Nga alarmi i shefit të EULEX-it te ‘stërvitjet sekrete’ të bandave kriminale serbe – ekspertët japin detaje për situatën e brishtë në veri

Politika

Nga alarmi i shefit të EULEX-it te ‘stërvitjet sekrete’ të bandave kriminale serbe – ekspertët japin detaje për situatën e brishtë në veri

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 qershor 2024 Në ora: 08:05
Giovanni Pietro Barbano

Situata në komunat veriore të Kosovës, vazhdon të jetë e tensionuar, ku herë pas here ka edhe paralajmërime se ekziston rreziku për përshkallëzim të gjendjes së sigurisë.

Së fundi, këtë gjë e konfirmoi edhe shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Ai tha se situata e sigurisë në vend është e brishtë dhe se ka shqetësime për tensione të mundshme. Sipas tij, agresioni në Banjskë dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, për çka shprehet se duhet të ketë edhe vëmendje të veçantë nga institucionet.

“Situata e përgjithshme në Kosovë është e qetë, por e brishtë, veçanërisht në veri, kemi disa shqetësime për shfaqjen e vazhdueshme të krizës dhe arsyet e mundshme për tensione. Dhe siç tha edhe përfaqësuesi i lartë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, z. Borrell, është koha që të ndalet ky cikël, ky rreth vicioz krizash dhe tensionesh. Tani është koha që të ndërtohet mbi institucionet, të vazhdohet angazhimi dhe të punohet në dialog, dhe të shkohet në qëllimet e ndryshme të dialogut, duke përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në këtë, ne vazhdimisht jemi të angazhuar në monitorimin e situatës, parandalimin e krizave të mundshme, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë në atë që quhet teknikisht, sistemi i sigurisë tre shtresash në Kosovë, ku reaguesi i parë i sigurisë është Policia e Kosovës, reaguesi i dytë i sigurisë është EULEX-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, dhe i treti është KFOR-i”, deklaron ai.

Vëmendje të veçantë, shton ai, duhet të ketë Banjska e Zveçanit. Shefi i misionit të EULEX-it, thotë se janë duke bërë patrullime në veri të vendit, gjithashtu se janë të gatshëm të reagojnë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës.

Banjska e ka dëshmuar brishtësinë dhe cenueshmërinë e kësaj zone. Dhe kështu, kjo zonë kërkon vëmendje të veçantë. Ne jemi vigjilentë për të parandaluar çdo kthim, çdo rikthim të mundshëm të dhunës, përmes pranisë sonë, vigjilente dhe të dukshme. Ne po kryejmë patrullime 24/7 në veri me formën tonë në njësinë policore dhe jemi të gatshëm të reagojmë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, përkatësisht të Policisë së Kosovës, si reagues i dytë i sigurisë me forcën tonë të reagimit të shpejtë për të adresuar trazirat e mundshme civile”, shton ai.

Gecaj: Gjendja momentale në dukje e qetë, në veriun e Kosovës është shumë e brishtë

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Image
Hysen Gecaj

Sipas tij, shefi i EULEX-it ka të dhëna nga terreni, prandaj duhet marrë parasysh deklaratat e tij.

Ajo që shefi i EULEX Giovanni Pietro e ka deklaruar lidhur me çështjen e sigurisë bazamentin e ka tek informatat e mbledhura nga tereni qoftë në Kosovë ose jashtë Kosove. Gjendja momentale në dukje e qetë në veriun e Kosovës është shumë e brishtë. Nga e gjitha ajo që ka ndodhur vitet e fundit në Kosovë është e lidhur ngushtë edhe me ngjarjet politike dhe të sigurisë në Ballkan dhe botë”.

Krahas kësaj, Gecaj tha se sfidë për Kosovën janë raportet me shtetin serb, duke parë përfshirjen e shtetit rus, që si qëllim ka de stabilizimin e Ballkanit.

Për sa i përket Kosovës, sfidë janë raportet me Serbinë si një faktorë destabiliteti në Ballkan, e cila përveç interesave të saja ekspansioniste përfaqëson edhe interesat Ruse në Ballkan. Për Rusinë është tejet e rëndësishme që Ballkani të destabilizohet me qëllim që t’i ketë duart më të lira në luftën kundër Ukrainës prandaj e gjithë kjo situatë e bën Kosovën të brishtë në aspektin politik por edhe të sigurisë. Kjo është arsyeja që Qeverisë së Kosovës i kërkohet me ngulm nga bashkësia ndërkombëtare koordinimi i të gjitha aktiviteteve në veriun e Kosovës sepse destabilizimi i Kosovës interferon në destabilizimin e rajonit dhe bëhet pengesë për perëndimin në menaxhimin e krizave ndërkombëtare ndërsa Rusisë i lehtësohet puna në frontet e luftës dhe shtrirjen e influencës në Ballkan”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë potencoi se në të ardhmen shteti serb mund të përgatis terreni për akte terroriste serbe në territorin e Kosovës.

Megjithatë, ai nuk sheh mundësi për një luftë në Kosovë, kjo për shkak të angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo që mund të ndodhë nga kjo situatë në Kosovë, është de funksionalizimi i shtetit në hapësira të caktuara, përgatitja e terrenit për akte terroriste serbe në territorin e Kosovës si dhe një varg veprimesh destruktive për Kosovën. Në këto rrethana nuk shoh mundësi për luftë eventuale në Kosovë pikërisht për shkak të angazhimit të SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE përmes misionit të KFOR dhe veprimeve politike në Kosovë që mos vije deri tek një moment i tillë i cili do të kishte pasoja katastrofale përveç për Kosovën edhe për vet Evropën dhe SHBA”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Elezi: Situata e sigurisë mund të konsiderohet e rëndë

Image
Bedri Elezi

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Bedri Elezi potencoi se ky paralajmërim për rrezik të eskalimit të sigurisë në veri, tregon gjendjen reale në katër komunat veriore.

Në këtë rast, ai përmendi sulmin terrorist në Banjskë dhe përpjekjet e shtetit serb për të instaluar forca sigurie në Kosovë.

Paralajmërimet e institucioneve të sigurisë, si të atyre ndërkombëtare dhe atyre lokale, dhe në këtë rast ky paralajmërim besoj që tregon një situatë reale, e cila mbretëron në Kosovë, e posaçërisht në katër komunat me shumicë serbe.

Ne jemi dëshmitarë të asaj se në Banjskë kishim një përpjekje të Serbisë për të instaluar forca sigurie në Kosovë. Madje kishim edhe sulm terrorist nga grupet terroriste dhe kriminale, të cilat udhëhiqeshin nga Radoiçiq”, deklaroi eksperti.

Po ashtu, Elezi tha se ekziston akoma rreziku që të kemi ndonjë sulm nga bandat kriminale serbe, të cilat po stërviten në baza të ndryshme në Serbi.

Në këtë rast mund të themi se situata e sigurisë mund të konsiderohet e rëndë edhe për faktin se kemi pas një një përpjekje reale për destabilizim të gjithë rajonit dhe ekziston akoma rreziku që të ketë një riorganizim të serbëve, të cilët janë në dy baza të ndryshme jashtë territorit të Kosovës, përkatësisht në Serbi, ku besohet dhe dyshohet se stërviten mbi shtatëqind persona qytetarë të rritur nga komuniteti serb, të cilët janë nga Kosova Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia, të cilët të përgatiten për aktivitete lufte për territorin e Republikës së të Kosovës”.

Më tej, eksperti komentoi edhe ndikim rus në Ballkan dhe synimet e shtetit të Putinit për ta destabilizuar situatën në Kosovë e rajon, kjo për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Siç dyshohet këto grupe, këta persona që janë të trajnuar mund të futen në territorin e Republikës së Kosovës, në momentin që kërkohet nga udhëheqësit e tyre, me qëllimin e vetëm për organizimin e aktiviteteve të dhunshme dhe me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Kjo njëherësh është një kërkesë e Rusisë, e cila mendohet se mund të zbatohet përmes satelitit të saj Serbisë, ngase zhvillimet e fundit në Ukrainë, sidomos mbështetja e madhe që i ka ardhur nga SHB-ja dhe BE-ja, si dhe zhvillimet që pritet të ndodhen për rimarrjen nën kontroll të zonave të caktuara mund të jetë edhe një kërcënim serioz për vendet e tjera, sidomos Ballkanin, duke tentuar që Rusia të frikësojë Bashkimin Evropian dhe shtete tjera përmes eskalimit të saj të sigurisë, duke përdorë Serbinë si satelit të saj”.

Në fund, ai shtoi se duhet kujdes i shtuar dhe organizim i planeve konkrete operative për të marrë informacione për grupet kriminale serbe dhe për t’i parandaluar sulmet e tyre.

Prandaj, edhe ne mendojmë që duhet të ketë një kujdes të shtuar të veçantë për organizimin e aktiviteteve dhe planeve konkrete operative për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në atë zone. Njëkohësisht, duhet të rrisim në nivel më të lartë vigjilencën për të marrë informacione në kohë reale, për çdo zhvillim i cili ka të bëjë me organizimin e grupeve kriminale terroriste serbe, të cilët mund ta eskalojnë situatën e sigurisë”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat