Mesazhi i QUINT-it dhe NATO-s, të cilin e transmetoi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, është se “Qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, në këtë kohë”. Megjithatë, kryeministri Kurti është shprehur i vendosur që ura të hapet, edhe pse të gjithë sugjerojnë që nuk është tani koha për një gjë të tillë.
Hapja e urës është krejtësisht legjitimime në kuadër të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 në Bruksel. SHBA dhe BE arsyetojnë hezitimin e hapjes së pakoordinuar e për rrjedhojë të çojë në incidente dhe ta komplikojë situatën e dialogut edhe më tej. Besoj se është e kundërta, hapja e urës vetëm sa e çliron edhe në ngarkesën psikike të qytetarëve unifikimin e qytetit, duke shtuar edhe më shumë lirinë e lëvizjës.
Natyrisht se ka ende elemente radikale të Vuçiqit që do të mundohen të krijojnë probleme, kjo vetëm sa duhet të jetë shtysë që të ndodh vullneti i shumicës së qytetarëve, tek e fundit ura nuk hapet për politikanë. Kundërshtime ka pasur për çdo veprim në veri, siç ishte për targat, dinari, mos pranimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe, refuzimi i referendumit etj. Insistimi, këmbëngulja e qeverisë prodhojnë rezultate që sot i njohim. Duhet të dëgjohen kërkesat e ndërkombëtarëve, në veçanti të SHBA, por në fund të fundit të veprohet në bazë të interesit të vendit tonë.
Shpesh herë SHBA për të mbajtur Serbinë në lojë nuk e kanë mbështetur Kosovën në disa veprime në veri, pastaj janë kthyer në versionin " Kosova ka të drejtë në veprime sovrane". Politika është lojë, zakonisht fiton ai që nuk i shkel parimet e veta. Vuçiqi merr goditjen fatale të karrierës politike, shuhet ëndrra e Radoiçiqit për kthim në veri. Fitojnë qytetarët dhe e ardhmja e njerëzve të mirë në veri.