Ramabaja flet për rëndësinë e kësaj deklarate të ambasadorit amerikan - jep ‘lajmin e keq’ për Serbinë, përmend edhe letrën e Biden-it!

Politika

Ramabaja flet për rëndësinë e kësaj deklarate të ambasadorit amerikan - jep ‘lajmin e keq’ për Serbinë, përmend edhe letrën e Biden-it!

Nga: A.M. Më: 13 qershor 2024 Në ora: 21:05
Presidenti Joe Biden

Së fundi, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka deklaruar se përfundimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe çdo gjë më pak, nuk përmbush synimet për një Evropë të lirë e në paqe.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ai.

Kjo deklaratë, sikur e ka ‘goditur’ Serbinë dhe përfaqësuesit e BE-së, të cilët nuk po e përmendin tash e një kohë njohjen reciproke dhe janë fokusuar vetëm në Asociacion.

E në lidhje me këtë deklaratë të Hovenierit dhe rikthimin e kushtit për njohje reciproke në dialogun Kosovë-Serbi, ka folur profesori Sadri Ramabaja.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se deklarata e fundit e Hovenier, jep sinjale pozitive dhe shpresë se po rikthehet diskursi diplomatik i Amerikës, siç ishte në periudhën kur sapo kishte ardhur në pushtet Joe Biden.

“Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit bëri një nga deklaratat e tij që diskursin diplomatik të SHBA-së rreth dialogut me Serbinë e rikthen në periudhën kur sapo kishte ardhur në Shtëpinë e Bardhë presidenti Joe Biden. Kjo deklaratë na kujton letrën e presidentit J. Biden dërguar presidentit të Serbisë, përmes së cilës e kishte paralajmëruar se në qendër të dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

Le të shpresojmë se kjo deklaratë e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë shënjon pikën e reflektimit të duhur në raport me një dialog të stërzgjatur dhe pa efekte relevante”, potencoi ai.

Image
Sadri Ramabaja.

Krahas kësaj, Ramabaja tregoi rëndësinë që ka njohja reciproke në vendosjen e marrëdhënieve reciproke mes dy vendeve.

Kësisoj, ai përmendi edhe politikat ekstreme të Serbisë dhe influencën që ka nga shteti rus.

“Kthimi i njohjes reciproke në qendër të dialogut është parimi mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet reciproke mes shteteve, si parim bazë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo çështje është e ndërlidhur me pozicionimin e drejtë që kishte dhe ka Qeveria e Kosovës gjatë këtyre tri vjetëve të përpjekjeve të saj që dialogun ta nxjerrë nga humnera ku ishte dhe ta ristrukturoj mbi parimin e reciprocitetit.

Në këtë plan, na ka ndihmuar shumë edhe pozicionimi ekstrem i Serbisë në përpjekje për aplikim të standardeve të dyfishta. Në planin diplomatik ajo vazhdimisht ia ka dalë t'i bind faktorët perendimor se është duke vepruar për shkëputje nga influenca ruse dhe bashkangjitje familjes perëndimore, ndërkaq në planin real, praktik, ajo po lidhej edhe më shumë me Rusinë, duke u shndërruar ndërkohë në vasale të saj”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesoi tha se përbërja e qeverisë së re serbe dhe Kuvendi gjithëserb që u mbajt në Beograd më 8 qershor, tregojnë hapur lidhjet e saj me Rusinë.

“Përbërja e Qeverisë së re serbe, përveç tjerash, dëshmoi se Serbia, megjithkëtë, është peng i Rusisë dhe nuk reformohet dot nëse vazhdohet tutje të përkdhelet nga Perednimi.

Dëshmia më e fortë për këtë është agresioni i 24 shtatorit 2023 ndaj Kosovës, riformatimi i Qeverisë së re në Beograd dhe Kuvendi gjithëserb që u mbajt në Beograd më 8 qershor, nusprodukt i të cilit është Deklarata Politike, që në fakt nuk është asgjë tjetër përrveç një program i ri i superstrukturës serbe [Kishës, Shtetit dhe Politikës] në dobi të ekspansionit serb në rajon”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat