Serbia e Vuçiqit, shkaktare e “krisjes” së raporteve me Edi Ramën – çfarë fshihet pas deklaratës së fundit të Kurtit!

Politika

Serbia e Vuçiqit, shkaktare e “krisjes” së raporteve me Edi Ramën – çfarë fshihet pas deklaratës së fundit të Kurtit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 qershor 2024 Në ora: 18:01
Albin Kurti dhe Edi Rama

Tash e një kohë opinion publik në Kosovë e Shqipëri, janë në dijeni se raportet mes kryeministrave shqiptar, Albin Kurti dhe Edi Rama nuk janë aq të afërta.

Jo rrallëherë, në media është përfolur mbi raportet e krisura mes Kurtit e Ramës, ku edhe shpesh është aluduar se ato mund të ndikojnë në raportet e përgjithshme mes dy shteteve shqiptare.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, së fundi e pranoi se raportet me Ramën nuk janë të shkëlqyera.

Mirëpo, Kurti theksoi faktin se raportet e tyre nuk kanë ndikuar në punën e dy qeverive shqiptare, ku theksoi se ministrat kanë bashkëpunuar mjaft mirë.

“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat”, shprehet kryeministri.

Krahas kësaj, Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.

“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi”, deklaroi Kurti.

E në këtë pikë, Rama jo rrallëherë është kritikuar për qasjen e tij ndaj Serbisë dhe bashkëpunimet me Vuçiqin, siç ishte rasti i Ballkanit të Hapur.

Mirëpo, këto krisje të raporteve mes dy kryeministrave shqiptar dhe qasjen jo shumë të afërt të Ramës me Qeverinë e Kosovës e komentuan analistët politikë.

Kapiti: Kryeministri i Shqipërisë kurrë dhe për asgjë themelore nuk është konsultuar me Prishtinën

Së pari, opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ku tha se këto raporte mes kryeministrave shqiptar, janë diskutuar tash e një kohë.

Ai nuk e kurse me kritika Edi Ramën, ku tha se ka ego të madhe për pushtet, sa që nuk konsultohet kurrë për asgjë me qeverinë e Kosovës.

“Krejtësisht ajo se çfarë si ‘modesti’ dhe butësisht quhet krisje mes dy kryeministrave shqiptarë, në fakt mendoj se kjo gjendje ka kohë që është dukur e konstatuar, dhe hapur ishte vendosja e traut të gjobës për kalimin e qytetarëve të Kosovës në “Rrugën e Kombit”, gjë që kurrë as nuk do t’i kishte shkuar as në mendje asnjë kryeministri të Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë kurrë dhe për asgjë themelore nuk është konsultuar me Prishtinën, pasi egoizmi dhe mendjemadhësia e tij e bën atë edhe mospërfillës, tipar ky i atyre që vuajnë nga egoja personale për pushtet duke menduar se nuk ka tjetër si ai”, deklaroi opinionisti.

Image
Skënder Kapiti

Sipas Kapitit, Rama nuk ka ndjesi për atë se çfarë iu ka ndodhur shqiptarëve të Kosovës në luftën e fundit, sa që tentoi ta merrte rolin e ‘pajtimtarit’ mes shqiptarëve dhe serbëve, në kohën kur Serbia as nuk kërkonte falje për krimet e saj.

“Kryeministri i Shqipërisë karshi Kosovës është sjellë si një kryeministër që nuk ka dhembshuri e as ndjesi për atë se çfarë ka pësuar dhe vuajtur populli shqiptar i Kosovës prej 150 vitesh nga gjenocidi serb. Deshi të merre meritën si “pajtimtar” mes shqiptarëve dhe serbëve në një kohë kur Serbia as minimalisht as falje nuk ka kërkuar për krimet dhe gjenocidin e ushtruar mbi shqiptarët e Kosovës .Ai ka  mbështetur të gjitha projektet e planet serbe për copëtimin e Kosovës, si dhe minishengenin  që pastaj ndryshoi në “Open Ballkan”, një projekt që Serbia ishte promotori dhe drejtuesi i tij, dhe e keqja më e madhe e këtij projekti antishqiptar  ishte se Serbia  jo vetëm që nuk e njihte Kosovën por ajo  lobonte fuqishëm kundër njohjeve dhe kundër anëtarësimit të Kosovën në organizata ndërkombëtare”, vlerësoi ai.

Ndër të tjera, analisti mbështeti kryeministrin Kurti dhe faktin që ai nuk pajtohet me Ramën, pasi ky i funditi ka dërguar marrëdhëniet shtetërore shqiptaro-shqiptare në një nivel jo shumë të mirë.

“Me këto qëndrime të kryeministrit të Shqipërisë me të drejtë nuk pajtohet Kurti, dhe krisja nuk është mes kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, por krisja dhe ftohja është mes Kryeministrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, gjë që i ka dërguar marrëdhëniet shtetërore shqiptaro-shqiptare në një gjendje aspak të mirë. Asnjë kryeministër, kushdo që të kishte qenë nuk do të ishte flamurtar i Open Ballkanit, por do ia kishte vënë si kusht Serbisë, do i kishte thënë: po Open Ballkanit, por me kusht që Serbia ta njihte Kosovën”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Ahmeti: Rama ka bërë hapa të gabuar në afrimin e raporteve me Serbinë

Kurse, analisti politik, Hidajet Ahmeti tha se raportet e dy shteteve shqiptare ndikojnë edhe në nivel ndërkombëtar.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se konsolidimi i marrëdhënieve mes dy shteteve është i domosdoshëm.

“Padyshim që raportet Shqipëri-Kosovë ndikojnë në rendin ndërkombëtare. Konsolidimi i raporteve bilaterale me Shqipërinë është i domosdoshëm, në mënyrë që të dyja shtetet shqiptare të lëvizin në procesin e integrimeve euro-atlantike. Prishja e raporteve, fuqizon Serbinë në rendin ndërkombëtar e dëmton Shqipërinë dhe Kosovën”, deklaroi analisti.

Sipas tij, Rama ka bërë hapa të gabuar me afërsinë që ka treguar me Serbinë, gjë e cila e dëmton Shqipërinë.

“Mendoj se zoti Rama ka bërë hapa të gabuar në afrimin e raporteve me Serbinë, rrjedhimisht duke amnistuar Serbinë për krimet e luftës në Kosovë. Çdo përpjekje e Shqipërisë në drejtim të gabuar, dëmton dhe vet Shqipërinë. Prandaj, zoti Rama në rend të parë duhet të shikoj interesin e shqiptarëve, pastaj egon e tij personale”, përmbylli Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat