“Përsëritja e situatës së viteve ‘90”, mësohet ‘prapavija’ e deklaratës së ish-sekretarit të NATO-s: Ky është rreziku që i kanoset Kosovës

Politika

“Përsëritja e situatës së viteve ‘90”, mësohet ‘prapavija’ e deklaratës së ish-sekretarit të NATO-s: Ky është rreziku që i kanoset Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 qershor 2024 Në ora: 10:02
Lord George Roberston

Të mërkurën Kosova ka shënuar 25 vjetorin e Çlirimit të saj, ditë kjo që është karakterizuar me aktivitete të shumta, por edhe me deklarata para e pas çlirimit.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Roberston, në vizitat e para pas luftës në Kosovë kishte deklaruar se “NATO nuk do të qëndrojë anash dhe të shohë krijimin e një Kosove tjetër etnike”.

I pyetur sot 25 vjet më vonë, se ku e sheh Kosovën, Roberston thotë së atë e sheh si shtet multietnik dhe jo si shtet monoetnik.

“Si një shtet multietnik. Duhet të jetë. Themelet e saj demokratike, zhvillimi i saj ekonomik varet nga sa është një shtet multietnik. Ne nuk ndërmorëm atë veprim ushtarak, nuk rrezikuam mijëra njerëz. nuk sulmuam objektivat serbe thjesht për të krijuar një tjetër shtet monoetnik. Dhe prandaj, është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës dhe grupet tjera etnike në Kosovë të ndjehen pjesë e shtetit që është tani në skenën botërore. Kështu që kam një porosi shumë të fortë që po sjell në këtë përvjetor, ky është një shtet multietnik. Duhet të mbetet një shtet multietnik. E gjithë e ardhmja e saj varet nga fakti se të gjitha grupet etnike në shoqëri ndjehen pjesë e saj”, ka deklaruar Roberston.

Tutje, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s thotë se Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një frymë pajtimi dhe kompromisi në këtë kohë.

Sipas tij, duhet të zgjidhen problemet me diplomaci dhe paqësisht rreth tryezës dhe të mos përsëriten vitet e 90-ta.

“Ka pasur krizë në Kosovë për disa vite, duke përfshirë veprime që u konsideruan terroriste në pjesën veriore të Kosovës. A ishte shtatori i vitit të kaluar, një pikë kthese në qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve ndërkombëtarë që siguria në Ballkan, sidomos në Kosovë, është në rrezik nga Serbia. Mendoj se ka një rrezik që rajoni të destabilizohet jo vetëm nga Serbia por edhe nga të tjerët që po luajnë në Ballkanin Perëndimor për një problem në rritje që mund të çojë në dhunën e tmerrshme që pamë në vitet 1990. Dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dëshiron të parandalojë Dhe prandaj ka një përpjekje të madhe diplomatike që po ndodh për të siguruar që ato dallime mendimesh, që është çfarë janë ato, nuk shndërrohen në një dhunë të tmerrshme që kemi parë në Ballkanin Perëndimor në vitet e 90-ta”, deklaron Roberston.

“Kështu që ka nevojë për një frymë pajtimit, i kompromisit në këtë kohë. Ju e dini, dhe i kam thënë Kryeministrit Kurti dhe do ta thosha edhe Kryeministrit Vuçiç, nëse do të takohesha me të, e dini, ju mund ta respektoni historinë, por nuk mund të jetoni në të, Ju duhet që të zgjidhni disa nga këto probleme me diplomaci dhe paqësisht rreth tryezës. Jo përmes përplasjeve në beteja ose në fushëbeteja ushtarake, Dhe prandaj, toleranca, kompromisi janë shenja e asaj që është Evropa”, shton ai.

Analistët politikë thonë se deklarata e Robertson shpreh shqetësimin jo vetëm të Anglisë, por edhe të BE-së se situata politike dhe e sigurisë në rajonin e Ballkanit perëndimor akoma është jo stabile, madje me rreziqe. Sipas tyre, Kosova e Qeveria duhet të orientohet në shërbim të konsolidimit shtetëror.

Duhanaj kritikon Qeverinë

Leon Duhanaj, analist politik duke komentuar deklaratën e Roberston se Kosova duhet të jetë shtet multietnik dhe monoetnik, thotë se minoritetet kanë të drejta më të avancuara se në çdo vend demokratik.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, ish- sekretari i NATO-s, ka dashur të thotë se Kosova fillimisht ta respektojë kushtetutën, pastaj të bëjë përpjekje për të bindur të tjerët.

“Shteti i Kosovës, i bazuar mbi Kushtetutën e tij, Kushtetutë e cila kryesisht është e hartuar nga komuniteti ndërkombëtar, dhe e dalë si derivat i Planit Ahtisari, nuk ka asnjë nevojë as arsye logjike që të ndryshojë. Sepse si i tillë është multietnik ku të drejtat e minoriteteve janë më të avancuara se në çdo vend demokratik. Ajo çfarë thotë Lodri Robertson, është që ne duhet të mësohemi ta vlerësojmë dhe respektojmë Kushtetutën e shtetit tonë, e tek pastaj të bëjmë përpjekje t'i bindim të tjerët. Viteve të fundit, Qeveria dhe institucionet tjera, nuk është që kanë i kanë vendosur në fokus vlerat kushtetuese të Kosovës, sa agjenda të konfrontimin dhe dezintegrimin”, deklaron Duhanaj.

Ai ka kritikuar kastën e qeverisë, gjersa ka shtuar se ajo duhet të këndellet dhe të orientojë agjendën politike në shërbim të konsolidimit shtetëror.

“Kosova po udhëhiqet nga një kastë qeveritarësh, të cilët nuk kanë respekt, as për shtetin të cilit i prijnë, as për kushtetutën e tij. Prandaj e kanë të vështirë të paraqesin qëndrime serioze dhe të pranueshme para faktorëve relevant ndërkombëtarë, duke qenë se ata janë në dijeni për qëndrimet qeveritare karshi Kushtetutës dhe shtetit. Është koha e fundit, që Kosova gjegjësisht Qeveria të këndellën dhe agjendën politike, ta orientojnë në shërbim të konsolidimit shtetëror, e jo në shërbim të kapjes, gjegjësisht mbajtjes së pushtetit”, deklaron Duhanaj.

Elezaj: Thirrja e Robertson të trajtohet me seriozitet

Image
Rexhep Elezaj

Në anën tjetër, analisti politik Rexhep Elezaj, deklaratën e Robertson e konsideron shqetësuese.

“Deklarata e ish- sekretarit gjeneral të NATO-s, lordit George Robertson, “se Kurti dhe Vuçiq duhet të gjejnë marrëveshje, në të kundërtën do të gjendemi përsëri në situatën e viteve ’90-ta”, përveç frikës që Serbia mund të shkaktojë konflikte të reja ushtarake në Ballkan, kjo deklaratë shpreh në fakt shqetësimin, jo vetëm të Anglisë, por edhe të BE-së, se situata politike dhe e sigurisë në rajonin e Ballkanit perëndimorë akoma është jo stabile, madje me rreziqe për shpërthim të një lufte së re, për shkaqe të njëjta, siç ndodhi me nacionalizmin radikal serb në fillim të viteve të 90-ta, duke e sulmuar ushtarakisht Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe në fund Kosovën”, shprehet Elezaj.

Ai ka kërkuar që Kurti e Vuçiq ta marrin seriozisht deklaratën e ish- sekretarit të NATO-s, gjersa ka shtuar se ky i fundit është i informuar mirë për situatën aktuale në Evropë.

 “Prandaj, thirrjen e lordit G. Rabertson, drejtuar dy negociatorëve kryesorë në dialogun Kosovë-Serbi, Kurtit dhe Vuçiqit, që të gjejnë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, duhet marrë seriozisht, ngase si një politikan i madh anglez dhe me përvojë të gjatë në menaxhimin e konflikteve në Ballkanin perëndimorë në dekadën e fundit të shek. 20-të, përveç se është i informuar mirë për situatën aktuale në Evropë, në truallin e të cilës gati që dy vite po bëhen krime të luftës në Ukrainë, nga agresioni dhe ushtria e Rusisë hegjemoniste, flet qartë se po nuk u gjet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, konflikti ushtarak në Ballkan mund të ndezët serish”, shton analisti.

I pyetur nëse Kosova duhet të bëjë kompromise të dhimbshme, përfshirë këtu një asociacion siç e kërkon Serbia në mënyrë që të mos ndizet një luftë e re, Elezaj, thotë se ajo nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë.

 Sipas tij, Kosova në 25 vite pas mbarimit të luftës ka bërë disa kompromise të dhimbshme.

 “ Se, a duhet Kosova të bën kompromise të dhimbshme, çfarë është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, jam krejtësisht i bindur, se një gjë të tillë Kosova nuk duhet ta bëjë kurrë më, sepse në 25 vitet e pas mbarimit të luftës në Kosovë, ajo ka bërë disa kompromise tepër të dhimbshme, siç ishte Plani i Marti Ahtisarit, duke pranuar pavarësi të mbikëqyrur, Kushtetutë ku pakicës serbe në Kosovë i janë garantuar të drejta maksimale, të tilla që nuk i gëzon asnjë pakicë nacionale dhe etnike në Evropë. Pastaj, pranimi i dialogut me shtetin, i cili në Kosovë kishte bërë krime monstruoze kundër njerëzimit, spastrim etnik si dhe gjenocid të llahtarshëm, kompromis të cilin nuk do ta kishte bërë asnjë shtet dhe popull në Evropë. Pra, që të dialogon me një regjim, i cili ka vrarë mbi 13 mijë shqiptarë të pafajshëm, duke tentuar që 2 milion shqiptarë të Kosovës t’i zhbëjë nga faqja e dheut. Me gjithë respektin e madh që populli shqiptar ka ndaj lordit G. Robertson, për punën që e ka bërë për çlirimin e Kosovës, konstatimi i tij, se “Serbia është bombarduar që Kosova të bëhet shtet multi-etnik e jo mono-etnik”, është i pasaktë, ngase ndërhyrja e NATOS-s në Kosovë është bërë kryekëput për shkaqe humanitare, me qëllim për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, e që asokohe as që është folur për çështjen, se çfarë shteti dhe rendi kushtetues do ta ketë Kosova e pavarur”, përfundon Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat