U shpreh i kënaqur me Serbinë, vjen kundërpërgjigjja ndaj ambasadorit Hill - i përmenden këto gjëra nga e kaluara

Politika

U shpreh i kënaqur me Serbinë, vjen kundërpërgjigjja ndaj ambasadorit Hill - i përmenden këto gjëra nga e kaluara

Nga: A.M. Më: 9 qershor 2024 Në ora: 15:41
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me e Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën.

Për këtë, erdhën reagime të shumta, duke e kritikuar diplomatin amerikan.

E këto deklarata në një prononcim për “Bota sot” i komentoi opinionisti Dedë Preqi.

Si fillim, ai u shpreh se ajo çka deklaroi ambasadori amerikan nuk i përket aspakt realitetit.

“Sipas ambasadorit amerikan Christopher Hill, në Beograd, SHBA-ja, është e kënaqur me rrjedhat politike të qeverisë serbe dhe sa i përketë dialogut me Kosovën, por edhe bashkëpunimi i ngushtë që zhvillon Serbia me Ukrainën, është për t’u vlerësuar.

Ndër të tjera, ambasadori Hill, pothuajse jeton në një botë tjetër dhe del në skenë me këto deklarata të ngutshme dhe aspak që e prekin realitetin që duhet besuar, kur thotë se edhe zgjedhjet e fundit në Serbi, ishin normale, të cilat zgjedhje do të ishin aq të pa rregullta dhe jo demokratike si askund tjetër në botë”, deklaroi opinionisti.

Gjithashtu, Preqi përmendi faktin se Hill në vazhdimësi kritikon Kosovën, madje e mbështeti në të kaluarën edhe “Ballkanin e Hapur”, i cili ishte projektuar nga Vuçiqi.

Image
Dedë Preqi.

“Dhe ambasadorin Hill, kur e pyesin gazetarët për Kosovën, për politikën e perëndimit ndaj këtij vendi, sikur nuk dëshiron të flas shumë, por e kritikon Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti, se nuk po bashkëpunon dhe koordinohet me politikat perëndimore.

Z. ambasadori Hill, edhe propozimin «Ballkani i hapur» e mbështeti dhe ishte i zëshëm ndaj këtij projekti të Vuçiqit, i cili projekt dështoi, që ngërthente strategjinë dinake të Serbisë, për të futur nën ombrellën e vet shtetet ballkanike, posaçërisht ishte planifikuar futja e Kosovës në këtë mjegullirë”.

Në vazhdim, opinionisti kishte qëndrime të ashpra ndaj Hill-it, derisa tregoi se si në vazhdimësi ka mbështetur shtetin serb, kurse Kosovës i ka bërë presion për themelim të Asociacionit.

“Ambasadori i SHBA-së, në Beograd, Christopher Hill, sikur është aq i përkushtuar, duke e mbështetur edhe Asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës, me ç’rast ambasadori e sheh edhe të domosdoshëm një projekt të tillë, duke e mbështetur si produktiv për të arritur një marrëveshje ndoshta përfundimtare në mes palës serbe dhe shqiptare.

Dhe ambasadori në fjalë e cek edhe arsyen se, nuk do të thotë të jesh historian apo antropolog për ta ditur se serbët kanë jetuar në Kosovë me shekuj, të cilët kanë të drejtë që të vendosin për të ardhmen e tyre, sikur ky rrëfim do të ishte si një lloj « balancimi » i veçantë për këtë komunitet, duke ditur se të gjitha të drejtat e secilit komunitet, po ashtu edhe të komunitetit serb si më të priveligjuar, i kanë të garantuara në bazë të Kushtetutës së këtij vendi.

Kush nuk do t’i kuptonte këto rrethana të sotme dhe politikat e kaluara historike të Serbisë, dhe çfarë i dhanë paraardhësit dhe projektuesit serb trashëgimtarëve të tyre, të cilat projekte si çdoherë prodhuan vetëm konflikte, luftëra dhe gjenocide ndëretnike, sikur që ishte edhe periudha e fundit e luftrave që shkaktoj Millosheviqi, ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, duke shkaktuar me mijëra viktima njerëzore”, vlerësoi Preqi.

Më tej, ai ia rikujtoi edhe njëherë Hillit krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë, ku me këtë rast u detyrua të ndërhynte NATO.

Opinionisti tha se elita serbe po synon me çdo kusht të nxistë konflik në Kosovë.

"Z.Ambasador, e di fare mirë se pse u detyrua NATO, të ndërhyjë në Bosnje, dhe pse u detyrua të ndërhyjë në Kosovë, ndoshta ambasadori Hill, e di më mirë, sepse ishte vetë pjesë e dialogut me Millosheviqin, por një fuqi e madhe ushtarake e botës, nuk do të detyrohej të ngritet me kapacitetet e veta për asgjë send, vetëm duke ditur planet dhe strategjitë e Serbisë, e cila nuk do ndalej me barbaritë mizore të saj kundër popujve civil dhe të pafajshëm deri edhe në asgjësimin e tyre, kjo Aleancë u detyrua të reagojë dhe të ia tregoj vendin një regjimi të tillë fashizoid, siç ishte Serbia.

Serbia edhe pas luftrave të fundit në Ballkan, nuk ka dhënë aspak  shembullin e një paqësori dhe fqinjësisë së mirë, sidomos ndaj Kosovës, duke iu kërcënuar në çdo kohë, sepse në kupolën e shtetit serb erdhën njerëz të njëjtë që bashkëpunuan me Millosheviqin, siç është kryetari shtetit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me suitën e tij kriminale, sikur janë të lindur dhe të prirur si njerëz jo paqësor, kur  edhe sot në këtë kohë të demokracisë njerëzore, kjo elitë politike promovon vetëm konflikte dhe nxitë situata e tensione ndëretnike në Kosovë dhe rajon”, nënvizoi opinionisti.

Ndër të tjera, Preqi u shpreh se ambasadori Hill, e di mirë se Vuçiqi, po mashtron se po e përkrah Ukrainën, kur dihen lidhjet e fshehta dhe të hapura që i ka me Putinin.

“Populli i Kosovës, për dallim nga populli serb dhe të tjerët, është popull më pro-amerikan dhe më pro-evropian, dhe dihet se ky popull ishte më i rrezikuari, madje deri te asgjësimi i tij nga regjimi i Serbisë, dhe kjo Amerikë me aleatët e saj, Kosovën dhe popullin e këtij vendi e bënë të lirë dhe shtet demokratik, ndërsa sot mund të rrezikohet gjithë kjo sakrificë prej të njëjtit regjim, i cili pretendon t’i kthehet së kaluarës, që të arrijë qëllimet e veta glabëruese dhe pushtuese.

Pse do t’i pëlqente ambasadorit Hill, një politikë e tillë e Vuçiqit, i cili me këtë lloj politike nuk po i bën mirë edhe as popullit serb, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi, sepse politikat e një presidenti luftënxitës dhe jo paqësor, nuk i konvenon asnjë demokracie njerëzore, por edhe as popullit paqësor serb, i cili dëshiron të jetojë i qetë, i lirë dhe në paqe me popujt tjerë, duke shpresuar se një ditë do ta lë edhe Rusinë fashiste në rrugën e vet, dhe do bashkohet me vendet e demokracisë perëndimore.

Ambasadori Hill, e di fare mirë se Serbia, në krye me Vuçiqin, po mashtron se po e përkrah Ukrainën, kur lidhjet e fshehta dhe të hapura i ka me Putinin, që po bënë një luftë të pa barabartë, duke e kërcënuar edhe tërë perëndimin, që nënkupton se një luftë e tillë është padyshim e dhunshme dhe agresive ndaj lirisë dhe demokracisë botërore, ndërsa Rusia, Kina, Irani, Korea Veriore dhe Serbia, janë vendet që e mbështesin sot këtë lloj barbarizmi dhe primitivizmi njerëzor”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat