“Edi Rama kryetradhtar me damkë i krejt kombit shqiptar, por nuk ka guxim t’ia thotë Kurtit disa fjalë”

Politika

“Edi Rama kryetradhtar me damkë i krejt kombit shqiptar, por nuk ka guxim t’ia thotë Kurtit disa fjalë”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 15 qershor 2024 Në ora: 16:00
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga tryeza ndërkombëtare për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka këshilluar homologun e tij, Albin Kurtin, “për të dalë nga kurthi i lojës macja me miun” me Serbinë.

“Sot, ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar dhe në këndvështrimin tim, – meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, – nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë ‘macja me miun’ në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Evropian duke thënë “ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi më çfarë flasim, ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Evropian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të Bashkimit Evropian dhe për t’u afruar me ju”, ka theksuar Rama.

Kohët e fundit, vazhdimisht është parë një raport jo fortë i mirë ndërmjetë dy homologëve shqiptarë, Albin Kurtit dhe Edi Ramës.

Mirëpo se cili është fajtori në këtë mes, e kush duhet të bëj hapin e parë për tu afruar tek tjetri, këtë e kanë komentuar njohësit e politikës.

Kështu, Prof.Dr. Eshref Ymeri në një prononcim për ‘Bota sot’, theksoi se ‘Rama është kryetradhtar me damkë, jo vetëm i Shqipërisë me 28 mijë kilometra katrore, por edhe i krejt kombit shqiptar’.

Prof.dr. Ymeri: Kryefajtori është Rama, si turpi dhe faqja e zezë e kombit shqiptar

“Unë e kam theksuar që Rama është kryetradhtar me damkë, jo vetëm i Shqipërisë me 28 mijë kilometra katrore, por edhe i krejt kombit shqiptar. Prandaj çdo “këshillë” e atij kryetradhtari dhe kryeagjenti të Beogradit, është helm dhe thikë pas shpine për Republikën e Dardanisë. Pra, kryefajtori është Rama, si turpi dhe faqja e zezë e kombit shqiptar. Siç e kam theksuar edhe publikisht në internet, nuk jam në gjendje ta shpjegoj se pse Albin Kurti nuk i drejtohet popullit me organizimin e një Referendumi, për të marrë pëlqimin e tij për dy pyetje: E para: a duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë, përderisa kjo e quan Dardaninë pjesë të territorit të saj, të sanksionuar në kushtetutë? E dyta: ç’mendon populli dardan për krijimin e bashkësisë së komunave serbe (faktikisht të shtetit serb) në territorin e Dardanisë? Jam i bindur që populli ka për të dhënë përgjigje negative për këto dy pyetje”, thekson ai.

Image
Prof.Dr. Eshref Ymeri

Tutje, profesor Ymeri thotë se ‘përgjigjja e popullit është mburoja më e fuqishme në mbrojtje të Dardanisë nga Brukselizmi i “kurvës së motit” dhe nga Uashingtoni sorosist’.

“Në qoftë se treshja Osmani-Kurti-Konjufca nuk do të vjelë mendimin e popullit përmes Referendumit, perspektiva e Republikës së Dardanisë, sipas dyshimeve të mia, do të jetë e zymtë. Ja se pse. Nëse pas zgjedhjeve që Macroni ka shpallur në Francë, do të vijë në pushtet Le Pen-i, kjo, siç dihet, është mikeshë e ngushtë e kryekriminelit Putin dhe para ca vitesh ka pasë deklaruar se po erdhi në krye të Francës, do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër, nëse në Uashington, pas zgjedhjeve të nëntorit, do të rikthehet në pushtet Trumpi, punët e Republikës së Dardanisë do të shkojnë zi e më zi, sepse, siç jeni në dijeni, Trumpi është deklaruar mik i Serbisë, së cilës, në dhjetor të vitit 2015, i ka kërkuar falje publike për bombardimet e NATO-s në pranverën e vitit 1999”, vlerëson ai.

Po ashtu, profesori thotë se, kryeministri Albin Kurti duhet të vazhdoj bashkëpunimin me Presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, dhe nëse vepron ndryshe, ai ‘ngjallë’ dyshime të mëdha.

“Nëse Albin Kurti, në bashkëpunim të ngushtë me Presidenten Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit Konjufca, nuk organizon Referendumin e larypërmendur, por pranon t’i drejtohet Komisionit të Venecias për kolerën-asociacion, atëherë në Republikën e Dardanisë do të kemi një Dodik-2. Atëherë mua s’do të më mbetet gjë tjetër, veç të deklaroj publikisht në internet se Albin Kurti, që kur ka qenë i burgosur nga Serbia, e ka ngrënë lugën e çorbës serbe dhe prandaj vazhdon ta çojë më tej trashëgiminë e tradhtisë së kryetradhtarit Thaçi, në bashkëpunim me Kadri Veselin, Isa Mustafën, Edita Tahirin, Xhavit Halitin etj”, vlerëson Prof.dr. Ymeri për ‘Bota sot’.

Qarri: Edvin Kristaq Rama duhet t`ua shpjegojë qytetarëve të Kosovës, se si kishte fytyrë, ai vet, i pari në Evropë t’i vendosë sanksione Kosovës

Po ashtu, për këtë ҫështje, qëndrimin e tij e ka dhënë edhe publicisti Gani Qarri.

Image
Gani Qarri.

Ai duke folur për kryeministrin shqiptar, Edi Rama thotë se, ‘ai para se të merret me Kurtin dhe Kosovën, e ka punën pisk të merret menjëherë dhe urgjentisht me Fredi Belerin, pasi që, pas greqizimit të Shqipërisë së Jugut, me lejen e vet Edvin Kristaq Ramës, për tu arsyetuar para shqiptarëve, ai zgjodhi ta sakrifikojë, si kokë turku, Fredi Belerin të cilin e dënoi me dy vite burg, por për habi të Edi Ramës, përveç fitores në Himarë, Beleri me ndihmën e Greqisë, pikërisht nga burgu i Edi Ramës, fitoi mandatin e deputetit edhe në Parlamentin Evropian, prej nga ashtu si paralajmëroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, edhe nga atje, do të punojë për helenizimin, dhe do t’i nxjerrë shumë punë Edi Ramës edhe në BE’.

“Ndërsa sa i takon Kryeministrit Kurti dhe Kosovës, Edvin Kristaq Rama, kur merr rrugën për ta vizituar vendin tonë, pikësëpari duhet t’ua shpjegojë shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve tanë, se çfarë ka bërë Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij për Kosovën, përveç ngritjes së hasmërisë ndaj kryeministrit Kurti dhe qytetarëve të thjeshtë të Kosovës, ku shihet publikisht se në Shqipëri, kurrë nuk ka ekzistuar atmosferë më e kontaminuar edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë të Kosovës, siç ndodhë në vitet e qeverisjes së tij. Edvin Kristaq Rama duhet t`ua shpjegojë po ashtu, qytetarëve të Kosovës, se si kishte fytyrë, ai vet, i pari në Evropë t’i vendosë sanksione Kosovës, ministri i tij i jashtëm, Igli Hasani të diskutojë për Kosovën në Asamblenë e Këshillit të Evropës, sikur të fliste për Laosin, apo Taxhikistanin dhe si ka mundësi që, çdo bashkëpunim që bënë si person dhe udhëheqës i qeverisë së Shqipërisë, qysh nga përpjekjet për realizimin e ideve serbo-ruse të të ashtuquajturave "mini-shengen" e më vonë "ballkani i hapur", për ta izoluar Kosovën, edhe nga vendet fqinje, që e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, e deri te organizimet sportive, të kohëve të fundit, të Federatës së Futbollit të Shqipërisë, që të gjitha të nisin dhe mbarojnë vetëm me Serbinë, kur dihet se në mes shtetit të tij dhe të Vuçiqit, ndodhet Kosova, madje edhe sa i takon sportit në Shqipëri, Edvin Kristaq Rama nuk duhet të harrojë, se edhe aty ka sportist nga Kosova dhe trojet tjera etnike shqiptare, të cilët i kanë dhënë krah të fort sportit të Shqipërisë, por që nuk e duan Serbinë”, vlerëson Qarri.

Tutje, ai thotë se nëse Kurti është gabim, siҫ deklaron Edi Rama, atë do ta kritikonin miqtë e vërtetë të Kosovës, si Toni Blair, ish kancelarja Merkel, apo edhe gjenerali Wesli Klark.

E nëse vërtetë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka keq, ashtu siç shprehet nga inati, Edvin Kristaq Rama, i cili kurrë nuk mori guximin të thotë, qoftë edhe njëherë të vetme, madje as figurativisht, se jam vëlla me Kurtin apo me kosovar, por në vijimësi, përsëritë se është vëlla me Vuçiqin, ani pse Vuçiqi nuk e ka pranuar asnjëherë të vetme, se edhe ai e ka vëlla Edi Ramën, por mburret që vëllai i Vuçiqit, është Millorad Dodiku, Kurtin do ta kritikonin Toni Blair, ish kancelarja Merkel, apo edhe gjenerali Wesli Klark, të cilët vërtetë kanë bërë shumë për Kosovën”, thekson ai.

Madje sipas tij, për aq më tepër Toni Blair dhe Wesli Klark, janë edhe dy nga figurat më hyjnore dhe kryesoret, që çliruan Kosovën nga Serbia dhe na sollën lirinë, por megjithatë, përkundër të drejtës së tyre të pamohueshme edhe për të kritikuar Kosovën dhe udhëheqjen e saj, pas gjithë ati kontributi madhor, që ata kanë dhënë për Kosovën, që të dy, kanë vetëm fjalë miradije si për kryeministrin Kurti ashtu edhe për Kosovën, dhe përderisa Toni Blair deklaron se në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra të mira, jam krenar për atë që kam bërë për popullin e Kosovës, jeni mësim për krejt botën, gjenerali që udhëhoqi bombardimet e NATO-së, kundër Serbisë, Wesli Klark, thotë se Serbia është ajo që nuk do paqe, ajo shërben si agjente infektuese në rajon, ndërsa Kosova nuk do më pavarësi të nënshtruar!

“Wesli Klark nuk thotë me asnjë fjalë, se Kurti po luan me Serbinë, por mbështet hapat e Kurtit dhe shtetit të Kosovës dhe deklaron plot mirëkuptim, se nuk mund të vazhdohej t’i hapej rrugë, edhe më tej, ekstraterritorialitetit të Serbisë në veri të Ibrit, sepse kjo ishte jashtëzakonisht e dëmshme për të ardhmen e popullit në Kosovë, andaj, udhëheqësit kosovarë kanë qenë të vendosur, e kanë kuptuar këtë dhe kanë vepruar si duhet, në mënyrë të natyrshme ligjore dhe kushtetuese, ngase që nga Ukraina e Izraeli, çdo vend duhet të ndjekë interesin e tij në fillim, e pastaj ato të aleatëve. Edhe sa i takon asociacionit një etnik serb, gjenerali Klark mendon se është më mirë për të gjithë në rajon nëse nuk e shtyjmë përpara Asociacionin, por të punojmë që qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, t’i normalizojnë marrëdhëniet diplomatike, sepse në të gjitha vendet ka përzierje etnike, ndaj mënyra më e mirë për paqe është respektimi i kufijve kombëtarë, pra këto janë deklarata të sinqerta e dashamirëse, të forta e kuptimplota, të cilat hedhin në koshin e plehrave të gjithë fjalamanin ortodokso-utopike të Edvin Kristaq Ramës, i cili përveç fjalamanisë oportuniste nuk mund të dëshmojë gjatë gjithë qeverisjes së tij, se ka bërë, bash asgjë të mirë, për Kosovën”, nënvizoi publicisti Qarri për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat