Deklarata e Hazirit dhe “joshja” e tij ndaj Presidentes, a do të rikthehet Vjosa Osmani në LDK?

Politika

Deklarata e Hazirit dhe “joshja” e tij ndaj Presidentes, a do të rikthehet Vjosa Osmani në LDK?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 qershor 2024 Në ora: 08:03
Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani

 

Ka qenë aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pastaj nënkryetare e kësaj partie dhe tri herë deputete e LDK-së, Vjosa Osmani në qershor të vitit 2020 u shkarkua nga kryesia e LDK-së për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në dhe kundërshtimit të krijimit të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Osmani e cila aktualisht po mban postin e presidentes së vendit, post këtë që e arriti më 4 prill të vitit 2021, tashmë është duke u lavdëruar nga ish- bashkëpartiakët e saj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri i ka dal në krahë presidentes Vjosa Osmanit, sa i përket punës së kryer për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai thotë se Osmani e ka bërë rol të saj anëtarësimin dhe është angazhuar.

“Për dashuri, do të thosha se presidentja e ka pasur këtë raport më personal, këtë angazhim, dhe u pa që e ka shtyrë në politikën e jashtme goxha shumë si rol të saj”, u shpreh Haziri

“Presidentja është ajo që e ka shtyrë më shumë, dhe diplomacia parlamentare ka funksionuar e vetmja, delegacioni mbipartiak ose shumë partiak i Kuvendit të Kosovës e ka bë punën e vet, sepse ka punuar në mënyrë aktive për aplikimin e anëtarësimit tonë atje”

Fjalë të mira nuk kishte për pushtetin e ekzekutivit.

Sa i përket kontributit të Qeverisë së Kosovës, dhe kryeministrit Albin Kurti, Haziri thotë se ata vetëm kanë prishur punë.

“Mundem me thanë se vetëm kanë prishur punë. Ata kanë pasur rolin kritik në Këshillin e Ministrave, ku vendosin qeveritë. Nëse ish dashtë që diku me pas kryeministri rol kritik, e ka pasur aty”, tha nënkryetari.

Analistët ndajnë mendime të ndryshme sa i përket kësaj deklarate të Hazirit, ku njëri thotë se ajo duhet të rikthehet në LDK, e tjetri mendon që kjo parti ka është shndërruar në strofull të refugjatëve më kontrovers politikë dhe përmes deklaratave pro Osmanit duan ta rregullojnë atë si parti.

Burjani: Vjosa natyrshëm i takon këtij subjekti me mendje dhe me profesion

Image
Blerim Burjani

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se LDK mbetet shtëpia e Vjosa Osmanit.

Sipas tij, ajo i ka dy rrugë politike, ose t’i kthehet LDK-së, ose të mbetet jashtë politikës.

“Vjosa natyrshëm i takon këtij subjekti me mendje dhe me profesion për t’i shërbyer kauzës së vjetër së saj. LDK mbetet shtëpia e saj ku ka filluar gjithçka në aspektin e angazhimit politik. Vjosa ka dy rrugë të mbetet në politikë dhe të kthehet në shtëpinë ku i takon ose të mbetet jashtë politikës pas përfundimit të mandatit të presidentes. Ka zëra në LDK se ajo mund të kthehet, një pjesë hesht s’ka asnjë qëndrim, po flas këtu për kryesinë e kësaj partie dhe në pjesë që nuk e do kthimin e saj, tani edhe Vjosa ka interesin e saj, nëse dëshiron që edhe më vonë sipas rastit politik të marrë një post të tillë prape”, shprehet Burjani.

Tutje, ai e ri-mendon edhe oposionin që Vjosa Osmani, të inkuadrohet në Lëvizjen Vetëvendosje, kjo sipas Burjanit, sepse Lista “Guxo” nuk është serioze.

“Sidoqoftë, Vjosa duhet të mendojë ose LDK-në ose VV-në, tjetër rrugë nuk ka ka, kjo pasi partia “Guxo” nuk është serioze dhe nuk ka kurgjo në atë subjekt, as nuk duhet të presë më. “Guxo” nuk ka ide, nuk mund të përçajë LDK-në dhe ta kthejë në Listën “Guxo”, nëse është kështu pra duhet kthim i plotë edhe i kësaj liste në LDK pa zhurmë. Presidentja duhet të zgjedhë ose LDK ose VV, partia “Guxo” është subjekt i dështuar dhe i bërë për qëllime ad-hoc politike, por jo për qëllime afatgjate. LVV nuk i intereson kjo parti, Vjosa nëse do karrierën më tutje politike duhet të mendoj seriozisht çka më tutje, ose duhet t’i kthehet profesionit të saj të mësimdhënëses, pra ajo e di këtë, por sesi do të zgjedh rrugën e saj politike duhet ta mendojë vetë, duhet të jetë e qartë me veten se çfarë kërkon në politikë, nëse e do LVV ajo do të ketë minimumin e pozitës së nënkryetares, kuptohet pasi ta përfundojë mandatin e presidentes. Zgjedhja është e saj!”, shton Burjani.

Vjosa Osmani e cila ka edhe partinë e saj Listën “Guxo”, kishte arritur të fitojë gjashtë ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit dhe nga kjo listë tashmë janë ministra: Donika Gërvalla dhe Faton Peci.

Qarri: Lutfi Hazirit, ka parë dëmin e madh, që i është shkaktuar LDK-së

Image
Gani Qarri

Analisti politik Gani Qarri, thotë se Lutfi Haziri ka parë dëmin e madh që i është shkaktuar LDK-së, ndaj edhe bënë sikur ka filluar t’i pëlqejë, të rikthehet presidentja e vendit për shpëtimin e LDK-së.

“Në fakt, sa i takon personalitetit të presidentes, zonjës Dr. Vjosa Osmani, nënkryetari i LDK-s, Lutfi Haziri i cili edhe vet ka ngelur vetëm si relikt i parëndësishëm i strukturave të vjetra të LDK-s, në këtë parti, në një intervistë të dhënë për media, vetëm pak muaj më parë, deklaronte se me largimin nga LDK dhe formimin e partisë së saj, presidentja Vjosa Osmani, nuk ka më vend në partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova?! Ndërsa tani, duke qenë se Lumir Abdixhiku, pikërisht partinë e themeluar nga Dr. Ibrashim Rugova, kohëve të fundit e ktheu, me apo pa dëshirën e Lutfi Hazirit dhe të hazirëve tjerë, në sallon të shpëlarjes kozmetike të politikës anti-rugoviste të Edi Ramës, Lutfi Hazirit, ka parë dëmin e madh, që i është shkaktuar LDK-së, ndaj dhe bënë sikur tani, ka filluar ti pëlqej, të rikthehet presidentja e vendit, për shpëtimin e pjesës së mbetur nga LDK dhe demokratët e vërtetë të Dr. Rugovës. Realisht është e vetëkuptueshme, se sa e rëndë është, për një politikan të vjetër si Lutfi Haziri, ta shoh se si po shkapërderdhet para syve, partia më e madhe shtetformuese, në një segment të parëndësishëm, ku secili amator konfuz politik, mund të futet dhe ngjitet në postet kryesore të kësaj partie, madje ta keqpërdorë LDK-në, për të bërë emër dhe zhvilluar karrierën vetanake duke e kthyer në fund edhe në lavazh për larjen e mëkateve të figurave të dyshimta politike, që deri dje, deklaroheshin për ndarjen e Kosovës dhe gjatë gjithë karrierës së tyre, kanë qenë kundërshtar të hapur të LDK-së dhe të Dr. Ibrahim Rugovës”, pohon Qarri.

Tutje, Qarri thotë se LDK është shndërruar në strofull të refugjatëve më kontrovers politikë dhe kjo është parë me ftesën e kundërshtarit të hapur të tyre dhe të Dr. Ibrahim Rugovës, Edi Ramën.

Për aq më tepër, LDK kohët e fundit, përveçse është shndërruar në strofull të refugjatëve më kontravers politik, të ardhur nga profesione dhe parti tjera, tanimë edhe të shuara politike, çuditërisht po ata sot mbajnë edhe pozicionet kryesore në parti, fjalori i të cilëve, popullit të Kosovës ua kujton vitet e shekullit të kaluar dhe filozofin politike të strukturave të Millosheviqit, kur çdo diskutim orientohej kundër shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës. Mjafton ta kujtojmë vetëm hapin e fundit aq diskutabil, me të cilin udhëheqësit kontrovers, pothuajse e rrënuan tërësisht LDK, duke armiqësuar edhe votuesit më besnik të LDK-së, me strukturat politike të kësaj partie, të cilët jo vetëm pa pëlqimin, por ndoshta edhe pa e pyetur fare Lutfi Hazirin, ftuan politikanin më kontrovers shqiptar, kundërshtarin e hapur të LDK-së, dhe të Dr. Ibrahim Rugovës, si dhe të vet shtetit tonë, Edvin Kristaq Ramën, jo vetëm në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, i cili vet ai, kërkonte ndarjen e saj, por pikërisht atë e kishin caktuar edhe si “ekspert” special, për diskutimin me “kompetencë profesionale”, pikërisht në simpoziumin shkencor kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës”, thekson analisti.

Tutje, sipas tij, joshja e Hazirit ndaj Vjosa Osmanit nuk do ta ndihmojë LDK-në.

“Andaj duke parë se në çfarë pozicioni fragjil, e sollën LDK-në, politikanët refugjatë, vetëm pak kohë, para shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, ku pas kooketimit të Lumir Abdixhikut me Edi Ramën, pa dëshirën e votuesve dhe dashamirëve besnik të LDK-së, votimi ndaj kësaj partie, dikur më të madhes në vend, pritet të bie edhe më poshtë, dhe ky akt i Lumirit, do të rezultojë si gabim i më tragjik, pas të cilit edhe nëse nënkryetari i LDK-s, Lutfi Haziri, tani ka dalë në krahë të presidentes Dr. Vjosa Osmani dhe përpiqet që ta josh, atë, që, të rikthehet sërish në LDK, me arsyetimin e gjetur, se ajo paska punuar për anëtarësimin në KiE, por Kurti ka prishur punë, kjo vështirë se mund ti ndihmojë më gjë, Lutës as LDK-së me njerëz të tillë në krye. Sepse sado besnik të kenë qenë deri më tani votuesit ndaj LDK-së, një partie me udhëheqës kaq aventurier e kontrovers, e ka vështirë më kush, t`ua besojë votën, njerëzve si Gazmend Muhaxhiri, Lumir Abdixhiku etj, të cilët tani kanë filluar ta denigrojnë publikisht edhe personalitetin e Dr. Ibrahim Rugovës, madje siç dëshmoi me fakte gazetari nga Shqipëria Shkëlqim Peka, Lumir Abdixhiku vetëm për një intervistë në një portal, ka hequr tërësisht nga zyra, fotografin e Dr. Ibrahim Rugovës, në mënyrë që të duket se- ai dhe jo Rugova, është udhëheqësi “suprem” dhe i "pa diskutueshëm" i LDK-së, akte të cilat, jam i bindur se e kanë mbushur kupën dhe nuk do t`ia falin më votuesit e vëmendshëm të Kosovës!”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat