“Ishim afër kompromisit”/ Zbulohet prapavija e deklaratës së Vuçiqit - ja çfarë po “kurdiset” kundër Kosovës!

Politika

“Ishim afër kompromisit”/ Zbulohet prapavija e deklaratës së Vuçiqit - ja çfarë po “kurdiset” kundër Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 qershor 2024 Në ora: 14:08
Dialogu Kosovë - Serbi.

Takime, bisedime dhe deklarata të shumta tash e sa kohë nga Kosova dhe Serbia, mirëpo zbatim të marrëveshjeve ende nuk ka.

Jo të drejtë dhe aspak përgjegjës po vazhdojnë të jenë pala serbe duke mos pranuar zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

E të gjendur në këtë pikë tash e një kohë, vëmendjen e mori deklarata e fundit nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiqi.

Vuçiq ka zhvilluar një intervistë për median zvicerane “Die Weltwoche” rreth procesit të normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku fajin ia hodhi palës kosovare për mosgatishmëri.

“Një zgjidhje kompromisi ishte afër, por s’u bë”, tha ai.

Situatën e vlerësoi për rëndë e më rëndë në procesin e dialogut ku  tha se tani as nuk flasin por se Beogradi është gjithmonë i gatshëm të dialogojë.

“Neve na duhet zgjidhje kompromisi, dhe ishim afër. S’deshën ata kjo të bëhet. Tani jemi larg zgjidhjes së kompromisit, tashmë as nuk flasim. S’duan ta themelojnë Asociacionin, që e kanë obligim nga Marrëveshje e Parë. Gjendja është e vështirë, por do të bëjmë ç’ mos për mbajtjen e paqes”, tha Vuçiq.

Por a është kjo një deklaratë e radhës e Vuçiqit për të marr vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe mbuluar fajin e tyre?

Kapiti: Për çfarë kompromisi deklarohet Vuçiq, kur ai dhe Serbia janë në kulmin e agresivitetit kundër Kosovës

Image
Skender Kapiti

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur opinonisti Skënder Kapiti.

Ai thotë se kjo deklaratë e Vuçiqit është vazhdim i djallëzisë së tij duke kërcënuar sovranitetin e Kosovës.

Sipas tij, opozita e Kosovës dhe politika e Shqipërisë nuk po anojnë në anën e Qeverisë së Kosovës por po mbajnë anën e Serbisë.

“Kjo deklaratë e tij është në vazhdën e djallëzisë dhe hipokrizisë diplomatike që bën Beogradi në lidhje me Kosovën. Për çfarë kompromisi deklarohet Vuçiq, kur ai dhe Serbia janë në kulmin e agresivitetit kundër Kosovës, duke kërcënuar sovranitetin e Shtetit të Kosovës. Për çfarë kompromisi deklarohet Vuçiq, apo për kompromis që sipas tij do të thotë që Serbia të marrë atë se çfarë ajo dëshiron nga Kosova. Kompromis dhe normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka vetëm atëherë kur Serbia të pranojë e të kërkoj falje për gjenocidin e saj, dhe kur Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës.

Nuk e di se përse opozita në Kosovë dhe politika e Shqipërisë nuk i thonë këto dhe nuk janë pro këtyre dy kushte thelbësore që i duhen vendosur Serbisë, por çuditërisht edhe opozita në Kosovë, si dhe as politika qeverisëse, as opozita e as mediat në Tiranë, nuk kuptohet se përse ato vazhdojnë  akoma sot kundër Qeverisë aktuale të Kosovës e cila po kryen më se miri detyrën shtetërore në interes të kombit, të shtetit dhe të sovranitetit të Kosovës”, shpjegon opinonisti.

Ndër të tjera, opinonisti shton që ndërkombëtarët nuk po shikojnë interesin e Kosovës.

“Ndërkombëtarët edhe ata duke e parë se çfarë qeverisjesh të dëmshme ka pasur më parë Kosova, si dhe duke parë edhe tjetrën se si politika e Tiranës i intereson vetëm pushteti dhe për mbështetje ndërkombëtare janë të gatshme që të sakrifikojnë në dëm të Kosovës vetëm për të qëndruar në pushtet. Po kështu edhe te opozita politike në Tiranë nuk shohim ndonjë mbështetje për Kosovën , pasi këtë gjë nuk e kanë bërë as kur ishin në pushtet, por edhe sot opozita në Tiranë nuk kundërshton qeverinë aktuale në Tiranë sepse edhe ajo mendon se mos shkakton “hatër mbetje” tek ndërkombëtarët të cilëve nuk u intereson interesi i Kosovës për që më shumë  ata po mbështesin Serbinë. A mos po pret Tirana që ta mbështesë Kosovën kur të shprehen dhe ta mbrojnë Kosovën Bota Perëndimore, ashtu sikurse edhe kur NATO filloi bombardimet mbi Serbi për çlirimin e Kosovës pothuajse e gjithë politika e Tiranës u habitën se si ka mundësi që NATO sulmoi Serbinë për lirinë e Kosovës”, foli Kapiti për “Bota sot”.

Mehmeti: Ky është Vuçiqi, njeriu që ka fryëmëzuar krimet me makabre në ish Jugosllavi

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thekson që kjo deklaratë e Vuçiqit nuk është për të u befasuar pasi i njejti në vazhdimsi është munduar të ia lë fajin Kosovës.

“Kjo është retorika e njohur e Vuçiqit, nuk më befason me këso deklarata. Në vazhdimësi është munduar të hedh fajin tek Kosova me rolin e viktimës, derisa në prapavijë ka vepruar si kasap për në plane të copëtimit dhe gjakderdhjes në Kosovë”, potencon analisti.

Në fund, ai thotë që është e habitshme si Perëndimi ende e sheh Vuçiqin njeriun e marrëveshjes në vend se të akuzojë për frymëzim të krimeve në Bosnjë dhe Kosovë.

“Ky është Vuçiqi, njeriu që ka frymëzuar krimet me makabre në ish Jugosllavi. Kështu do të vazhdojë të veprojë Vuçiqi, nuk më befason. E habitshme që Perëndimi ende e sheh Vuçiqin njeriun e marrëveshjes në vend se të akuzojë për frymëzim të krimeve në Bosnjë dhe Kosovë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat