëruar në burgjet serbe.

Natyrisht që duhet të ngrihet zëri, dhe nëse këtë nuk e bën qeveria, atëherë do të duhet inicuar presion nga shoqëria civile.

Kjo nuk ndodh as nga njëra, as tjetra palë, pasi që fokusi i tyre, ose është tek pushtet mbajtja, ose tek ngarendja pas projekteve fitimprurëse”, theksoi analisti.

Duhanaj, i cili edhe jeton në mërgat tregoi për gazetën tonë se, ai nuk udhëton asnjëherë përmes Serbisë, gjithmonë e shfrytëzon rrugën e Kroacisë për të ardhur në Kosovë.

Për këtë, ai befasohet me shqiptarët që marrin rrugën nëpër Serbi.

“Përderisa në anën tjetër, unë personalisht si një mërgimtar me dosje dhe në kërkim në Serbi, nuk ia lejoj vetës të marrë rrugë nëpër një shtet shovinist, në të cilin mund të prangosem dhe të mbetem i burgosur pa shpresë e pa përkujdesje.

Unë tash vite me radhë shfrytëzoj rrugën e Kroacisë e cila është pak me e gjatë, por me e sigurt, prandaj vërtetë nuk arrij të kuptoj pse njerëzit rrezikojnë duke marrë rrugë nëpër Serbi”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Kosova nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim

Ndërsa, analisti tjetër, Faton Mehmeti vlerësoi se Kosova nuk ka bërë sa duhet për këtë çështje.

Image
Faton Mehmeti

“Fatkeqësisht, Kosova nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim, Ministria e Jashtme nuk ka bërë presion tek bashkësia evropiane sa duhet. Në anën tjetër, Serbia i mban si rob lufte, pa asnjë të drejtë të tyre, të keqtrajtuar e të rrahur”, tha ai për “Bota sot”.

Ndër të tjera, tha se Kosova duhet ta kushtëzojë vazhdimësinë e dialogut me Serbinë, me lirimin e shqiptarëve të arrestuar si hakmarrje nga shteti serb.

“Kosova duhet të kushtëzojë pjesëmarrjen në bisedime deri në lirimin e tyre, ndryshe vështirë që Serbia t'i lirojë. Qëllimi kryesor i Serbisë është frikësimi i shqiptarëve si hakmarrje për dështimët e saj në tavolinën e bisedimeve përballë Kosovës. Por, qeveria duhet kushtëzojë bisedimet, të thërras mbledhje në OKB për këtë rast”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat