Mesazhi që dha dështimi i takimit Kurti – Vuçiq në Bruksel!

Opinione

Mesazhi që dha dështimi i takimit Kurti – Vuçiq në Bruksel!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 27 qershor 2024 Në ora: 16:11
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Dje pati pritje e shpresa të mëdha se një takim tripalësh midis kryeministrit Kurti, presidentit Vuçiq dhe zotit Borrel e zotit Lajçak do të përfundonte me një hap të rëndësishëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Por ndodhi e kundërta. Kryeministri i Kosovës vendosi kushte për një takim dhe bisedime me presidentin Vuçiq gjatë takimit të parë e të dytë të tij me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrell. Këto kushte u sintetizuan me kërkesën që marrëveshja e Brukselit dhe plani i zbatimit të nënshkruhen nga të dy palët, Kosova dhe Serbia. Që të tërhiqej letra e dhjetorit të vitit të kaluar, të cilën ish-kryeministrja e Serbisë, Brnabiq, ia dërkoi Këshillit Europian, ku lajmëronte se Serbia heq dorë nga pikat e marrëveshjes për njohjen e integritetit territorial dhe pranimin e Kosovës në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare. Dhe së treti, Kurti i kërkoi Borrell që Serbia të dorëzojë te autoritetet gjyqësore të Kosovës Radoiçiçin dhe terroristët e tjerë që Beogradi aktivizoi në Banjskë më 24 shtator 2024. Me një fjalë, kryeministri Kosovës kërkoi garanci juridike të logjikshme e racionale, me qëllim që të bëhej takimi midis dy përfaqësuesve në dialog si dhe ndërmjetësuesit europian.

Arsyetimi ishte se “tani rrethanat kanë ndryshuar. Jemi në një periudhë post-Banjskë, d.m.th pas sulmit terrorist të Serbisë në Kosovë dhe për ta dënuar atë sulm nuk është bërë asgjë. Bisedime e dialog, aq më pak marrëveshje, nuk mund të ketë në kushtet e mos-ndëshkueshmërisë së atij akti terrorist. Kanë ndryshuar edhe gjëra të tjera në Kosovë. Iu vunë asaj sanksione dhe derisa ato të hiqen plotësisht nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Ndërkohë nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të shkurt-marsit 2023 nga ana e zotit Vuçiq është kusht i panegociueshëm, sepse ajo marrëveshje kërkon garanci, madje edhe me ratifikimin e saj në parlamentin e Serbisë dhe depozitimin e saj në OKB. Një ish-këshilltar i Hashim Thaçit më thoshte dje në një diskutim televiziv se “Nuk ka nevojë të kërkohet nënshkrimi, sepse për marrëveshjen janë garant miqtë tanë amerikanë dhe të BE-së”! Nëse e bëjnë diplomacinë autodidaktë si ky këshilltari i presidentit të ndarjes së Kosovës në ujdi me Vladimir Putin e Aleksandër Vuçiq, atëherë Kosova do të duhet ta dorëzojë sovranitetin e vet sërishmi në Beograd.

Marrëveshjet mund të garantohen nga SHBA e BE dhe ky është një avantazh i madh. Por ato nuk mund të quhen marrëveshje, nëse nuk nënshkruhen e ratifikohen nga sovrani i secilit vend. Kush beson se SHBA e BE garanton marrëveshje me Serbinë, ai është naiv ose argat i Serbisë. Sepse Serbia nuk respekton marrëveshjet e nënshkruara e jo më atë që nuk i nënshkruan, përkundrazi i ka refuzuar zyrtarisht në Këshillin Europian. Kushtëzimet e zotit Kurti nuk janë ndaj Serbisë. Ato i drejtohen pikërisht përfaqësuesve të BE-së, zotit Borrell e zotit Lajçak, sepse është detyrë e këtyre të bëjnë presion te presidenti i Serbisë, që ai të firmosë marrëveshjen dhe aneksin e lartpërmendur. Mirëpo Borrell në një farë mënyre edhe kësaj radhe fajësoi kryeministrin e Kosovës për dështimin e dialogut, kur tha se “Zoti Kurti vendosi kushte”! A nuk është vendosje kushtesh refuzimi i presidentit të Serbisë për ta firmosur marrëveshjen dhe aneksin në fjalë? A nuk është në kundërshtim me frymën e dialogut e të marrëveshjes mbrojtja që Vuçiq i bën Radoiçiç dhe terroristëve të tjerë të Banjskës?!

Edhe pse Borrell u gjend para këtyre kërkesave të drejta të Albin Kurtit, nuk ia kërkoi së paku publikisht zbatimin e tyre Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë Vuçiq u hoq si triumfator, kur tha se “Kurti ka frikë të ballafaqohet me të”! Konstatime foshnjarake të tipit ballkanik. Sepse Kurti ka dëshmuar se nuk frikësohet as nga dialogu, as nga takimet me Vuçiq. Kushtet që vendosi sot janë e drejtë e patjetërsueshme. Nëse pala në dialog nuk merr përgjegjësitë e saj bazuar në proçedura të provuara të së drejtës ndërkombëtare, atëherë është e drejtë e palës tjetër, në rastin e dhënë të Kosovës, të kërkojë zbatimin e këtyre proçedurave.

Ndërkohë analistë të shumtë në Tiranë dhe në Prishtinë përdorën mbrëmë gjuhën e Vuçiq, kur thoshin se Kurti “nuk do të ballafaqohet me Vuçiq”, ose se ai “i përdori kushtet për të mos dialoguar, sepse është në vit fushate elektorale”! Gjuha kockë nuk ka! As mendja nuk merr mësysh! Por edhe sikur të jenë këto arsyet e reagimit të kryeministrit Kurti, llogaria bëhet me Kosovën e jo me kapitalin politik që fiton kryeministri i Kosovës. Ngado që ta marrim, qëndrimi i djeshëm i Kurtit ishte në favor të Kosovës. Ai dha mesazhin që BE ta marrë seriozisht Kosovën, së paku aq seriozisht sa e merr Serbinë. Mjafton kjo për ta vlerësuar pozitivisht qëndrimin kushtëzues të kryeministrit të Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat