Rojet e urës dhe lidhja e BIA-s serbe me ish-pushtetarët/ Pse po i ‘shokon’ panelistët e televizioneve?

Opinione

Rojet e urës dhe lidhja e BIA-s serbe me ish-pushtetarët/ Pse po i ‘shokon’ panelistët e televizioneve?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 28 qershor 2024 Në ora: 09:43
Nehat Shaqiri

Rojat e urës, ishin kriminelët e tmerrshëm serbë, të cilët ishin nën udhëheqjen e Serbisë. Ata vepruan lirshëm në veri të vendit. Në vend që të arrestohen e dënohen për krimet që i kryen ndaj shqiptarëve në veri, ata u amnistuan. Prej kriminelëve të urës, prej vrasjeve të shqiptarëve, rrahjes e dhunës që kryen andej, ata u shpërblyen dhe u punësuan në institucionet e Kosovës, konktretisht në Polici.

Së fundmi, kur po arrestohen disa prej tyre, për krimet që kryen në Kosovë, dalin disa personalitete në studio televizive dhe mundohen të ‘zbusin’ situatën duke u munduar të ikin nga e vërteta. Madje për të bërë më tragjike, mundohen që, për këto lidhje të kriminelëve serbë me ish pushtetin që kishte amnistuar, të ia gjuajnë fajin qeverisë aktuale, e cila nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën kriminale të spiunëve serbë.

Tragjedia vjen e rritet kur në studio televizive, mundohen të bëjnë propagandë për këtë, mundohen të mbrojnë kriminelët serbë dhe lidhjet e tyre me ish-pushtetarët e Kosovës. Agjentët e BIA-s serbe, përveç që kanë punuar në Polici, duket se kanë shtrirë rrënjët e tyre së fundmi edhe te panelistët e televizioneve, të cilët ‘shesin moral’, por e kanë të kotë. Faji e përgjegjësia e ish sistemit, nuk mund të barazohet me asnjë sistem tjetër.

Kjo tashmë është e dukshme edhe nga qytetarët, të cilët më nuk besojnë ‘përrallat’ e panelistëve. Këta panelistë, mundohen edhe faktet që prezantohen direkt në televizione, t’i ndryshojnë brenda po asaj studioje dhe t’ia hedhin fajin qeverisë aktuale për krimet e kryera në vazhdimësi prej çlirimit të Kosovës e deri tash.

Kështu ndodhi edhe mbrëmë, do të ndodhë edhe sot, pritet të ndodhë edhe nesër. Por, është e kotë, nuk mundet një panelist i televizionit të ndryshojë historinë që ndodhi në këto vitet e çlirimit. Nuk mund të amnistohen lidhjet e grupeve kriminale të veriut me ish-pushtetarët e Kosovës.

Edhe mbrëmë u tha, u shokuan panelistët por lidhjet e BIA-s serbe, me ‘patriotët’ shqiptarë është e dukshme. Po të ishte e kundërta, në veri nuk do të ishte situata e tensionuar, nuk do të ndodhnin vrasjet dhe spastrimi i shqiptarëve, nuk do të mbizotëronte krimi i organizuar dhe korrupsioni. Si duket, vetëm tani ka filluar të dalë tymi, pritet të ndizet zjarri i ferrit për kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat