13 vjet pas: Deri në jetësimin e plotë të fjalisë, “Është shtrirë sovraniteti në tërë territorin e Kosovës”

Opinione

13 vjet pas: Deri në jetësimin e plotë të fjalisë, “Është shtrirë sovraniteti në tërë territorin e Kosovës”

Mimozë Lakna Rogova Nga Mimozë Lakna Rogova Më 26 korrik 2024 Në ora: 14:02
Pllaka përkujtimore nga vendi ku u vra heroi Enver Zymeri

Një njoftim në rrjetin social Facebook më kujtoi se sot është një ditë e shënuar. Rubrika e “memorieve” më dërgoi në vitin 2011. Isha vetëm 20 vjeç dhe sapo kisha nisur hapat e parë në gazetari.

Po mësoja të bëja gazetari në një medium mjaft të rëndësishëm në vend dhe kjo do të më shërbente shumë për të ardhmen.

Më 26 korrik të vitit 2011 kisha shkruar në status një fjali që u bë “refren” i atyre ditëve, pas emrit të heroit Enver Zymeri!

“Është shtrirë sovraniteti në tërë territorin e Kosovës”. Këtë fjali e kisha dëgjuar me veshët e mi në një konferencë të mbajtur në orët e vona të asaj dite nga ish - kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Një ndjenjë krenarie, gëzimi, por edhe dhimbje e cila për një çast më bëri të harroj detyrën time si gazetare.

Enver Zymeri u bë heroi më i ri i Kosovës së lirë. Policia e Kosovës ishte nisur në një aksion për t’i marr nën kontroll pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak. Aty kishte hasur në barrikada dhe rezistencë të grupeve huligane serbe, të cilët e vranë policin Enver Zymeri.

Sipas të dhënave ai u vra nga gjuajtjet që erdhën nga mali në mes të fshatrave Varage e Zupç, pasi që konvoji i ROSU-s ishte ndalur nga barrikada e krijuar me vetura nga një grup serbësh.

Tani që kanë kaluar 13 vjet nga ajo ngjarje, sovraniteti ka mbetur i “pa-shtrirë”.

Veriu vazhdon ta ketë të cenueshme gjendjen e sigurisë, ani pse Policia e Kosovës po e bën të pamundurën për ta mbajtur situatën nën kontroll së bashku me pjesëtarët e KFOR-it.

Që nga viti 2011 kanë ndodhur shumë ngjarje, që e kanë mbajtur gjendjen në veri nën tension.

Më 24 shtator të vitit 2023, Kosovës iu shtua edhe një hero. Reshteri Afrim Bunjaku u vra në përballje me një grup kriminelësh serbë që kishin bllokuar hyrjen në fshatin Banjksë.

Policia e Kosovës, rreth orës 3 të mëngjesit do të pranonte një informatë për të shtëna me armë në rrugën kryesore që kalon përmes fshatit Banjskë të Zveçanit.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra si pasojë e një shpërthimi që kishte ndodhur në urën e fshatit.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës u dënua dhe me të drejt u cilësua si sulm terrorist.

Incidentet nuk do të pushonin as në orët e ardhshme.

Në vazhdimësi kishte të shtëna armësh që dëgjoheshin brenda fshatit, derisa u zbulua se kriminelët serbë në krye me kriminelin Milan Radoiçiq ishin vendosur brenda manastirit.

Mbi 10 orë Policia e Kosovës iu kundërpërgjigj sulmeve të grupit terrorist që kishte hyrë në Banjskë dhe nga atje po planifikonin gjithë sulmin.

Aksioni përfundoi me ikjen e terroristëve serbë në rrugë malore drejt Serbisë.

Për këtë rast ende nuk ka ndonjë akuzë të ngritur derisa gishti është drejtuar kah shteti i Serbisë, si përgjegjëse. Madje, ajo po e mban dhe po e mbron edhe kriminelin Radoiçiq.

Edhe ky sulm terrorist dëshmoi se veriu nuk po gjen qetësi. Ky rast thelloi edhe më tepër “hendekun” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Serbia vazhdon me diskursin e saj kërcënues, derisa “ëndrrën” e saj për Kosovën e ka në qendër të politikës ditore.

Ndërkombëtarët “bëjnë sehir” dhe për shkak të politikave globale sikur ia kanë frikën Serbisë.

Ata nuk po e gjejnë guximin, që Kosovës t’ia japin dritën jeshile për hapjen e urës mbi lumin Ibër, ani pse mbi atë urë ishte tentuar të bëhej një “park i paqes”! Ironike kjo!

Një gjë është e sigurt, paqe pa liri të lëvizjes nuk ka, por Kosova ka mjaftueshëm heronj që janë në gjendje ta jetësojnë fjalinë “Është shtrirë sovraniteti në tërë territorin e Kosovës” dhe kjo një ditë ka për të ndodhur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat