Dyshime të reja, dy spiunët mund të kenë lidhje me SHIK-un/ A dështoi Kosova në hetimin e organizatës?

Politika

Dyshime të reja, dy spiunët mund të kenë lidhje me SHIK-un/ A dështoi Kosova në hetimin e organizatës?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 qershor 2024 Në ora: 12:06
Muharrem Qerrimi dhe Bedri Shabani

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten Muharrem Qerrimin dhe Bedri Shabanin si të dyshuar për bashkëpunim me BIA-n serbe.

Tashmë të dyshuarit gjenden në paraburgim, ndërsa dënimet për ata mund të jenë deri në burgim të përjetshëm.

“Spiunazhi me nenin 124 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është prej veprave më të rënda është 5 vjet minimalisht deri në burgim të përjetshëm. Ajo varet se si dëshmohet në gjykatë”, kështu ka deklaruar ish- shefi i AIK-së, Burim Ramadani.

Në anën tjetër, analistët politikë thonë se arrestimi i tyre duhet të ndikojë që institucionet e sigurisë të jenë më aktive sa i përket identifikimit dhe pengimit të aktiviteteve të shërbimeve të intelegjencës. Ata hedhin dyshime se të arrestuarit mund të kenë lidhje me SHIK-un.

Haziri: Policia dhe AKI të jenë më aktive sa i përket identifikimit dhe pengimit të aktiviteteve të shërbimeve të intelgjencës së vendeve të huaja

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se institucionet e sigurisë duhet të identfikojnë dhe të pengojnë aktivitetet e shërbimeve të intelegjencës që vijnë nga Serbia, Rusia por edhe shteteve tjera jo mike.

“Natyrisht se rasti me të dyshuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi si bashkëpunëtorë të BIA-s serbe, kërkon që institucionet tona të sigurisë, siç janë policia dhe AKI të jenë më aktive sa i përket identifikimit dhe pengimit të aktiviteteve të shërbimeve të intelgjencës së vendeve të huaja në territorin e Kosovës, sidomos atyre që vijnë nga Serbia dhe Rusia, por edhe shteteve të tjera jo mike që kanë për qëllim cenimin e rendit dhe të sigurisë kombëtare dhe pengimin e funksionalizimit dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës. Se a kanë lidhje të lartpërmendurit me SHIK-un, ka dyshime që po, sidomos i dyshuari Muharrem Qerimi në të kaluarën e tij, që po ashtu flitet se vëllai i tij është i afërt edhe me ministrin e brendshëm aktual z. Xhelal Sveçla”, deklaron Haziri.

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit, Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, për shkak të dyshimit të bazuar kanë kryer veprën penale spiunazhi.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin.

Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes, po ashtu gjykata vlerësoj se nëse të pandehurit do të jenë në liri mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale.

Derisa në publik kanë rrjedh informacione se të dyshuarit mund të kenë nis fushata me qëllim të dëmtimit të interesit nacional te njëjtat, nuk janë përfshire në dosjen e prokurorisë dorëzuar gjykatës.

Miftari: Çfarë rezultate pret njeri nga gjykatat, prokuroria, policia, AKI ... e Pronto Mafias!

Kurse, ish- agjenti i SHIK-u, Naim Miftari, thotë se arrestimi i tyre nuk është për mburrje.

Sipas tij, të dyshuarit kanë lidhje me PDK-në dhe me SHIK-un dhe sipas tij, është luftë e brendshme.

“Nuk besoj se ky arrestim është çështje e madhe dhe nuk besoj se në fund do të ketë ndonjë rezultat për t’u mburrur nga ky dyshim e arrestim i të dyshuarve, as më pak kur vetë gjyqësia, policia, prokuroria, por edhe AKI ka njerëz brenda këtyre institucioneve që direkt dhe indirekt kanë qenë të lidhur me UDB- BIA- an. Çfarë rezultate pret njeri nga gjykatat, prokuroria, policia, AKI ...e Pronto Mafias. Unë mendoj duke ditur bizneset dhe lidhjet politike të dy të dyshuarve që janë lidhje me PDK dhe me SHIK-un, mendoj se është luftë e brendshme, kjo nuk do të befasonte në fund të dilte se është edhe luftë për toka, për biznese, pasi njerëzit e krimit të organizuar nuk bien në konflikt për çështje kombëtare ose për veriun e Mitrovicës, por bien në konflikt për “tallin”, për plaçkat e veta, për tokat e pasuritë e shtetit që tjetërsohen dalëngadalë nga krimi”, deklaron Miftari.

Image
Ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari

Ai thotë se nëse shteti do ta luftojë BIA-n, atëherë duhet të pastrohet gjyqësia, policia e AKI-ja.

“Besoj fort se kjo është luftë e brendshme e dy krahëve i Patritit të SHIK-ut dhe krahu tjetër nga Kaçaniku, edhe kishin ndodh jo një vrasje ku viktima njihej si “Hitmen”, i Ilmi Reçicës, por kishin ndodh disa vrasje tjera para disa vitesh, vrasje këto kryekëput për toka, për tendera për drogë. Nëse shteti do ta luftojë BIA-n, FSB duhet të pastrojë gjyqësinë, policinë, AKI-n nga ndikimi serb dhe dora e krimit të organizuar”, pohon ish-agjenti.

Zbardhja e kaluarës së ish- Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe shërbimeve të tjera paralele nuk ka gjetur interesim të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, madje Lidhja Demokratike e Kosovës që shpesh ka akuzuar SHIK-un për veprimtari të kundërligjshme, ligjvënësit nga ky subjekt politik nuk kanë shprehur vullnet për hetimin e kësaj organizate.

Nexhat Haziri, analist politik thotë se deputetët nuk duhet të merren me atë organizatë.

Sipas tij, me organizata të tilla merren vetëm institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë.

“Sa i përket asaj se pse LDK-ja nuk ka shprehur vullnet për një hetim parlamentar të veprimtarisë së SHIK-ut që kërkohej nga VV-ja, mendoj se me organizata të tilla kriminale nuk do të duhej të merrej Kuvendi , por institucionet e drejtësisë, pasi SHIK-u nuk ishte një agjenci e formuar nga Kuvendi i Kosovës dhe tendenca gjoja për ta hetuar nga Kuvendi, ishte kërkesë për t’i dhënë legjitimitet një organizate kriminale që kishte vepruar për interesa të një partie politike dhe një grupi të caktuar politikanësh. Me të tilla organizata merren vetëm institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë”, shprehet Haziri.

Kurse, ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se LDK nuk pati guxim të kërkojë hetimin e SHIK-ut, për shkak të SIA shërbimit.

Sipas tij, Kosova ende nuk i ka pastruar organet nga krimi i organizuar.

“Sa i përket pse LDK nuk pati guxim të kërkojë zyrtarit hetimin e SHIK-ut të PDK-së, kjo ka ndodh pasi do të dilte se edhe SIA shërbimi i ashtuquajtur sekret i LDK-së dhe SHIK-u i PDK-së janë pothuajse një organizatë e ndarë në dy parti politike edhe pse në publik tentonin ta paraqisnin se janë në konflikt ndërmjet veti, kjo nuk ka ndodhur kurrë pasi SHIK dhe SIA janë firmë e vetme, por me dy filiale të tyre në politik, por qëllimi i përbashkët ishte t’i shërbenin KLAN-it që i interesonte vetëm paraja dhe pushteti dhe kush ka përfunduar ndoshta pa dije ndërmjet këtyre dy rrymave të interesit politik, material ose është vrarë, ose është etiketuar e gjykuar e ndjekur nga drejtësia, policia, inteligjenca, shtypi.... të korruptuar. Në Kosovë njëjtë është situata edhe sot pasi qeveria nuk ka pasur sukses t’i pastrojë organet e shtetit nga ndikimi serb, sidomos nga ndikimi i klaneve politike të korruptuara që emrin shkurt e kanë krimi i organizuar në Kosovë që akterët fshihen pas PDK, LDK, AAK, AKR, por ndonjë sot edhe prapa LVV, pasi pasa e kanë parë që LVV po e fiton pushtetin edhe në LVV janë kapur kameleonat e krimit të organizuar që nga deputetët e te poshtë, në hierarki politike dhe të pushtetit”, përfundon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat