Mehmeti tregon se si Serbia po tallet me BE-në, kërkon heqjen e sanksioneve për Kosovën

Politika

Mehmeti tregon se si Serbia po tallet me BE-në, kërkon heqjen e sanksioneve për Kosovën

Nga: P.R. Më: 19 prill 2024 Në ora: 18:22
Bota sot/ Ilustrim

Gjatë kësaj jave, shteti i Serbisë ndaloi mbi 1.400 shtetas të Kosovës të cilët po kalonin transit nëpër Serbi. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq.

E pas më shumë se dy ditë intervistim dhe mbajtje nga organet serbe, Jankoviq së bashku me zyrtarët e tjerë policorë u liruan me insistimin edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Por edhe pse bashkësia ndërkombëtare reagoi njëzëri ndaj veprimeve të Serbisë, sipas analistit politik, Faton Mehmeti, BE po tregohet e butë ndaj Serbisë, kurse Kosovën po e mbanë ende nën sanksione.

Image
Faton Mehmeti

“Veprimet e fundit të Serbisë nuk janë për tu habitur, ato shpërfaqin Serbinë e vërtetë. Po ashtu, këto veprime janë pasojë e ledhatimet të BE ndaj Serbisë, për ironi Kosova ka sanksione e Serbia jo. BE po turpëron veten, duke dëshmuar pafuqi për të frenuar egot e Serbisë”, shprehet Mehmeti.

Sipas tij, me këtij veprime, Serbia po e tregon hapur që nuk është e interesuar për marrëveshjen finale me Kosovën.

“Serbia kurrë s’ka qenë dhe nuk është interesuar për marrëveshje, po tallet me BE dhe rolin e saj. Faktikisht BE ka dështuar në këtë proces, Kosova mbetet peng i lojërave të Serbisë dhe mos vendosmërisë së BE-së. Dua të besoj se BE do zgjohet nga gjumi, Serbia po luan si maca me miun me BE”, thekson Mehmeti.

“Lajçak po mashtron kur thotë se ka rezultate, takimet po dështojnë dhe janë sa për sy e faqe. Serbia ndryshe flet në tavolinë e ndryshe vepron në terren, kjo është politikë e saj të cikën BE duhet ta ndëshkojë”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat