Thirrja urgjente nga BE/ Analistët të ashpër me Serbinë, ja pse kritikojnë edhe ndërkombëtarët!

Politika

Thirrja urgjente nga BE/ Analistët të ashpër me Serbinë, ja pse kritikojnë edhe ndërkombëtarët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 qershor 2024 Në ora: 12:01
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Dialogu Kosovë – Serbi më shumë se një dekadë është duke vazhduar, mirëpo pa një marrëveshje finale.

Ndërkombëtarët kërkojnë me këmbëngulje dakordim nga të dy palët për një marrëveshje, mirëpo Serbia po vazhdon të mos jetë pro një gjëje të tillë.

E ditë më parë, u bënë një vit që nga marrëveshja e targave, për të cilën reagoi edhe BE.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar me rastin e ndalimit njëvjeçar të importit të mallrave serbe në Kosovë se të dyja palët duhet të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Stano përsëriti se qëndrimi i BE-së është që të dyja palët, çfarëdo që të bëjnë, duhet t’i përmbahen marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

“Duhet të parandalojnë ose të përmbahen nga hapat që nuk janë të koordinuar, të njëanshëm dhe në çdo gjë që bëjnë duhet të fokusohen në zbatimin e marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Kujtojmë që, vendimi i Qeverisë së Kosovës erdhi pas rrëmbimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga policia serbe, në pjesën veriore të Kosovës.

Ahmeti: BE është fajtori kryesor për dështimin e marrëveshjeve të arritura

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai e lë fajtore BE për dështimin e marrëveshjeve të arritura.

Sipas tij, Serbia ka vepruar kokë në vete dhe ka injoruar marrëveshjet e arritura.

“Mendoj se BE është fajtori kryesor për dështimin e marrëveshjeve të arritura, pasi ka vepruar me standarde të dyfishta. Serbia, ka vepruar me logjikën e të fortit, duke vepruar njëanshëm dhe duke injoruar marrëveshjet e arritura. Kosova ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të impelmentuar marrëveshjet dhe prapë është sanksionuar”, u shpreh ai.

Më tej, analisti theksoi që retorika e BE-së është jo në proporcion me veprimet e saj.

“Retorika e BE-së është jo në proporcion me veprimet e saj, pasi nuk ka vepruar në mënyrë objektive në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, BE-ja nuk ka kredibiletet të përdorë këtë logjikë të komunikimit, pasi veprimet e saj kanë qenë të njëanshme në vazhdimësi”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Burjani: Stano është i qartë, duhet t’i përmbahen strikt marrëveshjeve

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nuk ka gatishmëri për të vijuar politikën e BE-së, SHBA dhe shtetet e QUINT-t.

“Stano është i qartë duhet të i përmbahen strikt marrëveshjeve. Nuk ka gatishmëri nga Kosova për t’u angazhuar në vijën politike të BE, SHBA dhe me shtetet e QUINT-it, tash e sa vjet të gjitha mekanizmat e përmendur po merren me dy shtetet që cilësohen problematike”, foli ai.

Në bisedë e sipër, juristi potencoi punën e drejtë dhe të përgjegjeshmë që ka bërë Kurti në veri të vendit.

“Kurti pa e riformuluar politikën ndaj veriut nuk kishte arritë këtu ku është, puna e Kurtit pak me polici speciale pak me politik për të kthyer veriun në Kosovë ka ndodh. Atje ka pas edhe formacione paraushtarake edhe kriminele, edhe gjithçka tash është reduktuar shumë, për shkak se janë mbledhur armatime nga policia e Kosovës”, tha ai.

Në fund, juristi shtoi që themelimi i Asociacionit ka dështuar, por edhe Marrëveshja e Ohrit.

“Gjendja e sigurisë në mes dy shteteve nuk është e sigurtë, tensionet mund të shtohen në mes dy vendeve por gjendja e sigurisë nuk do të eskaloj, Kurti prishi qëllimin që përmes Asociacionit që i kërkohej atij të zgjidhje e tërë situata. Themelimi i Asociacionit ka dështuar por edhe Marrëveshja e Ohrit, tash Stano kërkon vetëm moseskalim dhe respektim të marrëveshjeve”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat