Kosova 25 vjet pas çlirimit, ndërmjet të arriturave dhe sfidave të shumta - kritikohen qeverisjet ndër vite

Politika

Kosova 25 vjet pas çlirimit, ndërmjet të arriturave dhe sfidave të shumta - kritikohen qeverisjet ndër vite

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 qershor 2024 Në ora: 08:07
Trupat britanike të NATO-s duke hyrë në Kosovë, qershor

Sot (10 qershor 2024) shënohet 25-vjetori i Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës. Ditë kjo kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 12 44 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veri-atlantike.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t'i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

Mirëpo duke qenë në këtë vjetor të rëndësishëm, si është vendi ynë 25 vjet pas çlirimit? A është Kosova e sotme ajo për të cilën u flijuan dëshmorët e martirët, por edhe qytetarët që e ëndërruan lirinë?

Hoxha: Të punohet për të rinjtë e vendit, të mos largohen në Diasporë për të punuar

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka fol ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha.

Image
Hafir Hoxha

Ai fillon me një kronologji të ngjarjeve që para 25 vite dhe deri më sot, duke treguar se si kishte filluar gjithçka, shtoi këtu fakte për ish-Jugosllavinë e më pas përgatitjet për luftë.

Tani po bëhen 25 vite që jemi çliruar nga ish Jugosllavia dhe pas shpërbërjes së saj edhe nga Serbia e cila i pat marrë të gjitha kompetencat Jugosllave që kishte mbi Kosovën, duke i eliminuar edhe ato të drejta  që i kishte Kosova si Krahin Autonome në Kuadër të Jugosllavisë. Këto veprime ishin të tepruara dhe shqiptarët nuk mundnin ta përballojnë atë okupim të vrazhdë dhe filloi politika ilegale, gjysme legale dhe legale i tërë popullit të Kosovë. Që të ndryshojnë gjendjen dhe pas fillimit të luftës në ish Jugosllavi në Maribot të Sllovenisë më 26.06.1991 unë pata kaluar nga ish APJ në Ushtrinë Sllovene dhe nga ajo ditë pra Jugosllavia nuk ekzistonte dhe ne shqiptarët më intenzivisht filluam përgatitjet për luftë pasi dinim se ajo është e pashmangshme”, u shpreh ai.

Më tej, ish-komandanti thekson që qeveria e tanishme ka filluar të punoj për Kosovën dhe opozitën ta lë të hutuar në raport me pozitën dhe veprimet e kësaj të fund.

Shteti i Kosovës pas pavarësisë nuk formoi as nuk u kujdes sa duhet në kuadro njerëzore të gjitha profileve, sot mungojnë kuadrat, ato që shkollohen po largohen në diasporë , është menaxhuar keq privatizimi i pasurisë shoqërore, ka pas tepër korrupsion, nepotizëm, partitë politike ende nuk janë rreshtuar  mirë me planet konceptet e tyre të dihet a janë  parti të majta apo të djathta. Tani gradualisht ato dy strukturat politike Qeveria në ekzil dhe Krahu i luftës janë përzier , kanë marrë luftëtar dhe me pak luftëtar në mesin e tyre , pas 20 viteve qeverisje të tyre u doli një bllok tjetër më neutral politik mes tyre si LVV . Qeverisja e të tretit kur dy kanë konflikt largoi mundësit e konflikteve dhe interesave mes tyre, mbetën dy krahët në opozitë ku janë të hutuar dhe ende nuk  po dinë a të bëhen bashkë mes veti apo t’i bashkëngjiten  bllokut të tretë të VV -së “, shpjegon ai.

Ndër të tjera, Hoxha shton që ka hapësirë ende për të u përmirësuar, duke filluar nga krijimi i kushteve për të rinjtë e deri tek anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Pra, këto 25 vitet e fundit diaspora ka punuar dhe ka ndërtuar Kosovën  më shumë e më shpejt se kudo më botë , qeveritë e vendit gradualisht kanë formuar kuadro politike po ende niveli dhe profesionalizmi politik është në nivel shumë të ulët, kanë keqpërdorur  pozita, ka pas korrupsion, është menaxhuar  keq shteti, drejtësia, policia, arsimi, FSK, Doganat  arsimi etj. Të gjitha këto struktura janë politizuar, janë emëruar  udhëheqësit e tyre militant nga liderët partiak, kishin garë, rivalitet por edhe marrëveshje mes tyre si me ndaj pushtetit dhe këto funksione por me kohë  ata shërbyes partiak në këto pozita po plakën e po penalizohen dhe dalëngadal shteti, institucionet po e marrin formën  e duhur profesionale dhe kështu duhet vazhduar si detyrë e prioritetit që të ndalet migrimi i rinisë, të krijohen  kushtet për ardhmërinë e tyre në vend, të bëhemi  pjesë e NATO-s dhe e BE , si dhe të bëjmë ndryshime në Pakon e Ahtisarit ku në dokumente zyrtare të Kosovës të kenë të drejtë banorët  e saj si në çertifikatë të lindjes të tregojë përkatësinë etnike kombëtare të tyre dhe një rubrikë tjetër si shtetësi cilit shtet i përket e jo sikur tani që askund nuk  kemi  te drejt të tregojmë apo të shkruajmë se jemi me kombësi shqiptarë  e me shtetësi nga Kosova, gjëra që po i habisin dhe po ndikojnë negativisht në perspektive”, foli Hoxha për “Bota sot”.

Burjani: Populli ka dashur shtet e zhvillim e jo plaçkë e gjithçka tjetër

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet kritik për situatën në vend.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Kosova ka luftuar shumë për ta pasur pavarësinë e saj, mirëpo që nuk u punua aq sa duhet. Ai ka shtuar që duhet punuar në kuadrot esenciale për mirëqenien e shtetit.

Kosova u flijua për liri e pavarësi, pas lufte gjithçka u bë më ndryshe, liria erdhi por varfëria mbeti.  Shumica e njerëzve të paedukuar edhe aq, me shkollim të dobët e morën në dorë shtetin dhe ia dhanë kahjen e tyre, pasuri pa bazë , pasuritë publike u shndërruan në gjah, luftëra për të bërë pasuri bëri që të harrojnë idealin që kishin dikur shtetin , pavarësinë zhvillimin, integrimin ne BE. Qasja e tyre u shndërrua në anarki, varfëria, mos-zhvillimi mbeti. Është e saktë se Kosova u ndërtua prej zero dhe tash është ndryshe plotësisht por është dashtë plotësisht krejt më ndryshe, më e zhvilluar, me arsim të dobishëm për rinin, për sistemin social më të afërm dhe me përkushtues për qytetarët dhe më të reformuar me mirëqenie shëndetësore dhe punësim krejt më të avancuar dhe më të dobishëm, fatkeqësisht sot lira duket sikur ikje prej shtetit, rinia dhe profesionistët po ikin, njerëzit më të mirë dhe intelegjenca po e lëshojnë vendin, përderisa nataliteti ka rënë shumë në mungesë të zhvillimit ekonomik dhe krijimin e një familje të qendrushme financiarisht”, foli ai.

Burjani në fund, thotë që nuk është koha të rrimë por të punojmë fortë në mënyrë që ta shfrytëzojmë këtë liri që kemi luftuar ta kemi.

Pra kemi humbur kohë të madhe nga jo kujdesi për shoqërinë dhe shtetin kjo po na kushton me ikje të njerëzve më të dobishëm për shtetin. Populli ka dashur shtet e zhvillim e jo plaçkë e gjithçka tjetër. Amaneti i popullit është i madh dhe i shenjtë nëse harrojnë njerëzit nuk harron rinia që po ikë dhe njerëzit inteligjent. Edhe njëherë duhet të nisemi nga fillimi, normal qysh kemi punuar nën okupim duhet shumë mirë tash në liri çka duhet bërë. pra qysh kemi dit në okupim tash në liri duhet më shumë të dimë”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat