Zbulohet arsyeja e përplasjes Kurti-Osmani, cili është qëllimi i Baton Haxhiut në këtë mes?

Politika

Zbulohet arsyeja e përplasjes Kurti-Osmani, cili është qëllimi i Baton Haxhiut në këtë mes?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 qershor 2024 Në ora: 21:32
Ilustrim/ Bota sot

Për mosmarrëveshjen e fundit ndërmjet krerëve të shtetit, ende nuk ka ndonjë përgjigje definitive nga asnjëra palë.

Supozime ka të ndryshme, për ҫështje të ndryshme, megjithatë nuk ka diçka konkrete.

Mirëpo, kujt po i konvenon përplasja ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës? A ka ndonjë mosmarrëveshje të madhë ndërmjet tyre, apo thjeshtë po hiperbolizohet nga opozita? A ka PDK-ja 'gisht' në këtë mosmarrëveshje?

Kjo për shkakun se këto ndodhën në kohën kur kryeministri Albin Kurti takoi krerët e PDK-së.

Ndërkaq përfaqësuesit e partive tjera opozitare nuk pranuan të takonin kryeministrin Kurti.

Publicisti dhe veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj ka folur po ashtu për këtë ҫështje, duke përmendur arsyet e mundshme të përplasjes.

“Përflitet bollshëm se cila është arsyeja e vërtetë e mosmarrëveshjes, në kupolën drejtuese të koalicionit LVV-Guxo? Një takim në mes të kryetarëve partiakë, Albin Kurtit dhe Memli Krasniqit, u përfol shumë për një mundësi të koalicionit, meqë të dyja partitë ekstremisht të majta. PDK-ja mashtron e gënjen me djathtizmin e saj fallco, kur dihet se mëmë ka LPK-në staliniste. Dhe, nëse do të kishte diçka të djathtë, do të kishte afërsi me PDSH-në e Berishës dhe jo me PS-në e Ramës. Kjo vlen edhe për grupin stalinist të Ali Ahmetit”, vlerëson Zeqiraj.

Zeqiraj: Albin Kurti duhej të bëjë një përjashtim nga soji i tij majtist, t`i trajtojë me respekt e dinjitet Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën

Image
Idriz Zeqiraj

Sa i përket këtij koalicioni, Zeqiraj thotë se ky koalicion në mes dy apo më shumë partive, nënkupton obligimin e ndarjes së pushtetit, mbi bazën e fuqisë së votës zgjedhore.

“(Përjashtim bënë Pacoll dallaverja, për 3 deputetë, merr 4 ministri!!) Dhe, një koalicion i bollshëm në numra, nëse merr partner të madh, i harron të vegjëlit. Dihet, të paktën, përgjatë shekullit të shkuar dhe dy dekadave të këtij shekulli, është dëshmuar me fakte, se e majta, komunistët, janë jo vetëm të pabesë, por edhe kriminelë. Për shembull: Enver Hoxha, me bandën e tij byroiste-komuniste, për ta marrë dhe mbajtur pushtetin, në mesin e shumë mijëra nacionalistëve, kombëtarëve, 6.OOO syrësh, kryesisht intelektualë, i ekzekutoi, duke i lënë edhe pa varr! Edhe në Kosovë, LPK-ja e djeshme, PAN-i i sotëm, përgjatë luftës dhe pas saj, ekzekutoi 1.828 luftëtarë FARK-istë dhe veprimtarë të LDK-së”, thekson ai.

Ndërkaq, Zeqiraj ka lavdata të mëdha për Presidenten Vjosa Osmani dhe Ministres e Jashtme, Donika Gërvalla.

“Donika Gërvalla dhe Vjosa Osmani, lë ta dijë LDK-ja dhe LVV, por edhe Kosova, se këto dy veprimtare kanë bërë një sakrificë unike, duke denoncuar hapur dhe me guxim qytetar, kriminelët vrastarë, hajnat zyrtarë dhe argatët e tyre klanorë, të cilët kishin kontaminuar shoqërinë, shtetin e Kosovës, me pazarllëqet e pista të koalicioneve të paprincipta e kriminale, duke i vrarë viktimat e PAN-it, dëshmorët, viktimat e luftës si dhe njollosur edhe akronimin tri gërmash - UÇK. Prandaj, Albin Kurti duhej të bëjë një përjashtim nga soji i tij majtist, t`i trajtojë me respekt e dinjitet Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën, ashtu siç e meritojnë. Sepse me veprimet e tyre ngulmuese, shporrën nga skena politike partitë-banda të PAN-it, me patericën e tij, klanin uzurpator brenda Kryesisë së LDK-së, të kryesuar nga njeriu i Hashimit, Isa Mustafa. Sikur edhe sot të heqin dorë nga jeta politike, me kontributin e tyre të veçantë, në një kohë zezonë për atdheun, kanë hyrë krenare në historinë e Kosovës. Andaj, çdo anashkalim i tyre, nga ana e Kurtit, për hir të koalicioneve me partnerë të tjerë, do ta turpëronte përjetësisht atë”, theksoi ai.

Veprimtari Zeqiraj thotë se zyrtarët e PDK-së theksojnë se pa u reformuar LVV dhe pa u larguar Albin Kurtin nuk bëjnë koalicion me këtë parti. Mirëpo, sipas tij është shumë e turpshme për LVV-në nëse bën koalcion me PAN-in.

“Pacipërisht dhe cinikisht, zyrtarët e inkriminuar të PDK-së, llomotisin se "pa u reformuar LVV dhe larguar Kurti me shokë, nuk bëjmë koalicion me LVV!" Por, vërtet, do të ishte sa humbëse, aq edhe e turpshme për LVV, nëse do të koalicionohej me PAN-in e krimit vrastar, hajnisë zyrtare, haraçit, zhvatjes dhe të rrënimit të Kosovës, ekonomikisht dhe politikisht. Këtë lë ta këtë -vath në vesh- Kurti me shokë, sepse do ta pësojë si LDK-ja dikur. Ndërkohë, në raport me PAN-in, LVV nuk identifikohet me asnjërin nga këto mëkate, për të cilat PAN-i faktueshëm akuzohet dhe po përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Rrjedhimisht, koalicioni me një parti të inkriminuar, apriori partneri në koalicion me atë, bëhet pjesë e krimit. Kjo do t`i ndodhte edhe Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë ai.

Ai thotë se tashmë, shkaku i mosmarrëveshjes, në relacionin Presedencë-Qeveri, është qartësuar. Edhe fajtori gjithashtu, sepse Qeveria ka anashkaluar Presidenten, qëllimshëm apo neglizhencë, pakujdesi, mbetet të sqarohen akteret e kësaj mosmarrëveshjes mes tyre, pa praninë e opinionit.

“Mendoj se Presidentja e nderuar, Vjosë Osmani, duhej ta menaxhonte ndryshe mosmarrëveshjen, pavarësisht hatërimit të përligjur. Nëse nuk mund ta kapërdinte në heshtje totale, të paktën, duhej të mjaftohej me reagimin e këshilltarit Bekim Kupina. Siç thonë korçarët tanë: -Të shkruara dhe të harruara! Harrojeni si një ëndërr të keqe! Lëndimi i anëtarësisë së Vetëvendosjes, por edhe i shqiptarëve të përbotshëm, tashmë, ka ndodhur. Por, është fisnikëri dhe obligim moral, që kupola drejtuese e LVV-Guxo, njëherësh, edhe pushtetare e shtetërore, ta tejkalojnë hatërimin në fjalë dhe ta vazhdojnë përmbushjen e misionit të besuar nga shumësia e popullit të Kosovës. Për më shumë pajtimin e obligon, vota e tej 4OO mijë votuesëve besnikë. Të bashkuar, do të jeni sukses-plotë. Urojmë për mirëkuptim”, thekson Zeqiraj.

Zeqiraj: Tre avoketërit e opozitës PAN-iste: Baton Haxhiun, Dukagjin Goranin, Ilir Morenën, secili më i zi se tjetri…

Ai u shpreh se njerëzve të caktuar po ju konvenon kjo mosmarrëveshje ndërmjet krerëve shtetëror.

Ndër ta, ai përmend Baton Haxhiun, Duagjin Goranin e Ilir Morenën.

“Analistë e banalistë smirëzinj, mezi pritën të komentojnë mosmarrëveshjen në kreun e pozitës. TV-T7 kishte ftuar në PRESSING tre avoketërit e opozitës PAN-iste: Baton Haxhiun, Dukagjin Goranin, Ilir Morenën. Secili më i zi se tjetri. Ata sterrosën çdo gjë të krerëve shtetërorë e pushtetarë. Fjalori i tyre ngjasonte me sharjet e karrocierëve ambulatorë, të cilët, në ditën e tregut, pengohen në lëvizje nga fshatarët shitës të produkteve të tyre. Këta klyshër, shërbëtorë të shefave të inkriminuar, kanë gjetur strehë për të denigruar me gjuhë lehaqene, me porosi. Në të njëjtën kohë, në një televizion tjetër, villte vrerë Bernard Nikaj, një zvarranikë i shefit të dështuar, i cili lavdërohej për dialogun konspirativ me Serbinë, për ndarjen e Kosovës. Urrejtja e tij patologjike për pozitën aktuale, ishte shfrenuese. Këta altoparlantë të opozitës PAN-iste, janë bërë palë me Serbinë, duke qenë të njëzëshëm me ate, në sulmet ndaj pozitës së Kosovës. "Çka na duhet Liqeni i Ujmanit, kur e kemi Liqenin e Kukësit", - deklaron Baton Haxhiu, nga ekrani i këtij televizioni”, vlerëson Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Tahiraj: Ju ka shku gjatë pashpërthy në publik

Image
Saim Tahiraj

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur edhe veprimtari nga diaspora, Saim Tahiraj.

Ai thotë se kjo përplasje nuk është e rastit por akumulim i veprimeve dhe mosmarrëveshjeve të cilat janë si rezultat i dallimeve konceptuale.

“Kjo është normale sepse të dy persona që vijnë nga shkolla të ndryshme. Albini i shkollës Qosiane, ndërsa Vjosa e shkollës Rugoviane, andaj nuk mund të ecin në të njëjtën rrugë. Mendoj se ju ka shku gjatë pashpërthy në publik”, vlerëson Tahiraj.

Ai thekson më tutje se, Presidentja Osmani vazhdon rrugën Rugoviane duke bashkëpunuar dhe koordinuar me miqtë tradicional që ndihmuan në çlirimin, formimin dhe shtetndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Formulat Rugoviane „Pa miq nuk mbahet shtëpia”, “Në miqësi të përhershme me SHBA” dhe orientimi ynë do jetë vetëm Perëndimi , janë çelësi i vetëm i zgjidhjeve të të gjitha çeshtjeve dhe problemeve që ka Kosova. Presidentja Osmani po i përdor këto dy formula si të vetmet alternativa për të dërguar Kosovën përpara”, thotë ai.

Nga ana tjetër, ai thotë se ‘Kryeministri Kurti po vazhdon rrugën Qosiane, grindavec, përçarës, mendjemadhë dhe orientimin ka Lindja’.

“Kjo sjellje arrogante e kryeministrit po na i humbë miqtë tradicional dhe Kosovën e ka izoluar totalisht. Mendoj se këto dy rrugë duhet të ndahen dhe Vjosa të kthehet në shtëpin e vet politike dhe të vazhdon nga aty rrugëtimin Rugovian. Nëse vazhdon të qëndroj në shtëpinë ku bëhet politika e shkollës Qosiane do e dëmton veten e më shumë Kosovën. Kryeministri arrogant Kurti nuk di ndryshe sepse është mësuar kështu nga ajo shkollë”, vlerëson Tahiraj.

Ai përmendi edhe koalicionet e mundshme, duke thënë se ka ardhur koha që e djathta të bëhet bashkerisht dhe e majta në anën tjetër.

“Ka ardhur koha e profilizimit të partive politike dhe koalicionet të bëhen, e djathta bashkërisht dhe e majta bashkërisht. Çdo kombinim tjetër e dëmton rëndë Kosovën, vetëm e djathta reale e shpëton Kosovën nga ky izolim dhe çon përpara drejt zhvillimit dhe bashkëpunimit me aleatët tanë tradicional”, thotë Tahiraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat