Këto vende kanë filluar “garën e armatimit”, eksperti i sigurisë vjen me thirrje për ndërkombëtarët: Rrini sy çelë ose Ballkani...

Politika

Këto vende kanë filluar “garën e armatimit”, eksperti i sigurisë vjen me thirrje për ndërkombëtarët: Rrini sy çelë ose Ballkani...

Nga: Naile Ejupi Më: 8 qershor 2024 Në ora: 08:43
Foto ilustrim

Situata në veri të vendit është e brishtë dhe vetëm sipërfaqësisht e qetë, kështu ka deklaruar ish- komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati të enjten.

Kastrati ka thënë se Serbia po i stërvit qytetarët serbë të veriut përtej kufirit në bazat stërvitore të ushtrisë dhe policisë serbe.

“Ata po i stërvitin qytetarët serbë të veriut përtej kufirit në bazat stërvitore të ushtrisë dhe policisë serbe. Çdo lëvizje e forcave serbe në një mënyrë apo tjetër deklarojnë që kinse ata po lëvizin në territorin e vet, ne nuk i frikësohemi asnjëherë forcave militare dhe policore serbe”, ka deklaruar ai.

Kastrati është shprehur se rreziku më i madh për territorin e Kosovës janë grupet terroriste në krye me Radoiçiq dhe njerëzit e tjerë të përfshirë direkt në financimin, mbështetjen e këtyre terroristëve.

“Kam informacione të sakta që presidenti Putin ka thënë disa herë presidentit Vuçiq mos u ngutuni, nuk është momenti, të presim si është situata në Ukrainë dhe nëse atje Rusia nëse ia arrin një fitore atëherë Rusia do të ishte e interesuar që Ballkanin Perëndimor mos ta lë të hapur në njërën anë…”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, të premten nënkryetari i komisionit të sigurisë në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli, ka deklaruar të premten se NATO dhe ushtria e Kosovës janë të afta t'u përgjigjen kërcënimeve serbo-ruse.

Dugolli paralajmëron Serbinë që të mendohet mirë përpara se të guxojë të ndërmarrë ndonjë sulm ndaj Kosovës.

Duke komentuar këto deklarata e këto përgatitje të Serbisë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se këto zhvillime e forcojnë vendin.

Sipas tij, në Serbi ka mospërputhje midis politikës së deklaruar dhe strategjisë ushtarake.

“Këto zhvillime japin një pamje të një vendi që po forcon në mënyrë aktive forcën e tij ushtarake dhe gatishmërinë operacionale. Veprime të tilla janë në kontrast të thellë me parimet e neutralitetit ushtarak. Divergjenca midis deklaratave zyrtare të Serbisë për neutralitet dhe përparimeve të saj të prekshme ushtarake sugjeron një mospërputhje midis politikës së deklaruar dhe strategjisë aktuale ushtarake”, deklaron Shala.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, gara e armatimit midis Serbisë dhe Kroacisë për shumëkënd tashmë po ndodh.

Ai ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë me sy hapur dhe të bëjë presion.

“Këto zhvillime mund të kontribuojnë në një dilemë sigurie në Ballkanin Perëndimor, ku vendet fqinje mund të ndjehen të detyruara të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake si përgjigje, duke çuar potencialisht në një garë armatimi dhe tensione në rritje. Gara e armatimit midis Serbisë dhe Kroacisë – për shumëkënd – tashmë kjo po ndodh. Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më sy çelë, dhe të bëjë presion të njëmend nëse donë njëmend që në Ballkan të ketë një qetësi, përndryshe Serbia si satelit i Rusisë do të mundohet vazhdimisht që ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe Ballkanin dhe me gjerë”, shton Shala.

Theksojmë se, misioni i Forcave të NATO-s në Kosovë, KFOR ka dhënë një garanci të fortë së fundmi se është plotësisht gati për çdo skenar të mundshëm në territorin e Kosovës dhe se do të vazhdojë të garantojë sigurinë dhe lëvizjen e lirë për të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat