Gabimet e sotme politike e rrezikojnë të ardhmen e popullit shqiptar në Maqedoni

Opinione

Gabimet e sotme politike e rrezikojnë të ardhmen e popullit shqiptar në Maqedoni

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 14 tetor 2018 Në ora: 12:01
Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë më të rëndë se sot, kur duhet të marrin vendime të mëdha për të ardhmen e tyre në këtë shtet. Asnjëherë nuk kanë qenë më të zhgënjyer se sot nga përfaqësuesit politikë, duke u bazuar në ngritjen dhe qëndrimin e tyre në pushtet, me të kaluar të dyshimtë, si politikanë të korruptuar, keqpërdorues të detyrave zyrtare, të kapur nga pushteti, sidomos nga mosdhënia e provave se janë të interesuar për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, edhe përkundër kërkesave të zëshme e të ligjshme të shqiptarëve vendës për afër tri dekada me radhë, nga viti 1990 e deri më sot.

Në anën tjetër, shpresat dhe besimi i shqiptarëve vetëm në faktorin ndërkombëtar sado që janë të dobishme, nuk janë të mjafteushme, sepse atë që ka ndërtuar faktori ndërkombëtar në interes të demokracisë në këtë vend, për integrimet euroatlantike, orientimin evropian të shtetit, avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, praktikisht është shkelur dhe mohuar, nuk është zbatuar deri më sot, pa përjashtim nga të gjitha pushtetet e mëparshme; nuk janë zbatuar, janë keqpërdorur dhe rrënuar nga politikanët vendës, si nga politikanët maqedonas edhe ata shqiptarë. Si shembull tipik mund të merret Marrëveshja e Ohrit, e cila edhe pas 18 vjet nga nënshkrimi i saj, nuk është zbatuar siç duhet e sa duhet, në kohën e duhur dhe me dinamikën e paraparë.

Në përfaqësuesit politik të tyre, shumica të korruptuar, të përfshirë në krime, të kapur nga pushteti dhe të dyshuar nga Prokuroria Speciale Publike, a mund të besojnë shqiptarët se i pret një e ardhme më e mirë, edhe përkundër përpjekjeve të forcave progresive në vend dhe të faktorit ndërkombëtar për orientimin evropian të vendit, progres të përgjishëm dhe të ardhme më të mirë të qytetarëve të këtij shteti?

Për shqiptarët në Maqedoni, edhe shpresat dhe besimi në faktorët politikë shqiptarë jashtë vendit, si në Tiranë dhe Prishtinë, janë minimale dhe të pamjaftueshme, duke pasur parasysh përvojën e derisotme dhe problemet me të cilat përballen aktualisht pushtetet e këtyre shteteve, edhe pse ato duhet të jenë të lidhura organikisht edhe me problemet e shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm.

E vetmja forcë politike në të cilën aktualisht i ka varur shpresat faktori ndërkombëtar dhe pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë, ka mbetur LSDM, por, shqiptarët vendës a mund t'i besojnë verbërisht një subjekti politik dhe a duhet t'i lidhin shpresat vetëm në këtë forcë politike, e cila identifikohet me një të kaluar jo dashamirëse dhe miqësore ndaj shqiptarëve; me shumë procese të montuara politike gjatë qeverisjes së saj në të kaluarën, me tendenca për rikthimin në pushtet të një klase politike të komprometuar ndër shqiptarët, të cilës mund t'i besohet për gjithçka që është e dobishme, progresive, evropiane, por assesi si klasë politike me përgjegjësi kombëtare, e cila mund të preokupohet ndonjëherë për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në Maqedoni dhe barazi të plotë të tyre në këtë shtet.

Si mund t'u besohet sot, atyre që dje kanë qenë në anën e kundërt të interesave të popullit shqiptar, të rrjedhave pozitive të historisë, në kundërshtim me realitetin, progresin shoqëror, barazinë e plotë të popullit të tyre me të tjerët, me këtë edhe të ardhmen e sigurt të shtetit, orientimin evropian të tij, perspektivën e popullit shqiptar në të ardhmen?!

Kujt duhet t'i besojnë aktualisht shqiptarët në Maqedoni? A duhet t'u besojnë këtyre politikanëve dhe të shpresojnë për një të ardhme më të mirë, kur kontaktet e tyre me realitetin dhe kërkesat e ligjshme të shqiptarëve ka kohë që janë shkëputur? Cilat janë argumentet dhe shpresat reale për ndërtimin e këtij besimi? Çdo besim kërkon edhe mbajtjen e përgjegjësisë për të ardhmen, për sukseset dhe dështimet. Ku mund t'i sigurojnë provat shqiptarët në Maqedoni për ndërtimin e këtij besimi, kur askush dhe për asgjë deri më sot nuk ka dhënë llogari për shkeljet dhe dështimet, aq më pak të ketë kërkuar falje për këtë gjendje, për dëmet e derisotme që u janë shkaktuar shqiptarëve në Maqedoni, e që nuk janë të vogla, por janë shumë të mëdha, disa prej tyre të pakthyeshme dhe të pariparueshme!

Është koha e fundit për reflektim, për debat të gjerë për gjetjen e rrugës së vërtetë dhe të perspektivës së sigurt, e cila mund të realizohet vetëm me bashkimin e forcave politike përparimtare dhe të klasës intelektuale të dëshmuar, të cilat së bashku duhet ta marrin përgjegjësinë për të ardhmen e shtetit dhe fatin e popullit shqiptar në Maqedoni.

Unë për vete, nuk gjej asnjë argument t'u besoj këtyre çunave shqiptarë të politikës aktuale, të etshëm vetëm për pushtet, pasuri dhe mirëqenie personale, ndërkohë që populli shqiptar në Maqedoni përditë e më shumë varfërohet, shpërngulet, dobësohet, tkurret, pakësohet, humb shpresat dhe katandiset si asnjëherë më parë gjatë historisë.

Shteti dhe fati i një populli nuk është si fati i një individi, grup interesi, ndërmarrje apo institucioni, që mund edhe të dështojë, falimentojë e zhbëhet, dhe në vend të tij të krijohet një tjetër, në kushte dhe rrethana më të mira!

Gabimet e sotme të një grupi politikanësh të paditur e të korruptuar mund t'i dëmtojnë rrjedhat normale të jetës së një populli të tërë, ta rrënojnë të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat