Kosova ende nën masat e padrejta të BE-së, shpresat tek pasuesit e Borrell-it dhe Lajçak-ut!

Politika

Kosova ende nën masat e padrejta të BE-së, shpresat tek pasuesit e Borrell-it dhe Lajçak-ut!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 qershor 2024 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Kosova tash e një vit mbetet nën masa nga Bashkimi Evropian. Këto masa erdhën si pasojë e “mos koordinimit” me aleatët edhe pse Kosova ishte në të drejtën e saj.

Masat, liderët në Kosovë i quajtën të padrejta dhe të njëanshme.

Por, mbase po iu vije fundit apo jo?

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pritet që nesër të dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj.

Një raport të tillë nga shefi i diplomacisë së BE-së e kishin kërkuar vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat.

Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat, dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.

Ahmeti: BE-ja ka vepruar me standarde të dyfishta, pasi nuk ka vepruar me logjikën e njëjtë me të gjitha shtetet

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Serbia po vazhdon të ledhatohet nga BE, pavarësisht se strehon kriminelë dhe nuk respekton marrëveshjet.

Ai po ashtu thotë se më këtë rast BE-ja ka vepruar me standarde të dyfishta.

BE-ja ka vepruar me standarde të dyfishta, pasi nuk ka vepruar me logjikën e njëjtë me të gjitha shtetet. Kosova, përfundimisht duhet të çlirohet nga masat diskriminuese të BE-së, pasi janë subjektive dhe të njëanshme. Serbia, shteti agresor, e cila në vazhdimësi shkelë parimet e BE-së, strehon kriminelët, nuk respekton marrëveshjet me Kosovën dhe prapë ledhatohet nga BE-ja. Duhet parë në sy kritik veprimin e BE-së, pasi ka nderuar politika jo të drejta në raport me shtetet që pretendojnë anëtarësimin. BE-ja duhet të zhvishet njëherë e përgjithmonë nga politikat diskriminuese, pasi me këto veprimet të njëanshme po tregohet subjektive, diskriminuese dhe po shemb projektin e saj për çka është ndërtuar”, shprehet Ahmeti.

Duhanaj: Kush do ta besonte se Kosova viktimë e gjenocidit të ndëshkohet me sanksione nga vetë sponsorizuesit e lirisë dhe pavarësisë së saj

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj thotë se masat janë një fatkeqësi për Kosovën.

Sipas tij, kjo çfarë i ndodhi Kosovës me masa nga vet përkrahësit nuk do t besonte askush, por që Duhanaj thotë se fajtor jemi vet për këtë çështje.

Në radhë të parë, është fatkeqësi që Kosova duhet të trajtoj si temë sanksionet.

Kush do ta besonte se Kosova ven viktimë e gjenocidit të ndëshkohet me sanksione nga vetë sponsorizuesit e lirisë dhe pavarësisë së saj.  Për këtë, ne nuk guxojnë ta adresojmë fajin tek të tjerët, por duhet të bëhemi objektiv dhe të sinqertë me vetveten në radhë të parë, pastaj edhe me të tjerët, sepse fajtor jemi vet ne.

Për sa i përket z. Borell dhe mandatit të tij, të cilit tashmë po i vije fundi, duhet analizë po ashtu objektive. Së pari, Borell, nuk ka prezantuar zyrtarisht shtetin e Spanjës për të cilin e kanë akuzuar herë pas here, por as nuk ka qenë krejtësisht i pavarur nga bindjet e tij për Kosovës. Në radhë të parë ai është zbatues i politikave kolektive të BE-së. Se a ka mundur të bëjë më shumë në proces, ose se a e ka bërë mirë apo jo punën e tij, këtë nuk mund ta konstatojmë tani. Për këtë kërkohet kohë dhe analizë e serioze e punës së tij.

Ajo çfarë mund të themi me saktësi është se, qeveria dhe institucionet e Kosovës, në fillim të mandatit të Kryeministrit Kurti, u deklaruan kundër ndikimit amerikan, e pretekstin se ne jemi evropian dhe i takojmë Evropës. Pra, për Qeverinë Kurti, amerikanët ishin të papranueshëm, por jo edhe Borell dhe Lajçak. Pasi u futën në proces, duke bërë koncesione gjithandej, filluan me akuza kundrejt Lajçakut dhe Borellit, qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga dështimet qeveritare”, thotë ai.

Ai kritikon Qeverinë Kurti, duke thënë se nuk ka lënë shtet mik me të cilin ka ndonjë raport serioz, andaj ai shpreson që pasuesit e Borell e Lajçak, të kenë qasje simpatie për Kosovën.

"Qeveria Kurti, nuk ka lënë shtet mik me të cilin ka ndonjë raport serioz dhe i cili na respekton si shtet. Tani me ardhjen e emisarëve të ri, duhet të kemi kujdes të shtuar se si po sillemi karshi miqve dhe shteteve sponsorizuese.

Ne duhet të jemi të përgjegjshëm, para qytetarëve dhe miqve, se Kosova, nuk ka as luksin e as mundësinë minimale të sabotoi në marrëdhënie ndërkombëtare Prandaj është shqetësuese qasja e Kryeministrit Kurti, nuk është në raport me shtetet mike. Këndej, uroj që në radhë të parë, pasuesit i z. Borell e Lajçak, të kenë qasje simpatie për Kosovën dhe pastaj të kërkojmë dhe ofrojmë bashkëpunim serioz me partnerët tanë, sepse vetëm kështu mund t'i tejkalojmë me sukses sfidat që na presin”, përfundon ia për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat