Shqetësimi i EULEX-it për hapjen e Urës së Ibrit, reagon eksperti i sigurisë/ Ja hapat që duhet të ndërmarrë fillimisht Kosova

Politika

Shqetësimi i EULEX-it për hapjen e Urës së Ibrit, reagon eksperti i sigurisë/ Ja hapat që duhet të ndërmarrë fillimisht Kosova

Nga: Naile Ejupi Më: 12 qershor 2024 Në ora: 21:05
Foto ilustrim

Situata e sigurisë në vend është e brishtë dhe ka shqetësime për tensione të mundshme, kështu ka deklaruar shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Sipas tij, agresioni në Banjskë dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, për çka shprehet se duhet të ketë edhe vëmendje të veçantë nga institucionet. Misioni i EULEX-it pret nga Serbia që të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin në Banjskë.

“Situata e përgjithshme në Kosovë është e qetë, por e brishtë, veçanërisht në veri, kemi disa shqetësime për shfaqjen e vazhdueshme të krizës dhe arsyet e mundshme për tensione. Dhe siç tha edhe përfaqësuesi i lartë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, z. Borrell, është koha që të ndalet ky cikël, ky rreth vicioz krizash dhe tensionesh. Tani është koha që të ndërtohet mbi institucionet, të vazhdohet angazhimi dhe të punohet në dialog, dhe të shkohet në qëllimet e ndryshme të dialogut, duke përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë, ne vazhdimisht jemi të angazhuar në monitorimin e situatës, parandalimin e krizave të mundshme, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë në atë që quhet teknikisht, sistemi i sigurisë tre shtresash në Kosovë, ku reaguesi i parë i sigurisë është Policia e Kosovës, reaguesi i dytë i sigurisë është EULEX-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, dhe i treti është KFOR-i”, ka deklaruar ai.

Barbano ka folur edhe rreth iniciativës për hapjen e Urës së Ibrit, iniciativë kjo që sipas tij, duhet të trajtohet në kuadër të dialogut.

“Kjo është diçka që duhet trajtuar në kuadër të dialogut, natyrisht, është një aspekt për të cilin ne jemi të shqetësuar sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim”, thekson ai.

Fatjon Softa, ekspert i sigurisë ka komentuar deklaratën e Barbanos, duke treguar edhe atë se çfarë duhet të bëjnë institucionet e sigurisë në Kosovë për parandalimin e trazirave të mundshme.

Sipas tij, krahas monitorimit të situatës, duhet të forcohen institucionet, rritja e kapaciteteve të FSK në armatim

“Siguria rajonale është e brishtë, Serbia vazhdon të jetë një rrezik real dhe destabilizues ku politikat e saj të mbështetura nga Rusia, kërkojnë të prodhojnë konflikte. Giovanni Pietro Barbano - Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, ka reaguar së fundmi, duke deklaruar që situata e sigurisë në Kosove është e brishtë dhe se ka shqetësime për tensione të mundshme agresioni në Banjskë- sipas tij, dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, dhe ai shprehet që duhet të ketë një vëmendje të shtuar nga institucionet. Misioni i EULEX-it pret nga Serbia të mbajë qëndrim për agresionin e Banjskës, por asgjë nuk ka ndryshura, madje situata është më e rrezikshme, sepse është më e kamufluar dhe lëvizjet apo deklaratat politike tregojnë qartë qëllimin e tyre. Deklarata një kuvend një komb, synojne territore. Shefi i EULEX Barbano, flet dhe për hapjen e Urës në Ibër dhe e shikon atë si një element të lidhur me sigurinë. Ky rreth vicioz krizash dhe tensionesh siç thotë dhe Borrell, N/kryetari i Komisionit Evropian, duhet të ndalet. A duhet të hapet Ura e Lumit Ibër për qarkullim dhe komunikim? Shefi i misionit të EULEX-it, thotë se janë duke bërë patrullime në veri të vendit, gjithashtu se janë të gatshëm të reagojnë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës. Iniciativa për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, ai deklaron se duhet të trajtohet në kuadër të dialogut. Ne- shton Shefi i EULEX, jemi të shqetësuar për situatën sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim. Krahas monitorimit të situatës, duhet të forcohen institucionet, rritja e kapaciteteve të FSK në armatim dhe kapacitetet njerëzore”, shprehet Softa.

Image
Fatjon Softa

Kujtojmë se, Zëvendësministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, ditë më parë ka deklaruar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë të Veriut do të bëhet këtë verë.

Vokrri ka thënë se nuk ka ndonjë datë të saktë, por sipas tij nuk ka arsye që të pritet vjeshta. Sipas tij, janë krijuar kushte për hapjen e urës, pasi që janë zvogëluar mundësitë për trazira.

“S’jam i sigurt për kohën e saktë, natyrisht se është diskutuar më shumë se njëherë mes institucioneve të shtetit tonë dhe ka arsye që nuk është shtyrë pra vendimi për zbatimin pasi e ka votuar Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës Veriore. Pra, arsyeja ka qenë e thjeshtë që të mos ngutemi të mos dukemi që po tentojmë ta provokojmë situatën, mirëpo me kalimin e kohës potenciali për trazira vërehet qartë se është zvogëluar. Mendoj se para vjeshtës që i bie gjatë verës. Por, datë të saktë nuk kemi. Mendoj se nuk ka nevojë të pritet vjeshta fare”, ka deklaruar Vokrri.

Lidhur me deklaratat se së shpejti do të hapet Ura e Ibrit ka reaguar edhe BE-ja, duke thënë se kjo çështje zgjidhet me dialog.

Zyra e BE-së në Kosovë në një përgjigje për teve1.info deklaroi se hapja e urës është temë e dy marrëveshjeve të arritura në vitin 2015 dhe 2016.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”.

BE bëri thirrje për të dyja palët në dialog që të zbatojnë çdo marrëveshje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, deklaruan nga Zyra e BE-së.

Ndaj kësaj, ka reaguar edhe Lista Serbe duke thënë se kjo është “lëvizje e panevojshme dhe e papranueshme”. Sipas Listës Serbe, qëllimi është destabilizimi i situatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat