Rikthehet në vëmendje kërkesa për “Njohja reciproke” – analistët zbërthejnë deklaratën e Hovenier/ Kjo po e pret Serbinë në raport me Kosovën!

Politika

Rikthehet në vëmendje kërkesa për “Njohja reciproke” – analistët zbërthejnë deklaratën e Hovenier/ Kjo po e pret Serbinë në raport me Kosovën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 qershor 2024 Në ora: 19:19
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Ditë më parë,  Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ai.

Duke folur në një panel të samitit “The Western Balkans 2024”, që u mbajt në Prishtinë, Hovenier theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.

Duhet theksuar që dy vendet janë në negociata për më shumë se një dekadë, por shumë prej marrëveshjeve që kanë arritur, nuk i kanë zbatuar.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.

Mirëpo, duke qenë në këtë situatë është e pashmangshme mendimi se si u kthye në qendër te diskutimit “njohja reciproke” e cila ka kohë që nuk është përmendur në dialog?

Mehazi: Kurti duhet të lidhë miqësinë dhe besimin ndaj dy fuqive të mëdha, SHBA-të dhe Britaninë e Madhe

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi.

Ai thotë se kjo deklaratë është shpresë për Kosovën, pasi tregon që SHBA është ende e përkushtuar ndaj Kosovës.

“Pas një kohe të gjatë u entuziazmuam me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili shumë prerë e qartë gjatë samitit "The Ëestern Balkans 2024" mbajtur në Prishtinë tha: "se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak"

Kjo deklaratë e ambasadorit të SHBA-ve, Hovenier, na jep shpresa të mëdha se krerët e SHBA-ve në krye me presidentin e Biden nuk na kanë harruar, se, nëse Kosova nuk përfillet nga BE-ja, por nga SHBA-ja është në qendër diplomatike të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se fundi i patjetërsueshëm e dialogut në mes Serbisë dhe Kosovës do jetë njohja reciproke e asgjë më pak e më shumë”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thekson që kryeministri Kurti duhet të lidhë miqësi dhe besim me dy fuqitë e mëdha, SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, pasi janë më të sinqertat.

“Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurtin  kanë të drejtë të hidhërohen e të mos pajtohen me diplomatët psiko-labilë të BE-së, të cilët janë për dialog përfundimtar, ama për një mini-republikë serbe brenda Kosovës, por kurrsesi nuk duhet hidhëruar SHBA-në. Përkundrazi kryeministri i Kosovës, Albin Kurt duhet lidhur miqësinë dhe besimin ndaj dy fuqive të mëdha, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, të cilët politikisht janë më të sinqertë e më dashuror ndaj Kosovës, përkundër shumicës së shteteve të BE-së që janë në anën e Serbisë e kundër Kosovës”, foli Mehazi për “Bota sot”.

Elezaj: Pas kërkesës të Beogradit zyrtar për formimin e “Zajednicës” qëndrojnë skenarë djallëzor

Ndërsa, analisti politik, Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e fundit e Hovenier është alarm për dy palët të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara.

Sipas tij, pas kërkesës së Asociacionit fshihen plane djallëzore.

Image
Rexhep Elezaj

“Deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier shpreh shqetësimin e qartë amerikan lidhur me “status-quon” aktuale në këtë dialog, duke iu bërë ftesë dy palëve që t’i zbatojnë obligimet e marra, sidomos nga marrëveshja e fundit e akorduar në Bruksel (27 shkurt) dhe Ohër (18 mars) 2023 (Plani franko-gjerman), si rruga e vetme për normalizim të marrëdhënieve, ende të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kontekst të këtyre kërkesave, miqtë tanë amerikan ka qe dy vite që kanë kërkuar me ngulm që pala kosovare, pra Prishtina zyrtare, ta themelojë pa u hamendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si kërkesë eksplicite e palës serbe, mbase si kusht për implementim të marrëveshjeve nga pala serbe, kërkesë kjo e cila ka qenë për 10 vite “mollë sherri” në dialogun e stërzgjatur Kosovë-Serbi. Ngase me të drejtë, pala shqiptare, qeveritë e Kosovës kanë refuzuar (në heshtje) formimin e këtij asociacioni, duke qenë të vetëdijshme se pas kërkesës të Beogradit zyrtar për formimin e “Zajednicës” qëndrojnë skenarë djallëzor për de-funksionalizimin e shtetit dhe pavarësisë së Kosovës, gjë të cilën miqtë amerikan nuk e kanë “kuptuar” plotësisht, duke i garantuar Prishtinës zyrtare vetëm verbalisht, se në Kosovë nuk do të lejojmë një “Republika serbe” të dytë, dhe se formimi i tij do të jetë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, shpjegon analisti.

Në fund analisti nënvizon që SHBA bëri me dije që njohja reciproke është e pashmangshme dhe se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta humbasë besimin me partnerin tonë kryesor.

“Ajo që vërehet në deklaratën e fundit të ambasadorit J. Hovenier, e dhënë para dy-tri ditësh në Prishtinë, është rikthimi i konstatimit, se ”Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbushë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, formulim ky i cili nuk ishte përfshirë në 11 pikat e marrëveshjes së Ohrit, dhe definicion të cilin nuk e ka përmendur asnjëherë në takimet e tij me presidentin serb, A. Vuçiqin, emisari amerikan për Ballkanin perëndimor z. G. Escobar.

Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk guxon që ta humbë besimin në partnerin tonë kryesor, siç janë SHBA-të, falë të cilave Kosova sot frymon e lirë dhe shtet i pavarur, andaj ata të cilët dyshojnë në këtë miqësi dhe aleancë historike shqiptaro-amerikane, ose nuk janë mirënjohës për atë çfarë ka bërë Amerika për Kosovën dhe shqiptarët, ose nuk e njohin fare historinë e marrëdhënieve tradicionale mes shqiptarëve dhe Amerikës.

Kështu që, kur dihet roli amerikan në ruajtjen e kombit shqiptar gjatë shekullit 20-të, si dhe në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, është absurde të mendohet dhe pritet, që dialogu Kosovë-Serbi do të përfundojë me njohje reciproke pa ndihmën dhe përkrahjen e miqve tanë amerikan”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat