“Rugova do ta kishte shpallur non-grata”/ Ftesa e Ramës nga LDK-ja, provokim ndaj Kurtit, Osmanit dhe vet shtetit të Kosovës

Politika

“Rugova do ta kishte shpallur non-grata”/ Ftesa e Ramës nga LDK-ja, provokim ndaj Kurtit, Osmanit dhe vet shtetit të Kosovës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 10 qershor 2024 Në ora: 10:29
Lumir Abdixhiku dhe Edi Rama

Me datën 10 qershor duke filluar nga ora 11:00 , Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Fondacioni Ibrahim do të mbajë konferencën ndërkombëtare ‘’Rugova dhe Perëndimi’’, në shënim të 25 vjetorit të lirisë së Kosovës.

E sipas LDK-së kjo konferencë do të nderohet me pjesëmarrjen e folësve kryesorë nga vendi, rajoni e bota, të ndarë në dy panele, ku në panelin e pare do të jetë edhe Edi Rama - Kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë në këtë konferencë nuk është ftuar asnjë nga krerët institucional të Kosovës, qoftë presidentja Vjosa Osmani apo kryeministri Albin Kurti.

Ftesa që LDK i ka bërë Ramës po shihet me habi nga analistë dhe njohës të politikës, kur dihet shumë mirë qasja që ky i fundit ka ndjekur ndaj Rugovës, ku për asnjë moment nuk e ka çmuar dhe nderuar kontributin historik të presidentit Rugova.

Ftesa e Ramës sfidë Osmanit dhe Kurtit

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se ftesa ndaj Ramës është për ta sfiduar edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Ftesa për Edi Ramën është gjithashtu sfidë për Albin Kurtin. Por kjo sfidë është e azhornuar edhe me protektorët e kryeministrit të Shqipërisë dhe shefit të Lidhjes demokratike të Kosovës. Të dy këta kanë si padron Sorosin. Dhe është ky i fundit që ka pajtuar një kryeministër në detyrë mik i presidentit serb, Vuçiq dhe kundërshtar i ashpër i kryeministrit të Kosovës, Kurti. Se Lumir Abdixhiku e ka ftuar Edi Ramën për ta sfiduar kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, të cilët mesa duket e kanë lënë mënjanë atë, kjo nuk do as mend, as kalem. Kjo praktikë është e preferuar për zotin Rama. Ne kemi parë që kur zoti Kurti nuk e priti atë në Prishtinë, megjithatë Rama shkoi, takoi kundërshtarët e Albinit dhe ndezi edhe më shumë frymën e përçarjes politike në skenën politike të Kosovës. Shkurt, bëri atë që ai di të bëjë më mirë se kushdo tjetër, si dhe atë që dëshiron më së shumti Beogradi. Përçarja ka qenë arma më e efektshme e Serbisë kundër shqiptarëve. Nëse nuk do të kishin përçarje, shqiptarët do ta kishin dominuar Ballkanin që para një shekulli. Nëse nuk do të kishin përçarje shqiptarët do të ishin afërsisht në të njëjtën pozitë gjeopolitike, në të cilën është sot Izraeli. Por ja që çdo kohë e shqiptarëve ka përçarësit e saj të mëdhenj. Sot e së paku një dekadë të shkuar këtë rol e luan me devotshmëri kryeministri i Shqipërisë. Kësaj radhe me ndihmën e kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Edi Rama ka promovuar ide dhe iniciativa serbe, për të cilat Ibrahim Rugova do ta kishte shpallur non-grata në Kosovë.

“Konferenca “Ibrahim Rugova dhe Perëndimi” normalisht përmban idetë, filozofinë dhe veprimtarinë praktike të lidhjeve të Presidentit Historik të Kosovës me kancelaritë evropiane dhe SHBA-ve. Se çfarë lidhje ka Edi Rama me filozofinë e Ibrahim Rugovës, këtë mund ta sqarojnë për anëtarësinë e LDK-së vetëm Lumiri dhe miqtë e tjerë të kryeministrit shqiptar në LDK. Rama njihet si armik i presidentit Rugova. Kurrë nuk e ka vlerësuar atë. Madje, me porosi të Rexhep Qosjes e ka injoruar. Dëshmitarë i kësaj është ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa”.

“Edi Rama ka promovuar ide dhe iniciativa serbe, për të cilat Ibrahim Rugova do ta kishte shpallur non-grata në Kosovë. Ka promovuar dhe ka luftuar e lufton edhe sot fort për ndarjen e Kosovës. Madje këtë ai e sheh si sfidë të jetës së tij, për të thënë se “Unë kisha të drejtë”! Dhe nëse do të ishte Rugova president i Kosovës për këtë shërbim që kryeministri i Shqipërisë i ka bërë dhe i bën Serbisë, do ta kishte kthyer mbrapsht në Morinë, nëse ai do të tentonte të hynte në Kosovë. Edi Rama promovoi, madje si të tijën, idenë dhe iniciativën e Aleksandër Vuçiq për Minishengenin ose Open Balkan. Edhe për këtë do të kishte paguar kosto të rëndë, nëse Rugova do të ishte gjallë”, deklaron profesor, doktor Enver Bytyçi.

Roli i Shqipërisë

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, analisti Nexhat Haziri thotë se nuk mund të mënjanohet roli i Shqipërisë, andaj edhe kjo është arsyeja pse është ftuar kryeministri shqiptar, pavarësisht dallimeve ideologjike.

“Në çdo përvjetor të pavarësisë së Kosovës, por edhe me rastin e konferencës ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” , padyshim se nuk mund të mënjanohet roli i Shqipërisë në shumë procese nëpër të cilat ka kaluar Kosova, të cilave në të shumtën e rasteve iu ka prirë e udhëhequr presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Dhe përtej dallimeve politike dhe ideologjike, ftesa për z. Edi Rama është korrekte për arsyen se ai aktualisht është kryeministër i Shqipërisë”, përfundon Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat