Eksperti amerikan: Ky është shqetësimi im kryesor nëse rikthehet Trumpi - Kurti të bëjë kujdes, një politikan mund ta frikësojë

Politika

Eksperti amerikan: Ky është shqetësimi im kryesor nëse rikthehet Trumpi - Kurti të bëjë kujdes, një politikan mund ta frikësojë

Nga: A.Zh Më: 14 qershor 2024 Në ora: 12:07
Albin Kurti dhe Donald Trump

Janë shtuar zërat se me një rikthim të mundshëm të Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të kthehet më fuqishëm.

Së fundmi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, këtë gjë e ka pohuar studiuesi i lartë dhe koordinatori i projekteve në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë, Ledion Krisafi. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të përgatitet, pasi sipas tij, me rikthimin e Trumpit, do të rikthehet më imponueshëm ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, kështu nuk mendon profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir.

Image
Alon Ben-Meir dhe Albin Kurti

Ai ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, se edhe nëse rikthehet Trump në krye të Amerikës, nuk do të ketë zhvillime të reja në raportet Kosovë-Serbi dhe në Bashkimin Evropian.

“Unë nuk ndaj mendimin se nëse Trump kthehet në pushtet në SHBA (shpresoj që jo!), ideja e shkëmbimit të territoreve shkon më tej, sepse, për Trump, kjo nuk është një çështje urgjente që ai do të donte ta trajtonte. Ai nuk do të ndalet domosdoshmërisht te konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe shumë prej zhvillimeve të reja që mund të ndodhin në BE pas zgjedhjeve të reja, të paktën jo në vitin e parë të presidencës, përveç nëse SHBA-të do të preken drejtpërdrejtë”, ka thënë Ben-Meir.

Ai ka hedhur poshtë dyshimet se SHBA do të imponojë një marrëveshje të detyrueshme për të dyja vendet, duke dhënë si arsye se një marrëveshje e tillë nuk do të paraqet kërcënim për sigurinë e saj.

“Për më tepër, SHBA-të nuk janë në gjendje të detyrojnë në mënyrë të njëanshme Kosovën dhe Serbinë të shkëmbejnë territore, veçanërisht për shkak se kjo çështje nuk paraqet kërcënim për sigurinë e SHBA-së. Aq më tepër, BE-ja është e vendosur kundër çdo lloj shkëmbimi territorial në përgjithësi në cilindo nga shtetet anëtare të BE-së apo vendet e ardhshme që kërkojnë të anëtarësohen në BE”, ka deklaruar më tej eksperti amerikan.

Ai është shprehur i shqetësuar se presidenti rus Vladimir Putin, do të përpiqet të destabilizojë Ballkanin përmes njeriut të tij, presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Shqetësimi im kryesor është se meqenëse Trump dhe Putin shohin sy me sy, Putini do të përpiqet të shfrytëzojë paaftësinë dhe mungesën e shqetësimit të Trumpit dhe të përpiqet të destabilizojë Ballkanin duke përdorur presidentin serb Vuçiq, një nga shkopinjët e tij, të bëjë porosinë e tij”, ka pohuar profesori.

Ndërsa, sa i përket Ballkanit, Ben-Meir nuk parashikon ndryshime rrënjësore në politikën amerikane.

“Nuk parashikoj ndonjë ndryshim rrënjësor në politikën e SHBA-së ndaj shteteve të Ballkanit në përgjithësi nën një mandat të ri të Trumpit”.

Ai në fund ka porositur Kurtin për vëmendje dhe gatishmëri ndaj ndryshimeve të papritura, sidomos nëse Vuçiq përpiqet të frikësojë kryeministrin e Kosovës.

“Siç e kam thënë edhe më parë, do të jetë e kujdesshme nga ana e kryeministrit Kurti që të mbetet i vëmendshëm dhe i gatshëm për të trajtuar çdo zhvillim të papritur, veçanërisht nëse Vuçiq përpiqet të frikësojë Kurtin. Ndërkohë, ai duhet të ulë tensionin me vendet anëtare të BE-së, duke kujtuar se ata janë gjithashtu të shqetësuar për një mandat të dytë të mundshëm të Trumpit dhe tashmë kanë marrë masa të caktuara për këtë qëllim”, ka shtuar për gazetën “Bota sot” Alon Ben-Meir.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat