“Kushti” që Kurti nuk ia plotëson dot Ramës - zbulohet shkaku i “injorimit” në Ditën e Çlirimit

Politika

“Kushti” që Kurti nuk ia plotëson dot Ramës - zbulohet shkaku i “injorimit” në Ditën e Çlirimit

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 12 qershor 2024 Në ora: 15:37
Edi Rama dhe Albin Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i ftuar për Ditën e Çlirimit të Kosovës, më 12 qershor, por ai siç duket zgjodhi të bëjë një “udhë e dy punë” dhe vizitoi Kosovën ditën e hënë, 10 qershor me ftesë të Lidhjes Demokratike e Kosovës.

Rama ishte pjesëmarrës në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”.

Ai u takua me të gjithë, përveç me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Nga Qeveria e Kosovës janë deklaruar për mos takimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria thotë se në bazë të agjendës së deritanishme, Rama po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t`i rregullojë raportet.

Derisa, Kurti pohoi se raportet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama i ka të mira.

Por, si janë raportet mes dy kryeministrave shqiptarë?

Zaimi: Lë shije të keqe refuzimi i ftesës shtetërore për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, sepse shteti është mbi partitë

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Rama ishte i ftuar për datën 12 qershor, por siç duket ai ka refuzuar ftesën e Qeverisë së Kosovës, për nder të Ditës së Çlirimit, e që arsyet nuk dihen.

Image
Arbër Zaimi

Tutje, thotë se kjo nuk është hera e parë që Rama vepron kështu, duke përmendur rastin kur Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, por që sipas tij fatmirësisht nuk ka bllokim të punës së përbashkët Shqipëri – Kosovë.

“Z. Edi Rama ka qenë i ftuar nga një parti politike opozitare, dhe ka marrë pjesë në një event partiak në dt. 10 qershor. Kjo është diçka shumë normale, ai edhe më përpara, qysh herët, ka marrë pjesë në evente partiake në Kosovë, duke treguar edhe preferenca të hapura për politikanë dhe politika të caktuara.

Nga Qeveria e Kosovës ai ka qenë i ftuar në agjendën zyrtare shtetërore në datën 12 qershor. Por me sa duket e ka refuzuar ftesën për arsye që nuk i di. Lë shije të keqe refuzimi i ftesës shtetërore për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, sepse shteti është mbi partitë, dhe Kosova është më e rëndësishme se sa preferencat apo mospreferencat. Kujtojmë këtu se z. Albin Kurti ka marrë pjesë gjithnjë në eventet shtetërore të Shqipërisë, pa marrë parasysh mospajtimet eventuale që janë pjesë normale e politikë bërjes demokratike.

Sidoqoftë, nuk u bë “kiameti” për këtë refuzim të radhës, sepse me siguri dy qeveritë do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe kryeministrat po njësoj do të bashkëpunojnë. Kjo nuk është hera e parë, kujtojmë se në vitin e kaluar z. Edi Rama anuloi pa paralajmërim edhe pjesëmarrjen e qeverisë së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët që do të mbahej në Gjakovë. Atëherë u tha se po e anulon pjesëmarrjen sepse z. Kurti po e çon Kosovën drejt ndonjë lufte tragjike, por ja ku jemi, luftë nuk ndodhi e Kosova e shtriu sovranitetin në veri, teksa strukturat kriminale që asokohe kërcënonin sot janë asgjësuar në masë të madhe, edhe pse vërtet provuan të ndezin luftë në shtator, ashtu siç pati parashikuar (ndoshta) edhe z. Edi Rama kur anuloi pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët të qeverive.

Dua të them se ngërçe të tilla ka patur edhe më parë, por nuk kanë shkaktuar, fatbardhësisht, bllokim të punës së përbashkët Shqipëri – Kosovë, shpjegon ai.

Për gjithë këtë, Zaimi thotë se Rama me rëndësi e ka të ketë raporte të mira vetëm me kushtin që të mos bllokohet Beogradi, gjë që këtë kushte nuk ia plotëson dot Albin Kurti.

“Sidoqoftë, këto ngërçe janë shqetësuese për ne që duam më shumë afrim e bashkim. Pse ndodhin?

Siç duket, z. Edi Rama preferon të ketë raporte të mira vetëm me kushtin që të mos bllokohet Beogradi. Këtë kusht z. Albin Kurti nuk ia plotëson dot. Por nuk ia plotësojnë dot as të tjerët, pavarësisht dëshirave e joshjeve. Beogradi do të bllokohet sepse është pro-rus, ka synime agresive në Bosnjë, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni

Është mirë që z. Edi Rama ta dëgjojë z. Albin Kurti sa i përket politikave që duhen ndjekur përballë Beogradit. Kjo gjë menjëherë do t’i përmirësonte ndjeshëm të gjitha raportet mes tyre. Nëse z. Rama e dëgjon z. Kurti për Beogradin, jam i sigurt se z. Kurti do ta dëgjojë z. Rama për shumëçka tjetër”, përfundon ai.

 Mehazi: Edi Rama entuziazmohet vetëm kur takohet dhe përqafohet me Vuçiqin

Image
Sylejman Mehazi

 

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, është shprehur se Rama, në Kosovë nuk ka ardhur për të rregulluar raportet e tij me Kurtin, por qëllimshëm ka ardhur te partia opozitare e LDK-së së Abdixhikut, për të sulmuar Kurtin.

“Vizita e kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës në Kosovë për nder të ditës së çlirimit s'është kurgjë më shumë, përveç nxitjeve e provokimeve mediatike për mos takimin e tij me kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurtin, që me hapat e para të Ramës në Prishtinë u pyet nga gazetari se: "a do të takohet me vëllain e vogël?" që aludonte për takimin me Kurtin, ai në mënyrë ironike ia ktheu gazetarit duke i thënë "se vëllai i vogël është drejtor i klubit të futbollit të Partizanit", po ashtu dhe deklarata e qeverisë së Kosovës me rastin e vizitës së Ramës na bëri të qartë, se, Rama sipas agjendës së ardhjes në Kosovë do takojë "ata me të cilët konsideron që ka nevojë t'i rregullojë raportet", pra qëllimi i vëllait ideologjik të Vuçiqit, Edi Rama, nuk ka ardhur në Kosovë për të rregulluar raportet me homologun e tij Albin Kurtin, por qëllimshëm ka ardhur te partia opozitare e LDK-së së Abdixhikut që tog me Vuçiqin të sulmojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Edi Rama entuziazmohet vetëm kur takohet dhe përqafohet me Vuçiqin, ai nuk guxon të takohet me kryeministrin e Kosovës për shkak se i hidhërohet i dashuruari "lubavniku" i Serbisë, Vuçiqi”, u shpreh profesor Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat