“Azil politik”, rrenë/ Tahiraj për Halitin: “Nën uniformën e UÇK-së dhe i maskuar kërcënoi Presidentin Rugova me ligjet e luftës për tradhti”

Politika

“Azil politik”, rrenë/ Tahiraj për Halitin: “Nën uniformën e UÇK-së dhe i maskuar kërcënoi Presidentin Rugova me ligjet e luftës për tradhti”

Nga: M.L. Më: 13 qershor 2024 Në ora: 15:17
Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se ish-presidentin Ibrahim Rugova kishte kërkuar azil politik në Gjermani gjatë kohës së pasluftës, por kërkesa e tij u refuzua.

Në një intervistë televizive Haliti tha se Rugova ishte detyruar të kthehej në Itali, ku qëndroi për një periudhë kohore.

“Rugova, kur shkoi nga Beogradi në Itali dhe në Gjermani, kërkoi azil politik, por nga Gjermania nuk ia dha azil politik. U kthye në Itali dhe qëndroi atje. Unë personalisht, së bashku me Hashim Thaçin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, kemi dërguar njerëz te Rugova në Itali dhe e kemi lutur që të vijë në Shqipëri, të mos qëndrojë atje”, ka thënë Haliti.

Haliti shpjegoi se kishte pasur mendime se nëse Rugova do të kthehej, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) do ta vriste, një shqetësim që ishte ndarë nga diplomatë evropianë.

Megjithatë, Haliti tha se UÇK-ja garantoi sigurinë e Rugovës dhe ai u kthye në Kosovë pa incidente të mëdha.

“Ka pasur mendime që, po të vinte Rugova, UÇK-ja do ta vriste. Na është thënë nga personalitete diplomatike evropiane dhe ne i kemi dërguar njerëz për ta kthyer dhe ai u kthye pa ndonjë problem të madh”, ka shtuar Haliti.

Deklaratat e Halitit, sidomos ajo që Rugova kishte kërkuar “azil politik” ngjallën shumë reagime dhe u konsideruan si dezinformata.

Për gazetën “Bota sot” këto deklarata i ka komentuar, Saim Tahiraj, bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Ai i quan si të “gërditshme” deklaratat e Halitit.

Image
Saim Tahiraj

“Kosova këto ditë është në festë, në festën e madhe të "Ditës së Çlirimit". Të dëgjosh deklarata të tilla shpifëse në këtë Ditë të Madhe, vërtet është e gërditshme. Të dëgjosh shpifje të tilla nga një figurë e gërditshme, nga një person që dyshohet se mban përgjegjësi, së bashku me shtabin e tij të LPK-së, për të gjitha vrasjet politike gjatë luftës dhe pas saj. Mendoj se ky person do të duhej të jetë prapa grilave dhe të gjykohet për dyshimet që sillen rreth tij. Jo t'i jepet hapësirë në televizion që të na prishë gëzimin e kësaj Dite të Madhe. Pse po vepron në këtë mënyrë televizioni në fjalë, nuk e kuptoj. Të gënjesh pa frikë të turpit se Presidenti Rugova ka kërkuar azil në Gjermani, është më tepër se pafytyrësi”, ka thënë ai.

Tahiraj ka theksuar se kërkesa e Halitit që Rugova të kthehej në Shqipëri është ishte hipokrizi, pasi nëse ai do të kthehej do ta priste fati i Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmeti Krsniqi.

“Të thuash se përse nuk u kthye në Shqipëri është më tepër se hipokrizi, sepse po të kthehej do ta priste fati i zi i MMRK Ahmet Krasniqi. Ta thotë personi që nën uniformën e UÇK-së dhe i maskuar kërcënoi Presidentin Rugova me ligjet e luftës për tradhti, është urrejtje patologjike që kurrë nuk u lirua prej saj. Njëjt si ti e kërcënon edhe zëdhënësi i Shtabit të LPK-së, i cili ndodhet në Hagë, dhe shumë bashkëpunëtorë të tuaj. Atëherë, ju keni mbetur me merak se pse nuk u kthye në Shqipëri dhe për ta përjetuar fatin e MMRK Ahmet Krasniqi? Aman, kush ka dërguar njerëz që ta lusin Presidentin Rugova të kthehet, tri figurat që më shumë e urryen dhe luftuan atë”, nënvizoi ai.

Po ashtu, Tahiraj rikujtoi faktin që nuk u zbatua marrëveshja e Osllos, e po ashtu në Tiranë u vra Kolonel Ahmet Krasniqi.

“Po për cilin front të përbashkët po flisni ju më thellë? Në Oslo kjo u arrit, por kurrë nuk u zbatua, përkundrazi u tradhtua, dhe mu në Tiranë u ekzekutua pa mëshirë MMRK Ahmet Krasniqi. Të gjitha ato vrasje politike që ndodhën gjatë luftës dhe pas saj, të gjithë bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova, kush i bëri? Më mirë është t'ju japni përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, se sa të akuzoni njeriun më merituar për shtetin e Kosovës”, u shpreh ai.

Tahiraj shtoi se Presidenti Rugova është vet shteti i Kosovës, projektuesi dhe realizuesi i tij.

“Për figurën madhore të tij flasin shumë miq ndërkombëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij edhe në këtë Ditë të Madhe të Çlirimit të Kosovës. Vetëm ju nuk mund ta pranoni këtë, sepse keni një urrejtje që është shndërruar në sëmundje të pakuruar. Pavarësisht jush, figura madhore e Presidentit Rugova është shndërruar në një figurë profetike për popullin e Kosovës, ndërsa ju do të mbeteni të urryerit e këtij populli”, përfundoi Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat