Shqiptarët pa përkrahjen e askujt!

Opinione

Shqiptarët pa përkrahjen e askujt!

Nga: Sami Arifi Më: 14 tetor 2018 Në ora: 12:08
Sami Arifi

Në Moravën e Karadakut, me organizimin e forcave, në zonën e Gjilanit u mor Idrz Seferi, që arriti të grumbulloj më se 6.000 luftëtar të cilët u hodhën në kufirin me Serbinë, ku së bashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës së Tretë serbe. Luftimet në këtë trevë juglindotre të Kosovës vazhduan 7 (shtatë) ditë, duke filluar nga koha e sulmit të ushtrisë serbe më 15 tetor të vitit 1912, pasi ushtria serbe theu kufirin juglindor të Kosovës, ajo pushtoi më 24 tetor qytetin e Gjilanit.

Shqiptarët e Kosovës, e veçanërisht ata të Llapit dhe të krahinave përreth, qëndruan me vendosmëri në luftimet e Merdarit (14-18 tetor) të vitit 1912 në veri të Podujevës, forcave të armatës së Parë dhe të Tretë serbe. Ushtria turke para betejave kishte braktisur frontet. Luftimet në Merdar ishin të ashpëra, pas shumë humbjeve të mëdha nga ushtria serbe, megjithatë serbët e morën Merdarën, depërtuan në Podujevë dhe ia mësynë më 20 tetor Prishtinës, ku hasën në rrezistencë të vendosur të shqiptarëve, por ata vullnetar luftëtar në mungesë municioni, u detyruan të tërhiqen nga qyteti i Prishtinës. Udhëheqësit e Mbrojtjes Shqiptare nga kufiri Rashkë-Podujevë ishin nën udhëheqjen e Isa Boletinit. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës u mor Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci, Bajram Curri.

Më 23 tetor serbët pushtuan Vuqiterrnën e pas saj Mitrovicën. Ushtria serbe tashmë kishte objektiv pushtimin e Ferizajt të Kumanovës e të Shkupit, për të vijuar më tej marshimin drejt jugut dhe drejt pjesës perëndimore të Shqipërisë. Më 23-24 korrik të vitit 1912, Armata e Tretë serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës. Për sa i përkrahte Rusia, Aleancën Ballkanike, e në veçanti Serbinë e Malin e Zi, dhe, sa i urrente shqiptarët fletë dokumenti i marrur nga Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin.

Ministri i jashtëm rus Sazanov, në bisedë me ambasadën gjermane në Petersburg, thoshte se: “Shqipëria s’ka zgjedhje tjetër, vetëm si autonomi nën sovranitetin turk”, por shefi i Ambasadës së Gjermanisë thoshte se: “Ne dyshojmë se Turqia e përkrah të njëjtën zgjidhje”. Sazanov thoshte se: “Jam i sigurtë që Turqia e përkrahë zgjedhjen e një guvernatori shqiptar nën sovranitetin e saj dhe në të njëjtën kohë shprehte urrejtje shumë të mëdha ndaj shqiptarëve, duke thënë se të gjithë shqiptarët janë vrasës, mbytës terroristë, prandaj mbytësi Esad Pasha, ndoshta është i përshtatshëm për guvernator të Shqipërisë”. Shtetin shqiptar të fortë dhe të zhvilluar ai e shihte si të pamundshëm.

Më 24 qershor ushtria serbe pushtoi Lipjanin dhe po në këtë ditë iu ofrua edhe Ferizajt, edhe mbrojtja e tij u mbeti rreth 10.000 vullnetarëve shqiptarë. Në mesditën e 25 tetorit të vitit 1912 ushtria serbe filloi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin e Ferizajt të cilin e pushtoi në mbrëmjen 25 tetorit. Forcat shqiptare u tërhoqën prej Kaçanikut. Pas dy ditë luftimesh të ashpëra në grykën e Carralevës me 2.000-3.000 vullnetar shqiptarë, forcat serbe pasi lanë këtu shumë ushtarë të vrarë e të plagosur, më 26 tetor e pushtuan këtë grykë. Më 30 tetor u pushtua edhe Prizreni. Beteja mjaft e madhe u bë më 23-24 tetor në Kumanovë në mes Armatës së Parë serbe prej 126.000 trupash dhe armatës turke që kishte vendosur në frontin e Vardarit afro 50.000 luftëtar, midis të cilëve kishte edhe mijëra luftëtarë shqiptarë, vullnetar të ardhur nga treva e Kumanovës dhe nga rrethina të tjera. Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë, në betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit.

Numri i përgjithshëm që u vranë në këtë betej arriti në 10.000 veta. Ata pushtuan Vilajetet e Manastirit të Shkodrës, kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona tjera u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës. Shqiptarët nuk qenë në gjendje të braktisin sulmet e kombinuara të aleatëve ballkanik, nga se ishin të braktisur nga ushtria osmane, edhe se luftuan kudo.

Shkruan një gjeneral turk:  “Pjesëmarrja në këto beteja e shqiptarëve ishte e madhe, luftuan me trimëri për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare, ata nuk e braktisën asnjë herë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës”. Në fillim të dhjetorit të 1912, ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit në vijën Durrës-Kavaj-Peqin-Elbasan, Pogradec-Strugë. Pasi forcat turke ishin thyer në Thesali e Epir, Ato (greke) morën Selanikun, rrethuan Janinën, shtin në dorë Sazanin dhe zbarkuan në Himarë, të cilën e pushtuan grekët bashkë me disa fshatëra përreth.

Qeveritarët e Serbisë të Malit të Zi dhe të Greqisë, pas sukseseve të para, si dhe shtypi i tyre filluan të deklaronin hapur qëllimet e veta ndaj Shqipërisë, duke përdorur argumente absurde të paaftësisë së “fiseve të egra” e “barbare” shqiptare për të formuar shtetin e vet. Deklarata këto që shoqëroheshin me një veprimtari gjakatare, terroriste, shfarosëse të ushtrisë malazeze, serbe e greke kundër popullsisë shqiptare që nuk mëshiruan as gratë, as fëmijët as pleqtë. Ky pushtim në Kosovë u shoqërua me vrasje në masë të luftëtarve kosovarë dhe me masakrimin e me shpërnguljen e popullsisë. Serbia kishte qëllim që në këto troje të bënte shtet të pastër serb, pra nacional, prandaj proklamata në fillim të luftës, e mbretit serb, për barazi në shtetin e tij, ua zunë vendin urdhërat për shfarosjen e shqiptarëve. Gjeneralët serbë pranonin haptas se ne linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ata që ishin shqiptarë.

Konfrontimi i Fuqive të Mëdha në mes tyre, u bënte për zona të ndikimit apo të pushtimit, e jo në bazë të parimeve të lirisë së popujve, prandaj populli ynë kaloi nëpër dyer të tragjedive të mëdha, në luftë për çlirimin kombëtar. Austro-hungarezët nuk patën asnjë herë pretendime për territorin shqiptar si italianët, serbët, malazezët dhe grekët. Pra, austriakët donin një Shqipëri sa më të zgjeruar, të pavarur, të fortë që simpatizon Perandorinë Austro-Hungareze dhe që do të ishte një aleat i dobishëm kundër serbëve në rast lufte, pra, për këtë arsye ata u përpoqën me gjithë forcën ta mbështesin Shqipërinë.

Ndërsa Rusia me aleatët e saj të Paktit të Antantës tentonte mosformimin, apo  minimizimin e shteti shqiptar, në mënyrë që të jetë vetëdëshmi e paaftësisë së saj. Rusia këtë e bënte, meqë s’mund ta ndalonte lindjen e shtetit shqiptar nga Lidhja Trepalëshe si dhe nga lëvizjet e shumta kombëtare shqiptare. Pra, Rusia ishte për zgjerimin e shteteve sllave si dhe të Greqisë në trojet shqiptare, duke u munduar edhe për një dalje të Serbisë në bregdetin shqiptar, në Adriatik. Ajo dëshironte shtrirjen e ndikimit të saj në këtë pjesë të Ballkanit përmes zgjerimit të këtyre shteteve.

Çështja më komplekse ishte caktimi i kufijve verior dhe verilindor të Shqipërisë, prandaj edhe diskutimet në Konferencën e Ambasadorëve në Londër do të zhvilloheshin në frymën e divergjencave të ashpëra diplomatike ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë, fuqi këto më të interesuara për epilogun e kësaj çështje. Që në fillim, interesimi kryesor i Serbisë ishte që të siguronte një dalje në det. Kryeministri Pashiq, në nëntor të vitit 1913, i deklaron kështu gazetës “Times”; Çështja kryesore është që Serbia të posedojë afro 50 km të bregdetit, prej Lezhës deri në Durrës.

Gjermania, përkundër asaj që kishte një qëndrim të matur, për hir të ruajtjes së raporteve me Anglinë, ajo nuk do të lente vetëm Austro-Hungarinë në momente delikate, aleatin e vet më serioz. Këtë më së miri e verteton deklarata e sekretarit Shtetror të Punëve të Jashte të Austro-Hungarisë dhënë ambasadorit britanik në Vjenë, më 6 nëntor 1912;  “Austro-Hungaria është e vendosur që Serbia nuk duhet të ketë dalje në Adriatik, ndërkaq Gjermania nuk mund të veprojë ndryshe, pos ta mbështes aleatin e vet në këtë çështje”. Parimi i politikës së jashtme të Austro-Hungarisë, tashmë ishte fiksuar që Serbia mos të bëhet një fuqi e Adriatikut, pra, këtë ide të fiksuar e përkrahte Italia, edhe Britania, pra,  i kishte dhënë përkrahje asaj, nga se Serbia donte të provokonte një krizë, dhe së dyti nuk ishte fare justifikim etnologjik që t’iu dhuronte serbëve një territor aq të gjerë të shqiptarëve.

Tensionet në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pothuajse ishin për çdo qytet në mes të Austro-Hungarisë që donte në mënyrë të drejt t’i linte ato qytete Shqipërisë, nga se ishin, pothuajse, të gjithë shqiptarë dhe Rusia e cila donte ato qytete t’i linte nën administrimin serbo-malazez.

Tensionet në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë ishin për Gjakovën, për Shkodrën si dhe për tërë qytetet tjera, por që me ndërmjetsimin e Fuqive bëheshin kompromise, kuptohet, në dëm të shqiptarëve. Pra, deri më 22 mars 1913, ambasadorët, në Konferencën e mbajtur në Londër, u morën vetëm me çështjen e kufijve verior dhe verilindorë të Shqipërisë. Pra, vetëm kur i kërcënoi Austro-Hungaria malazezët më 14 maj të vitit 1913, hoqën dorë nga Shkodra dhe gjithashtu edhe serbët u zmbrapësen nga porti i Durrësit. Kjo vërehet edhe në fund të shtatorit të vitit 1913, kur Serbia sulmoi Shqipërinë duke nxjerrë si shkak shpagimin ndaj grabitjeve nga shqiptarët, kinse në territorin serb, duke e provokuar kështu edhe një krizë tjetër të radhës.

Prandaj, Gjermania, tashmë ishte krejtësisht në përkrahje të Austro-Hungarisë në favor të luftës “o tash o kurrë” se ne më në fund duam rregullin dhe qetësinë atje. Një thirrje të tillë Austro-Hungaria e lëshoi edhe për Greqinë për t’u tërhequr nga trojet shqiptare që iu ishin caktuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, mirëpo pozita gjeografike e Greqisë për Austro-Hungarinë ishte e pafavorshme, prandaj një intervenim në kufirin jugor të Shqipërisë, kundër Greqisë, ishte shumë i vështirë.

Këtë thirrje të Austro-Hungarisë e bishtronte edhe Gjermania, nga se mbreti i Greqisë, Konstandini e kishte për grua motrën e Kajzerit, pra të Wilhelmit II (dytë) dhe se “Venizelos i kishte premtuar Gjermanisë se; sa të ishte ai kryeministër i Greqisë nuk do të merrte pjesë në Antantë”, por që kurrë s’ia mbajti fjalën as më vonë Gjermanisë, prandaj kufiri lindor mbeti pak sa pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat