“BE-së nuk i takon të kërkojë nga shtetet anëtare, që ta njohin Kosovën”, ‘gozhdohet’ Borrell për këtë deklaratë skandaloze

Politika

“BE-së nuk i takon të kërkojë nga shtetet anëtare, që ta njohin Kosovën”, ‘gozhdohet’ Borrell për këtë deklaratë skandaloze

Nga: Nehat Shaqiri Më: 12 qershor 2024 Në ora: 18:25
Josep Borrell

Kosova e Serbia tashmë ka mbi një dekadë që në kuadër të dialogut mundohen të gjejnë një zgjidhje përfundimtare, për të normalizuar marrëdhëniet.

Megjithatë, edhe pas gjithë këtyre viteve, nuk jemi as afër një marrëveshje të tillë.

Së fundmi, dialogu ndërmjet shtetit tonë dhe atij serb, ka ngecur, madje nuk flitet që të rifillojë njëherë.

Krejt kjo ndodhi si pasojë e refuzimit të Kosovës për të krijuar Asociacionin, kërkesë kjo e kahëmotshme e Serbisë, por së fundi edhe e ndërkombëtarëve.

Me këtë, Qeveria e Kosovës, konkretisht kryeministri Albin Kurti nuk pajtohet, e që sipas tij, as që do të ndodhë krijimi i Asociacionit.

Në lidhje me këtë çështje, analisti politik, Gani Qarri thotë se, Kosova në dialog, ka hyrë, për njohjen e reciproke me Serbinë, si dy shtete të pavarura, por veçanërisht pas ardhjes së dyshes Borell-Lajçak, të cilët mbështesnin qëndrimin e Serbisë se statusi i Kosovës, akoma nuk është çështje e kryer, atyre dyve por dhe vet BE-së, sa herë është diskutuar për Kosovën, u ka munguar paanshmëria dhe qëndrimi i qartë se çfarë vërtetë duan nga dialogu maratonik Kosovë-Serbi.

Sipas tij, kënaqjen e interesave të Serbisë hegjemoniste, apo një zgjidhje reale me njohjen reciproke në qendër, si marrëveshje përfundimtare dhe të obligueshme për të dyja palët, e cila do ta garantonte edhe paqen afatgjate, jo vetëm ndërmjet të dy vendeve, por edhe në rajon e më gjerë.

“Emërimi i Borellit, e veçanërisht ish ministrit të jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, që atëbotë, përkundër emërimit të të dy përfaqësuesve të BE-së, nga vendet mos-njohëse të Kosovës, mjerisht nuk u kundërshtua nga Hashim Thaçi, me ç`rast detyroi edhe vendet mike të heshtnin, që nga marrja zyrtarisht të detyrës së përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, Lajçak ka mbajtur publikisht anën e Serbisë. Madje Lajçak bashkë me Josep Borrell-in të cilëve në veprime dhe ide, iu bashkua edhe emisari Gabriel Eskobar, gjatë gjithë kohës kanë tentuar ta dëmtojnë Kosovën dhe kënaqin interesat e Serbisë, në kurriz të Kosovës, duke arritur kulmin e njëanshmërisë, vitin e kaluar, kur krejt padrejtësisht dhe në mënyrë tërësisht të njëanshme e vendosën Kosovën edhe nën masat shtrënguese, në vend se këto masa t’i vendosnin kundër Serbisë, huliganët dhe kriminelët e të cilës, të sponsorizuar nga vet krimineli Vuçiqi lënduan dhe plagosën, hiq më pak se 93 ushtar të KFOR-it, disa prej të cilëve, aq rëndë, sa që, u detyruan t’i amputonin edhe gjymtyrët e trupit, në moshë aq të re dhe në vitet më të mira të jetës së tyre”, thotë Qarri.

Në anën tjetër, sipas tij, duke pasur parasysh se vendi ynë, mjerisht kishte përfaqësues aq të brishtë e të pavendosur dhe të shantazhuar në vazhdimësi nga Serbia, Kosova nuk ka përfituar gjë, as nga udhëheqësit e BE-së, që vinin nga vendet njohëse të shtetit tonë dhe gjatë atyre viteve ishin në krye të diplomacisë së Bashkimit Evropian.

“Përkundrazi, pikërisht gjatë ndërmjetësimit të zonjës Catherine Ashton dhe neokomunistes italiane Federika Mogherini, ndodhën aktet më dëmtuese për Kosovën, që nga nënshkrimet e marrëveshjeve për “zajednicën” serbe nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, e deri te ideja për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, kërkesë e cila më 25 gusht të vitit 2018 u bë edhe në mënyrë publike nga kuislingu Hashim Thaçi, në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, ide që nga bashkëpartiakët dhe mbështetësit e Hashim Thaçit, ende mbahet gjallë”, shprehet ai.

Qarri pohon se, para konstituimit organeve të BE-së dhe emërimit të përfaqësuesve të rinj, nga BE, pas zgjedhjeve të cilat në vendet e BE-së, sapo kanë përfunduar, para se të rifillojnë bisedimet Kosovë-Serbi, me rëndësi është se kush do të emërohet në vend të Lajçak-ut e Josep Borellit.

“Por, çafarë strategjie do të përdorë BE tani e tutje dhe çfarë në fakt, dëshiron të arrij  realisht BE, me këtë dialog, ngase ashtu siç e kemi parë, BE-së, gjatë gjithë kohës, i ka munguar dhe i mungon edhe sot, strategjia e qartë dhe qëndrimi objektiv, e cila duket se nuk e di as vet se çfarë dëshiron nga ky dialog, përderisa vet Borell jo vetëm që nuk shprehte vullnet, por edhe deklaronte publikisht se kinse, “BE-së nuk i takon të kërkojë nga shtetet anëtare, që ta njohin Kosovën”, atëherë lind pyetja, kush do të kërkojë, nga Serbia që ta bëjë njohjen e Kosovës, nëse jo BE, e cila është edhe ndërmjetësuesja e dialogut ndërmjet të dy vendeve, dhe a ka më vërtetë kuptim, që të zhvillohet dialogu fare!?”, pyet ai.

Prandaj, Qarri shton se, përderisa Borell dhe Lajçak, që të dy, edhe nga postet e larta dhe në emër të BE-së, nuk kanë ndryshuar qëndrim ndaj statusit të Kosovës, përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, dhe ata kanë vazhduar ta mbështesin hapur qëndrimin e Serbisë se “statusi i Kosovës nuk është çështje e kryer”, kurse në anën tjetër, Kosova ka hyrë në dialog me bindjen se, nuk do të diskutohet mbi statusin, kufijtë e as rregullimin e brendshëm shtetëror të saj, është plotësisht e vetëkuptueshme, që në mënyrën, se si kanë shkuar punët deri më tani, me njëanshmërinë cinike nga Lajçak dhe Borell, as që mund të rifillohet dialogu, dhe as që do të sjellë gjë, një dialog i tillë i njëanshëm edhe po qese nesër, rifillon përsëri.

 “Është koha e fundit, që veçanërisht pas votimit të rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe BE, përfundimisht tu bëjë thirrje 5 vendeve anëtare, ta njohin Kosovën si dhe ta ndryshojë qëndrimin rreth statusit të Kosovës, duke e trajtuar vet BE, Kosovën si shtet të pavarur, t’i trajtojë në mënyrë të barabarta dhe si dy shtete të pavarura Kosovën dhe Serbinë, edhe në dialog, përndryshe nuk besojë se mund të kemi përafrim të marrëdhënieve dhe as marrëveshje përfundimtare ndërmjet të dy vendeve”.

 “Dhe krejt kjo, pikërisht nga shkaku i qasjes së gabuar dhe qëndrimit të padrejtë të vet BE-së, e cila nga lehtësuese e procesit, duke mbështetur qëndrimin cinik të Serbisë se çështja e statusit të Kosovës nuk është kryer, po shndërrohet në komplikuese të dialogut, akt që edhe pas shumë ngecjeve në këtë drejtim, pengon edhe më tej, përfundimin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, përderisa edhe vet BE, as sot nuk ka qëndrim të qartë, rreth statusit të Kosovës, qëndrim me të cilin ia lidhë këmbët vetvetes, të kërkojë edhe nga Serbia njohjen e Kosovës, prandaj dhe shtrohet serish pyetja, se për çfarë ka ngelur më të dialogohet, nëse dialogu nuk i zgjidh problemet ndërmjet të dy vendeve dhe nuk qon në njohjen reciproke, as 25 vite pas çlirimit dhe mbi 16 vite të pavarësisë së Kosovës?!”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat