Deklarata ‘shokuese’ që sjellë probleme e konflikte Kosovë-Serbi, ‘zbulohet’ çfarë i ka bërë Vuçiqi ambasadorit amerikan në Beograd

Politika

Deklarata ‘shokuese’ që sjellë probleme e konflikte Kosovë-Serbi, ‘zbulohet’ çfarë i ka bërë Vuçiqi ambasadorit amerikan në Beograd

Nga: Naile Ejupi Më: 14 qershor 2024 Në ora: 10:02
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka vazhduar me deklarata të tij pro Serbisë.

Të enjten, ai ka deklaruar se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nënkupton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën por jo edhe njohjen “de jure” të saj.

Në një intervistë për median serbe, Hill u pyet: “Marrëveshja e Ohrit nuk pret njohje de jure të Kosovës nga Serbia. Megjithatë, a mendoni se Serbia do të duhet ta bëjë këtë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian?”

Ndërsa, përgjigjja e tij ka qenë se evropianë duan paqe dhe siguri dhe se ka anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën.

“Nuk mendoj kështu. Ajo që kërkojnë evropianët është pikërisht ajo që ata thonë se kërkojnë dhe kjo është normalizimi. Ata duan paqe dhe siguri në rajon, dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufijtë që ndajnë, por kufijtë që bashkojnë, kufijtë që vërtet i bashkojnë njerëzit dhe shpresoj që njerëzit të kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe se si do të jetë jeta e njerëzve. Dhe kjo është arsyeja pse unë do të doja të shihja shumë më tepër përparim në frontin e normalizimit, dhe është e qartë se BE-ja e ka gjithashtu këtë në mendje”, ka deklaruar Hill.

Analisti politik, Sulejman Mehazi, duke komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan thotë se ai nuk është faktor i anëtarësimit të Serbisë në BE.

Sipas tij, fjala kryesore për anëtarësimin e saj në BE e kanë Brukseli, Berlini e Parisi dhe normalisht në bashkëpunim me administratën e Bidenit.

“Ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill, nuk është faktor i anëtarësimit të Serbisë në BE pa njohjen e Kosovës, përkundrazi politika gjeostrategjike e SHBA-ve është konkurruese ndaj diplomacisë së BE-së, , ambasadori Hill e di dhe e ka të qarte se pa marrëveshje përfundimtare me Kosovën Serbia kurrë nuk mund të anëtarësohet në BE, për anëtarësimin e Serbisë në BE nuk pyetet vetëm Shtëpia e Bardhë e Bonstonit apo Neë Yorkut, por fjalën kryesore e kanë Brukseli, Berlini e Parisi, normale në bashkëpunim me administratën e Bidenit. Hilli është vetëm përfaqësuesi i lartë i SHBA-ve i vendosur në Beograd për të kontrolluar territorin e caktuar të quajtur ambasadë, për t'iu shërbyer qytetarëve të vetë amerikanë në Serbi dhe kurrsesi nuk mund të ndikojë te presidenti i SHBA-ve, Biden”, shprehet Mehazi.

Image
Analisti politik, Sulejman Mehazi

Theksojmë se Hill, para Senatit amerikan të cilët duhet ta konfirmonin për ambasador të ShBA-së në Serbi, dikur saktësonte se çka ishte “më e rëndësishmja nga të gjithë” për vendin ku do të shkonte të shërbente. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën si “parakusht për anëtarësimin eventual të Serbisë në Bashkimin Evropian”.

Më 14 dhjetor 2021, thoshte se ky normalizim raportesh duhet të përkthehet në “njohje të ndërsjellë” dhe se “urgjentisht do të angazhohem” në këtë drejtim.

“Më e rëndësishmja – si parakusht për pranimin eventual në BE – Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si shansi më i mirë për të dyja palët për të zgjidhur mosmarrëveshjet e pazgjidhura”.

“Siç ka thënë Presidenti Biden, Shtetet e Bashkuara besojnë se ‘njohja reciproke’ është mënyra më e mirë për të zhbllokuar potencialin evropian të Serbisë dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Nëse konfirmohet, unë do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht për të arritur një kompromis”, deklaronte ai.

Ndryshimi i deklaratave, sipas Mehazit, janë fjalë të blera nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Deklarata e ambasadorit Hill duket si me qenë Vuçiqiane e jo amerikane, si me qenë zëdhënës i Serbisë e jo ambasador fuqiplotë i SHBA-ve. Besojmë bindshëm se fjalët e ambasadorit amerikan Hillit në Serbi janë të blera nga presidenti i Serbisë Vuçiqi, është mitodeklaratë korruptuese në favor të Serbisë dhe Rusisë, kundër Kosovës dhe BE-së. Me këtë deklaratë ambasadori i SHBA-ve në Serbi nuk sjell paqe, por probleme konfliktesh Kosovë-Serbi”, shton analisti.

Për deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Beograd, ka reaguar mbrëmë edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të Kancelarit gjetman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin përfshirë njohjen reciproke. Kjo ende qëndron: Rruga është aty: Zbatim i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/ Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka shkruar Rohde.

Me këtë postim Rohde ka shpërndarë edhe lajmin me deklaratën e Kancelarit Scholz i cili kishte deklaruar se “…është e qartë se marrëveshja duhet që përfundimisht ta zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE’së”, kishte deklaruar Kancelari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat