“Ishim para një kompromisi, por pala e Kosovës nuk pranoi”, Bytyçi zbërthen deklaratën e Aleksandër Vuçiqit: Për këtë e kishte fjalën!

Politika

“Ishim para një kompromisi, por pala e Kosovës nuk pranoi”, Bytyçi zbërthen deklaratën e Aleksandër Vuçiqit: Për këtë e kishte fjalën!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 11 qershor 2024 Në ora: 23:19
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Dialogu me Serbinë është nyja kyçe e zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe shtetit serb.

Kështu thotë profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili shprehet se, Kuvendi i ‘Botës serbe’ i tetë qershorit, pra të shtunës së kaluar në Beograd, e ka vështirësuar këtë dialog.

Sipas tij, Kosova gjendet në avantazh në kuptimin e situatës në terren.

“Ajo tashmë është pothuajse sovrane në territorin e katër komunave të veriut. Kryeministri Kurti bëri një bilanc dhe metoda e tij qeverisëse për bashkëpunim me komunitetin serb, sidomos në veri të vendit, duket se po funksionon, ndonëse nuk mund të jemi euforikë. Por strategjia e qeverisë Kurti për të bashkëpunuar me serbët në Kosovë e jo me Beogradin për zgjidhjen e problematikave, të cilat janë object i dialogut, duket se ka nis të funksionojë. Nuk duhet të jemi euforikë”, thotë ai.

Profesori pohon se, Qeveria, presidentja dhe institucionet duhet të shtojnë përpjekjet për pajtim substancial të shqiptarëve me serbët që jetojnë në Kosovë.

“Duhen investime dhe kujdes i jashtëzakonshëm për trajtimin e problemeve politike, sociale e kulturore që kanë serbët. Ndoshta duhet një diskutim gjithëpërfshirës me ta. Me qëllim që të diferencohen temat që duhen diskutuar me Beogradin. Skema, sipas së cilës Kosova duhet të pranojë asociacionin me kushte që Beogradi ta njohë shtetin e saj, është për mua një skemë e pranueshme”, shton ai.

Ai thekson se, autoritetet e Kosovës do të shiheshin si shkaktarë të bllokimit të këtij dialogu dhe kjo nuk është aspak e mirë për vendin.

Image
Prof. Enver Bytyçi

“Në fakt presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuëiq po bën gjithëçka që ta kalojë përgjegjësinë te qeveria e Kurtit për mungesën e këtij dialogu. Dhe është fakt se ky dialog është thuajse në paralizë. Mblidhen në Bruksel dy të ngarkuarit, Bislimi dhe Petkoviç, por pa ndonjë rezultat. Ndërsa takimet Kurti-Vuçiq ka kohë që nuk përmenden. Vuçiq thoshte për një gazetë zvicerane se “ishim para një kompromisi, por pala e Kosovës nuk pranoi”! Ishte fjala për krijimin e asociacionit”, thekson Bytyçi.

Profesori pohon se, kjo e lë të kuptoj se për presidentin e Serbisë është kompromis i mirëpritur vetëm kur pala e Kosovës bënë lëshime dhe i ofron Beogradit atë që kërkon shefi ishtetit serb.

“Fatmirësisht qeveria Kurti dhe presidentja Osmani nuk e kanë pranuar këtë qasje deri më sot. E kishin pranuar një qasje të tillë liderët e mëparshëm të Kosovës, por jo edhe këta. Mesa shoh koncepti serb i kompromisit lidhet thjesht me lëshimet që bën ose duhet të bëjë Kosova. Vetëm atëherë, sipas Vuçiq, ka kuptim dialogu. Por ai vetë ama nuk pranon asgjë, as të firmosë një marrëveshje së bashku me aneksin e saj të Ohrit. Kjo nuk ka kuptim. Kjo është zgjidhje që e sjell Kosovën në gjendjen e kohës së Millosheviqit”, shprehet ai.

Ndërkohë, profesori shton se, dialogu është i paralizuar për shumë arsye.

“Kryesore është se qeveria dhe institucionet e Beogradit vazhdojnë të thonë se “Kosova është pjesë e Serbisë dhe se shteti, akademia, Kisha dhe shoqëria serbe do të luftojnë për ta rikthyer atë nën sovranitetin e Beogradit”! Që këtu dialogu është i mbaruar, i bllokuar. Sepse Serbia nuk njeh realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe madje pas vënies së Kosovës nën protektoratin ndërkombëtar të OKB-së dhe NATO-s. Nuk di ndonjë vend që e kontrollon dhe e mbron NATO të jetë rikthyer nën sovranitetin e agresorit, okupuesit dhe kolonizatorit, që kjo të ndodhë me Kosovën. Megjithatë në Beograd ky fakt u vu në dukje edhe në dokumentin përfundimtar të Kuvendit të Botës serbe të së shtunës së kaluar”, potencon ai.

Bytyçi shprehet se, dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë edhe për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Europian.

“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve për mendimin tim nuk e komplikojnë as dialogun as marrëdhënien Kosovë-Serbi, sepse ruhet thuajse i njëjti ekuilibër si edhe më parë. Por do të kemi një negociator të ri. Ndoshta dhe një komisioner tjetër për Marrëdhënie me Jashtë e Siguri të Europës. Uroj që këta të jenë gjermanë. Sepse ata kanë fuqi më të madhe për të marrë vendime. Por deri në shtator nuk besoj se do të ketë ndonjë zhvillim të ri në këtë dialog. Më pas të shohim. Ajo që pres unë ka të bëjë me ndërrimin e qasjes filozofike të zgjidhjes së këtij konflikti. Që do të thotë se do të duhet të bëhen bisedime për të zgjidhur çeshtjet e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës e jo çeshtjet politike të brendshme në Kosovë”, thotë ai.

Ai shton se, asociacioni p.sh. duhej të ishte problem i dialogut të brendshëm.

“Beogradi duhej e duhet të qëndrojë jashtë këtij kuadrati. Pres që në Bruksel të heqë dorë nga praktika që gjithëçka që zhvillohet në veri të Kosovës të konsiderohet objekt i dialogut Kosovë-Serbi. Ka dalë p.sh në skenë çështja e qarkullimit të lirë të mjeteve në veri dhe hapja e Urës së Ibrit, në Bruksel thonë se kjo duhet zgjidhur me dialog midis Kosovës e Serbisë. Absurde. Qarkullimi i lirë është e drejtë themelore e njeriut dhe institucionet e Kosovës do të duhej me kohë ta kishin realizuar këtë të drejtë. Nëse nuk ndodh ky ndryshim, atëherë dialogu nuk do të ketë sukses asnjëherë. Një dialog që kushtëzon dhe kufizon autoritetin vendimmarrës të institucioneve të shtetit të Kosovës në territorin e vet, është i destinuar të dështojë. Sepse nuk është parimor, nuk është as i drejtë!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat