Bardhylin të gjithë e donin përveç kriminelëve dhe bandave të nëntokës

Politika

Bardhylin të gjithë e donin përveç kriminelëve dhe bandave të nëntokës

Nga: M.Lakna Më: 3 qershor 2024 Në ora: 08:10
Bardhyl Ajeti

Sot u bënë plot 19 vjet nga atentati vdekjeprurës ndaj gazetarit, redaktorit dhe kolumnistit të shquar të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajeti.

Ishte tre qershori i vitit 2005, Bardhyli po kthehej nga Prishtina për në shtëpinë e tij në Gjilan.

Me të arritur në  fshatin Bresalc një breshri plumbash ranë mbi veturën e tij. Bardhyli mbeti i plagosur, kriminelët ikën në drejtim të panjohur për të mos u gjetur më kurrë.

Për rastin e vrasjes së Bardhyl Ajetit kishte vetëm një dëshmitar. Ishte një taksist që po e tërhiqte veturën tij për shkak të një prishjeje që kishe pësuar, por ky dëshmitar (M.G.) nga një fshat i Gjilanit ishte ndjerë i kërcënuar dhe ishte larguar drejt Norvegjisë.

Lajmi do të trondiste Kosovën e sapo dalë nga lufta, të cilës “horrat” qysh nga mbarimi i saj kishin nisur t’ia vrisnin lirinë.

Do t’ia vrisnin ata që armë kundër të keqes e kishin vetëm lapsin, ndërsa ideali i tyre ishte Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike!

U bënë 19 vjet nga vrasja e Bardhylit, por drejtësia nuk qe asnjëherë e zonja ta zbardhte rastin.

Ky fakt flet mjaft për lidhjet e njerëzve të drejtësisë me politikanët që donin të përvetësonin çdo gjë që i takonte Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Bardhyl Ajeti ishte ndër gazetarët që nuk ia “shiti shpirtin djallit|. Por, përkundrazi, ai me laps e letër ishte bërë luftëtari më i ashpër i të keqes!

Ai nuk frikësohej asnjëherë të shkruante për realitetin me të cilin po përballej Kosova e lirë.

Bardhyli dhe gazeta kombëtare “Bota sot” me guximin e tyre për ta thënë të vërtetën mbesin zëdhënësit më të denjë të gazetarisë së mirëfilltë në Kosovë.  

Familja e gazetarit Bardhyl Ajeti është ajo që nuk reshti asnjëherë së kërkuari drejtësi për vrasjen e më të dashurit të saj.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Fitim Ajeti, vëllai i Bardhyl Ajetit thotë se drejtësia për vrasjen e Bardhylit është vonuar dhe po vazhdon të vonohet tash e 19 vjet.

“Sot me 3 qershor 2024 bëhen 19 vite nga atentati vdekjeprurës ndaj vëllait tim, gazetarit, redaktorit, kolumnistit të gazetës kombëtare “Bota Sot” dhe kryetarit të Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës Bardhyl Ajetit. Unë si vëlla i Bardhylit qe 19 vite kërkoj drejtësi për vrasjen e Bardhylit, por drejtësia është vonuar dhe po vazhdon të vonohet. Vrasja e Bardhylit vazhdon të mbetet mister i pazbuluar për drejtësinë në vend”, ka thënë Fitim Ajeti për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, vrasja e Bardhylit dihet botërisht se ka qenë vrasje puro-politike për interesa të ngushta të grupeve të caktuara klanore.

Bardhylin të gjithë e donin përveç kriminelëve dhe bandave të nëntokës. Ai shquhej si gazetar dhe redaktor i gazetës kombëtare “Bota Sot” dhe ishte aktivist i njohur i LDK-së, dhe kjo i kushtoi me jetë. Kjo vrasje nuk ka ndodhur rastësisht, por ka qenë e mirë organizuar dhe planifikuar nga njerëz të veshur me kostum politik dhe të cilët ishin në shërbim të interesave materiale të grupeve mafioze”, është shprehur ai.

Vëllai i Bardhylit thotë se Gjykata Speciale ka mbetur shpresa e vetme dhe e fundit për zbardhjen e vrasjes së tij, por edhe të gjitha vrasjeve të pasluftës në Kosovë.

Shpresojmë se  një ditë e urojmë që kjo ditë të jetë e afërt që kriminelët të marrin dënimin e merituar”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Bardhyl Ajeti pas plagosjes do të dërgohej në gjendje të rëndë shëndetësore drejt Italisë.

Ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, ndërsa ndërroi jetë më 25 qershor të vitit 2005.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat