Arrestimi i spiunëve të BIA-s, avokati shqiptar ‘zbulon’ frikën e Serbisë: Ja pse po kërkon shqiptarë të shitur!

Politika

Arrestimi i spiunëve të BIA-s, avokati shqiptar ‘zbulon’ frikën e Serbisë: Ja pse po kërkon shqiptarë të shitur!

Nga: A.M. Më: 7 qershor 2024 Në ora: 20:01
Spartak Ngjela.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy me etni shqiptare, u arrestuan nga Policia e Kosovës për shkak të dyshimit për spiunazh.

Gjatë basitjes në shtëpitë e të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Gjatë ditë së djeshme, Gjykata e Prishtinës miratoi kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe të dyshuarve ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

I dyshuari Bedri Shabani ishte pjesëtar i Doganës së Kosovës deri në vitin 2004, kur edhe ishte shkarkuar për shkak të komunikimit të paautorizuar me mjetet e informimit masiv.

E në lidhje me këto zhvillime, në një prononcim për “Bota sot” ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Së pari, ai u shpreh se identifikimi i dy spiunëve e forcon sigurinë e Kosovës.

Ngjela potencoi edhe faktin se spiunazhin e Serbisë në territorin e Kosovës nuk mund ta përjashtojmë deri në rangjet e larta.

“Kjo nuk e cenon sigurinë kombëtare në Kosovë. Përkundrazi identifikimi i tyre si të angazhuar në spiunazhin e Serbisë kundrejt Kosovës, e forcon sigurinë e Kosovës.

Asnjëherë nuk duhet harruar se Kosova ka qenë një shtet shqiptar i pushtuar nga Serbia.

Ky është fakt. Edhe Jugosllavia e Titos, Kosovën nuk e shpalli shtet të federatës së Jugosllavisë.

Por duhet të kuptojmë se, si shtet i pushtuar nga Serbia, Kosova nga serbët është kontrolluar në imtësi, dhe spiunazhin e Serbisë në territorin e Kosovës nuk mund ta përjashtojmë deri në rangjet e larta të politikës së atëhershme.

Por, gjithsesi sot Kosova është e kontrolluar edhe ndërkombëtarisht për lëvizjet subversive të Serbisë, prandaj shërbimi inteligjent i Kosovës duhet të punojë shumë profesionalisht”, deklaroi avokati.

Krahas kësaj, Ngjela tha se edhe në Serbi ka serbë që flasin shqip dhe që janë pjesë e spiunazhit.

Megjithatë, ai tha se nuk duhet të harrojmë se kjo kohë, është koha e shqiptarëve, ku Kosova e ka hedhur Serbinë në një krizë të madhe.

“Nuk duhet harruar se në Serbi ka shumë serbë që flasin shqip dhe këta janë kontingjenti i spiunazhit të Serbisë në Kosovë.

Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se kjo kohë, në Ballkanin Perëndimor, është koha e shqiptarëve. Sot në këtë zonë janë dy shtete shqiptare dhe kjo i ka shqetësuar shumë sllavët, nga Moska e deri në Beograd.

Serbia ka qenë dhe është pushtuese e territoreve shqiptare. Por pavarësia e Kosovës e ka hedhur Serbinë në një krizë të thellë morale. Sepse serbët, në dy shekuj rresht, kanë qenë një popull i gënjyer dhe janë edukuar me një frymë antishqiptare deri në krim. Ata ashtu vijon të jenë, dhe, brenda tyre, politika e Vuçiçit i gënjen përditë se Kosovën do ta rimarrin.

Prandaj nuk duhet harruar se Serbia është një shtet multietnik dhe, brenda saj ka edhe etni të tjera të pushtuara prej saj. Kurse Kosova e pavarur i ka degdisur politikanët agresivë të Serbisë në frikën e humbjes entinke që mund të vazhdojë. Dhe ky është fakt tani...”.

Për këtë arsye, avokati shqiptar tha se frika e politikanëve serbë qëndron në krizën etnike, për këtë do kërkojnë shqiptarë të shitur në Kosovë që me anë të tyre të krijojnë destabilitet.

“Por, fakti që kjo lloj frike vjen e shfaqet me një ndjenjë agresive, kuptohet se kriza etnike në Serbi do të vijojë.

Pikërisht këtu qëndron edhe frika e politikës serbe, që gjithmonë flet për "rimarrjen e Kosovës".

Pikërisht ky është momenti agresiv që u ngjallet së brendshmi, dhe serbët duan ta agravojnë, prandaj, brenda kësaj filozofie revanshite, gjithmonë do kërkojnë shqiptarë të shitur në Kosovë që me anë të tyre të krijojnë destabilitet.

Por kjo tani është një ëndërr mesjetare që nuk nund të sjellë dot rrezik për sigurinë e Kosovës”, shpjegoi Ngjela.

Ndër të tjera, ai shtoi se Kosova dhe Shqipëria kanë mbrojtje nga SHBA, prandaj edhe tani janë shumë të fortë.

“Të dy shtetet shqiptare në Ballkanin Perëndimor, tani janë shumë të fortë, dhe kanë mbrojtje të dukshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Asgjë nuk mund t'u ndodhë më shqiptarëve, dhe propaganda serbe e gënjeshtërt, është krejt e krejt vajtimi i Serbisë për humbjen e pushtimeve të saj.

Shqiptarët dhe shqiptaria tani janë shumë të fortë. Dhe ky është një fakt që ka sjellë ngritjen në një lartësi të re të krenarisë shqiptare”, përfundoi Spartak Ngjela për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat