Debati për “spiunët” serbë në Kosovë është kurth i Serbisë për përçarjen e shqiptarëve!

Opinione

Debati për “spiunët” serbë në Kosovë është kurth i Serbisë për përçarjen e shqiptarëve!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 30 qershor 2024 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të BIA-s serbe në Kosovë. Të tjerë spiunë të Serbisë kanë mbushur ekranet e televizioneve dhe bëjnë çmos që të fshijnë kujtesën e njerëzve, por me një qasje demaskuese për veten e tyre. Në tavolinat e bisedave televizive, sidomos në Kosovë, po zënë vend pyetjet retorike të tipit “Çfarë lidhje ke ti me Serbinë”! “Jo, veç pyeta”! E vjen justifikimi i radhës, pasi pyetja merr përgjigjen. Dëgjojmë emra politikanësh, akademikësh, gazetarësh e analistësh pa fund, që përmenden për lidhjet e tyre me Serbinë, aq sa të bëhet të besosh se Kosova e 25 viteve pas luftës na është kthyer në arenë lufte midis spiunëve e jo spiunëve.

E gjithë kjo dalldi diskutimesh, i gjithë pezmi i idhët i debateve erdhi pasi u arrestuan disa spunë aktivë me emra shqiptarësh e serbësh nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe policia e Kosovës me ndihmën e AKI-së. Dikush që ka punuar në AKI në kohën e marrjes peng të Kosovës prej hajnave thoshte se, edhe vetë shërbimi sekret i Kosovës ka në radhët e veta spiunë të BIA-s. Disa të arrestuar rezultojnë në fakt të kenë punuar nën kujdesin e këtyre akuzuesve pikërisht në policinë e agjencitë e shtetit të Kosovës.

Diskursi ka marrë përmasa shqetësuese, aq sa Kosova duket si Hekse e fatit të vet! Po pse po ndodh kjo? Si po ndodh dhe kujt i intereson një gjë e tillë? Pse po thirren në ekrane televizive njerëz që denoncojnë emra e mbiemra të shumtë për spiunim në shërbimin sekret të Serbisë? Dhe mbi të gjitha, pa sqaruar rolin e tyre pas çlirimit të Kosovës e madje as në periudhën e para çlirimit. Unë besoj se dikush ka përgatitur një strategji dhe një skenar ogurzi. Kërkon përçarjen e shqiptarëve, sidomos në Kosovë, me qëllim që ta ri-sundojë sërishmi Serbia. Momenti është brilant. Në fillim u krijua përshtypja se të arrestuarit, duke dëshmuar lidhjet e tyre do të tregojnë emra të tjerë.

Sido që ta analizosh këtë fenomen dhe debatin që zhvillohet, më së shumti duket se kemi të bëjmë me një kurth e skenar të përgatitur mire në Beograd. Diskutimi me paradigmën se “ti ke qenë e unë nuk kam qenë spiun i Serbisë, i UDB-së apo i BIA-s” është një diskutim përçarës, që e ndan shoqërinë e Kosovës. Ky diskutim nuk ka asnjë qëllim të bëjë lustracionin e atyre që vërtet kanë gabuar dhe njëherë e një kohë kanë bashkëpunuar qoftë dhe në një ose dy raste në forma të ndryshme me shërbimin sekret të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova. Përkundrazi, spiunët e sotëm aktive të Serbisë në Kosovë duan që ta zgjerojnë rrethin me “spiunë” të dikurshëm, me qëllim shfajësimin e tyre! Në këtë rast do të duhej që dokumentet e ish-UDB-së Jugosllave të ishin kthyer në Kosovë. Që Parlamenti i Kosovës të kishte bërë një ligj për hapjen e atyre dosjeve, madje pasi të kishte verifikuar me ekspertizë, nëse ato dosje janë të sakta ose jo. E që të ishte ngritur një institucion I posaçëm për administrimin e tyre.

Por kjo nuk ka ndodhur. Debati bëhet thjesht për shkak të deklarate verbale, ose në hamendje se çfarë do të thonë të arrestuarit e lartpërmendur. Më pas dikush merr ndonjë informatë se X ose Y paska pirë kafe dikur me një eksponent të UDB-së në Prishtinë dhe sipas atij vizioni hedh akuzën e rëndë, ose bën pyetjen se „A ke ndonjë lidhje me Serbinë?“! Ndoshta dikush tjetër shërbehet me thash e theme nga Serbia, me qëllim thellimin e debatit dhe të konfliktit në këtë aspekt. Ndërkohë askush nuk e di dhe nuk e njeh të vërtetën, sepse dosjet janë në Beograd dhe ato po përdoren në mënyrë selektive me qëllim përçarjen e shoqërisë shqiptare, sidomos në Kosovë.

Dhe ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se nga debati jo konstruktiv dhe ndarës e përçarës po përfitojnë disa spiunë aktivë të Serbisë në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Spiunët aktivë nuk është zor t‘i dallosh. Ata bëhen mbrojtës publikë e jo publikë të tezave, ideve dhe planeve e projekteve serbe në Kosovë. Ushqejnë panik dhe propagandojnë kapitullimin e Kosovës para Serbisë. Bëjnë „demokratin“ e „liberalin“, deri në limitet e patejkalueshme të diskutimit për territorin dhe kufijtë e Kosovës. Luajnë rol aktiv në veprimtaritë e përbashkëta të liderëve politikë në linjën Tiranë-Beograd, por dikur edhe Prishtinë-Beograd. Dhe pikërisht ky soj spiunësh respektohet jo vetëm në linjën e shërbimit sekret serb, por edhe në rrafshin politik, sa presidenti i Serbisë kërcen nga podiumi për t’u përqafuar me personin në fjalë. Spiunët e regjur të djeshëm e të sotëm të Serbisë po thërrasin sot në Kosovë „Kapeni spiunin“!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat