‘Është vetëm lojë”, juristi tregon pse opozita nuk ka interesim të shkojë në zgjedhje

Politika

‘Është vetëm lojë”, juristi tregon pse opozita nuk ka interesim të shkojë në zgjedhje

Nga: H.O. Më: 3 qershor 2024 Në ora: 22:48
Ilustrim

Opozita kohët e fundit ka kërkuar vazhdimisht zgjedhje të reja dhe dorëheqje të kryeministrit Albin Kurti. Ky i fundit kërkoj një unifikim të opozitës, nëse duan që vendi të shkoj në zgjedhje të reja, pak muaj përpara se të shpallen zgjedhjet sipas kohës ligjore.

Mirëpo pati deklarime shumë, por jo edhe veprime nga opozitarët në këtë drejtim. Opozita më nuk i përmendi zgjedhjet e reja, anipse pak kohë më parë kishte nisur koalicionet, takimet e fushatën zgjedhore.

Profesori dhe njohësi i ҫështjeve juridike në një prononcim për ‘Bota sot’ ka folur për mundësinë për të shkuar vendi në zgjedhje të reja. Sipas tij, nuk ka ndonjë fitim tani nëse mbahen këto zgjedhje, pasi nuk ka ndonjë rezultat.

Image
Blerim Burjani

“Për mos shpërndarje të Kuvendit po fajësohet opozita, e cila nuk i sheh të domosdoshme zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nuk ka ndonjë fitim prej kësaj pune, edhe nëse bëhen tash menjëherë, pra nuk ka ndonje rezultat të madh”, thekson profesor Burjani.

Tutje, profesor Burjani e ka quajtur këtë si një lojë të pakuptim, që sipas tij nuk ka interesim për zgjedhje.

“Pra e tërë kjo lojë duket e pakuptim, pse duhet bërë zhurmën e kot dhe të mbetet njëjtë situata pa zgjedhje. Po të kishte pas gatishmëri, ishte gjet edhe opsioni i shkuarjes në zgjedhje, por nuk ka interesim në këtë kohë për këto zgjedhje”, vlerëson ai.

Ndryshe, pak ditë më parë në seancën e Kuvendit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare.

Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në pushtet Mimoza Kusari Lila ka thënë sot se subjekti i saj është i gatshëm të mbështesë shpërbërjen e parlamentit në rast se mbështetet nga të gjitha partitë opozitare.

“Megjithatë nuk mund ta bëjmë këtë vetëm me një grup parlamentar të opozitës. Opozita duhet të jetë e unifikuar në kërkesën e saj, në fund të fundit opozita është ajo që kërkon zgjedhje ose ndryshim të qeverisjes ndërsa konsiderojmë që kjo qeveri i ka plotësuar të gjitha kushtet për një mandat të plotë dhe të rregullt”, ka thënë Kusari Lila.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si kusht për shpërndarjen e parlamentit. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se shpërndarja e parlamentit në këtë fazë nënkupton një rrugëdalje për qeverinë e Albin Kurti. Ndërkaq, nga Partia Demokratike kanë thënë dështimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përkeqësimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë janë një argument shtesë për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

Mandati i qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat