Futbolli lë t’i paraprijë historisë

Opinione

Futbolli lë t’i paraprijë historisë

Nga: Jak Simoni Më: 27 qershor 2024 Në ora: 09:21
Shqipëria

Ndonëse kombëtarja jonë mori vetëm një pikë në kampionatin evropian të futbollit, paraqitja e saj ishte ndoshta më e mira në historinë e saj.

Ajo krijoi një atmosferë të këndshme që kaloi lojën e futbollit, duke përfshirë emocionalisht të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin e duke  mbajtur me shpresë deri në minutën e fundit të ndeshjes së fundit. Shqiptarët anembanë Evropës mbushen rrugët dhe stadiumet e qyteteve gjermane, ku u zhvilluan ndeshjet.

Kjo arritje bazohet tek fakti se luajnë së bashku futbollistët më të mirë të Shqipërisë, Kosovës dhe  Maqedonisë së Veriut. Atë që nuk e arritëm kurrë të ndarë e me trajnerët tanë e arritëm të bashkuar dhe me trajnerë të huaj.

Janë vërtetë për tu admiruar ato futbollistë që kanë zgjedhur kombëtaren e Shqipërisë, në vend të që të zgjidhnin atë të Kosovës, apo atë të Maqedonisë së Veriut.

Ata entuziazmuan dhe frymëzuan shqiptarët kudo që ndodheshin e mbajnë gjallë shpresa që kalojnë futbollin. Ky bashkim i dha rezultatet.  Le të jetë  kjo arritje  një metaforë për një arritje më të madhe të kombit tonë.

Shqipëria dhe Kosova nuk e arrijnë kurrë të vetmuar atë që mund ta arrijnë bashkë. Në futboll u gjetën trajnerët, jo vetëm  nga kontinenti ynë, por në politikën ndërkombëtare nuk është e lehtë. Pas një historie të gjatë thuajse tragjike, patëm  një periudhë me mbështetje pa kushte të  ndërkombëtarëve që u finalizua me çlirimin e Kosovës, por me sa duket cikli i kësaj periudhe nuk është shumë i gjatë.

Horizonti nuk duket shumë i kthjelltë. Politika  ndërkombëtare po ndryshon dhe aty ku pati fillimet  parimi iluminist i lirisë, barazisë dhe vëllazërisë dhe internacionalizimi i këtij parimi. Ketë internacionalizëm e tregon fakti se në asamblenë e famshme franceze të periudhës iluministe, të frymëzuar  nga kjo rrymë, qe shprehur mendimi i krijimit të një qeverie mbarë botërore qe do zhdukte padrejtësitë në mbarë  botën.

Natyrisht, duke qenë  asambleja franceze e famshme për debat, një tjetër parlamentar i përgjigjët: “unë propozoj të bashkojmë tokën me hënën”. Me sa duket po bëhet më aktual ky i fundit, më pak i ndikuar nga iluminizmi. Secili shtet po rifillon të vendosë interesat e ngushta të tij në plan të parë.

Por, gjithsesi, le të mbajmë gjallë shpresën që futbolli së fundmi zgjoi tek ne.  Sporti duhet të jetë  më tepër se një lojë, përndryshe nuk do ia vlente me tërë atë vulgaritet që prodhon në shumë raste, e më gjithë atë ndotje që prodhon duke u kthyer në një industri përfitimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat