A është e kënaqur SHBA me Serbinë? Zbërthehen deklaratat e Hill-it - kështu mund të ndikojnë ndaj Kosovës!

Politika

A është e kënaqur SHBA me Serbinë? Zbërthehen deklaratat e Hill-it - kështu mund të ndikojnë ndaj Kosovës!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 qershor 2024 Në ora: 18:40
Christopher Hill

Jo rrallëherë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka qenë në qendër të reagimeve publike nga Kosovë.

Kjo si rrjedhojë e deklaratave të tij, që shpeshherë janë konsideruar si të padrejta ndaj Kosovës.

Ambasadori Hill nga disa eksponentë publik cilësohet si i anshëm, derisa ka një raport të afërt me Serbinë e Vuçiqit.

Së fundi, Christopher Hill nxiti sërish reagime, kjo për shkak të një deklaratë, në të cilën tha se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me e Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën.

Madje, ai foli edhe për zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjet lokale të 2 qershorit, të cilat sipas tij, rrodhën më mirë sesa zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar.

“Ne ishim të kënaqur të shohin shtimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Ukrainës. Zonja e parë e Ukrainës vizitoi Serbinë dhe ishte një vizitë e rëndësishme. Ministri i Jashtëm ukrainas ishte në Serbi po ashtu. Zonja (Tamara) Vuçiç ishte në Ukrainë vitin e kaluar. Marrëdhëniet janë përmirësuar vërtetët dhe jam i kënaqur për këtë”.

E analistët politikë, folën për këto qëndrime të Hill-it ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Ata u treguan kritikë në analizat e tyre, ku dhanë edhe argumente për këtë gjë.

Elezaj: Mund të ketë edhe arsye tjera që SHBA-në e kanë detyruar që të mbajnë qëndrim kaq miqësor me Serbinë pro-ruse

Image
Rexhep Elezaj

Fillimisht, opinionisti Rexhep Elezaj potencoi se është shumë e vështirë të kuptohen shkaqet dhe motivet që i kanë shtyrë amerikanët të jenë kaq tolerant ndaj Serbisë gjenocidale.

“Se, për çfarë qëllimesh politike, ushtarake dhe strategjike Administrata shtetërore e SHBA-ve po zhvillon marrëdhënie të mira me regjimin aktual të Serbisë, pranë gjitha veprimeve destruktive të këtij regjimi nën udhëheqjen e presidentit racist serb, A. Vuçiq, kjo për një analist të thjeshtë shqiptar nga Kosova, është vështirë që t’i dinë shkaqet dhe motivet që amerikanët i kanë shtyrë që ndaj Serbisë gjenocidale të jenë kaq tolerantë dhe miqësorë”, deklaroi ai në një prononcim për “Bota sot”.

Krahas kësaj, Elezaj potencoi faktin se agresioni rus në Ukrainë, mund të jetë një nga shkaktarët që e ka ‘afruar’ Amerikën me Serbinë.

Kjo pasi që, ka rrezik që shteti serb me direktiva të shteti rus të ndezë luftëra të reja në rajonin e Ballkanit.

“Ndonëse, mund të ketë edhe arsye tjera që SHBA-në e kanë detyruar që të mbajnë qëndrim kaq miqësor me Serbinë pro-ruse, në rend të parë, mendoj se është agresioni i Rusisë në Ukrainë që regjimin e Beogradit zyrtar ta mbajnë sa më afër si dhe nën kontroll, duke e joshur me investime dhe financa tepër të mëdha për ekonominë e Serbisë, me qëllim, që me çdo kusht mos ta lejojnë rreshtimin e saj pas Rusisë fashiste, gjë që për Evropën dhe Perëndimin do të ishte një fiasko e madhe politike dhe ushtarake. Ngase, Serbia si vegël e Rusisë në Ballkanin perëndimorë, ajo serish do mund ta destabilizonte Evropën, qoftë me ngritjen e bazave ushtarake ruse në territorin e saj, qoftë me ndezjen e luftërave të reja në Ballkan, siç i shkaktoi ato në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar”, theksoi opinionisti.

Ndër të tjera, ai shtoi se në këtë aspekt mund të kuptohen deklaratat e Hillit, derisa tha se në diplomaci çdoherë vendimtare kanë qenë interesat strategjike, e jo ato miqësore

“Se, mund të jetë kështu, këtë e dëshmojnë disa deklarata të ambasadorit amerikan në Beograd, z. K. Hill, siç ishte ajo, se “Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova, se ajo po i zbaton marrëveshjet nga dialogu me Kosovën, se ajo po bashkëpunon me Ukrainën..”, etj., duke lënë të kuptohet se DASH-i është i kënaqur me sjelljet e regjimit aktual të Serbisë, deri në lëvdata dhe mirëkuptim për politikën serbe në rajon dhe Evropë.

Kjo, ngase në politikë dhe diplomaci çdoherë vendimtare kanë qenë interesat strategjike, e jo ato miqësore, dhe kjo vlen sidomos për fuqitë e mëdha botërore, siç është Amerika, Anglia, Franca, Gjermania, Kina, Rusia, etj., ngase ky fakt është tejet evident në rastin e Kosovës, të cilën as pas 25 viteve nga çlirimi i saj dhe as pas 16 viteve pavarësi, nuk e kanë ndihmuar me asgjë që ajo të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, përkundrazi i vunë pengesa dhe kushte, siç ishte rasti para pak ditëve me mos anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke e lënë prapë në pritje të pafund, siç vepruan me çështjen e liberalizimit të vizave, duke i ndëshkuar vetëm shqiptarët për vite të tëra”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Zogaj: Në politikë kurrë dy plus dy nuk bëjnë katër

Image
Skënder Zogaj

Kurse, publicisti Skënder Zogaj tha se në diplomaci ka “lojë me shkop magjistari”.

Sipas tij, një lojë e tillë po luhet edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Në politikë kurrë dy plus dy nuk bëjnë katër, ndërsa në diplomaci ka lojë me shkop magjistari, që vezën e nën pëllumb, pëllumbin lepur dhe në fund magjistari përshëndetet me publikun duke e mbajtur nën sqetull shkopin magjik, të cilin e përdor pasi të jenë ngrënë karotat! Kjo shfaqje është duke u luajtur në ndeshjen e mundjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat po përpiqen të tregohen se janë "arrë e fortë" edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila nuk mund të mos i përfillë egot e këtyre dy shteteve!”, shpjegoi ai.

Po ashtu, Zogaj komentoi edhe deklaratën e Hillit, për të cilën nuk është se ka kritika, madje tha se nuk ka asnjë injorim apo kërcënim.

“Në fakt, bashkësia ndërkombëtare ka bërë shumë për t'i faktorizuar Kosovën dhe Serbinë, por për fatin e mirë të Serbisë, Kosova ka bërë gabime të shumta dhe ia ka mundësuar Serbisë që të përfitoj dhe të gëzojë "shpërblime" diplomatike!

Të këtillë e konsideroj edhe deklaratën e fundit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christofer Hill! Deklarata nuk ka asgjë të keqe: nëse SHBA është e kënaqur me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me Kosovën dhe me bashkëpunimin me Ukrainën! Hill është misionar amerikan në Beograd dhe, ai është për të shprehur qëndrimet e vendit të tij! Unë në këtë deklaratë nuk po shoh asgje lloj veprimi injorues, aq më pak kërcënues, përkundrazi po shoh vlerësime pozitiviste për Serbinë, normalisht sipas logjikës dhe strategjike amerikane ndaj Ballkanit”.

Në fund, tha se kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës e kanë marrë përgjigjen nga NATO.

“Kërcënimeve ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës e kanë marrë përgjigjen e duhur ushtarake të NATO-s që vazhdon të jetë e vendosur qe KFOR-i është për gjegjës për çfarëdo lloj kërcënimi ushtarak ndaj Kosovës. Hilli ka fol si diplomat dhe nga kjo pikëpamje deklarata e tij është krejtësisht në rregull, për ata që kanë sy me pa, vesh me dëgjua dhe mendje me gjykua!”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat